27 gusht 2010

'Albanët me Famë në Mijëvjeçarë' (Nga Troja e Lashtë Deri në Ditët Tona)

Ky është titulli i librit të autores Elena Kocaqi. Libri ndërtohet mbi studimin që autorja ka bërë në lidhje me rrënjët e shqiptarëve, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë botërore. Ajo shqiptarët i shikon si krijuesit dhe drejtuesit e perandorive të mëdha, që nga Aleksandri i Madh, Perandoria e Romës, e Bizantit dhe Osmane. Këta perandori thotë autorja "janë në thelbin e tyre perandori të krijuara dhe qeverisura nga shqiptarët, apo nga paraardhësit e tyre, pellazgo-ilirët. Ata në rolin e qeveritarëve, i kanë dhënë botës zyrtarisht fenë njëzotëshe dhe janë arkitektët dhe financuesit e veprave të kultit më të vjetra dhe më të famshme të botës. Shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre për krijimin e disa shteteve moderne si të Egjiptit, Turqisë, Greqisë, Rumanisë, Italisë etj.""Shqiptarët janë gjyshërit e kombeve dhe gjuhëve të Europës si dhe krijuesit e qytetërimit më të lashtë etnik evropian dhe nuk meritojnë të trajtohen siç janë trajtuar, sidomos në shekullin e XX. Bota duhet të dijë të shfrytëzojë dhe të kanalizojë aftësitë e shqiptarëve në drejtimin e duhur, për të kontribuar për të mirën e njerëzimit dhe, për ta bërë këtë, ajo duhet të njohë historinë e vërtetë të këtij kombi."



Në këtë libër, autorja flet për lëvizjet pellago-ilire dhe kontributin e tyre në krijimin e popujve të Evropës. Autorja flet për Mbretërinë trojane, Dinastitë trojano-dardano-albane të Evropës; për dinastinë maqedone; për Aleksandrin e Madh të Maqedonisë; dinastia e Epirit (Pirro i Epirit); Dinastia e Ptolemenjve në Egjipt; Perandorët dhe strategët ilirë të Romës; Kostandini i Madh; Perandorët ilirë të Bizantit; Kryeministrat shqiptarë të qeverisë osmane si dhe shumë figura të shquara me origjinë shqiptare.


Në realizimin e këtij studimi, autorja është mbështetur në autorët Antikë dhe të Mesjetës. Në mënyrë të veçantë ka studjuar autorët gjermanë, për të cilët thotë se janë më të besuar sepse janë pasardhës të drejtpërdrejtë të popujve pellazgo-ilirë, që lëvizën drejt Evropës, dhe janë dëshmitarë të ngjarjeve për të cilat autorët grekë nuk kanë dijeni, sepse janë më të vonë se ata.


Krijimin e popujve të Europës autorja e lidh me lëvizjet e popujve të qytetëruar të kohës që janë trojanët. Populli që doli nga përmbytja e madhe. Pasardhësit e Noes u vendosën në Europë. Legjenda e ardhur nëpërmjet Apianit thotë se "Këtë emër (Ilir) ky vend (bëhet fjalë për Ilirinë - Linda) e mori nga Iliri i biri i Polifemit. Bijtë e ciklopit Polifem dhe Galatës të quajtur Keltë, Ilirë dhe Galë lanë Siçilinë dhe bënë sundimtar mbi fiset të cilat nga emrat e tyre u quajtën Kelt, Ilir dhe Galë" Pra, legjenda tregon se keltët, ilirët dhe galët janë vëllezër. Dhe këto vëllezër populluan Ballkanin, Anglinë dhe Francën.


Një lëvizje tjetër popullsie që ndikoi në krijimin e popullsive të Europës është ajo pas Luftës së Trojës. Heronjtë e Trojës me fiset e tyre, që shpëtuan nga shkatërrimi, u shpërngulën për në Europë. Ene Dardanidi u vendos në Itali, ku pasardhësit e tij themeluan Romën dhe më vonë Perandorinë Romake. Kurse i nipi i tij, Briti, u vendos në Angli. Por atje gjeti popullsinë, e të njëjtit gjak të tij, që kishte krijuar Albionin, siç quhej Anglia e lashtë. Kurse Briti i dha këtij shteti emrin e tij, Britani dhe ndërtoi Londrën, nën shembullin e Trojës, duke e quajtur Troja e re. Popullsia anglo-saksone përbën lëvizjen e tretë të popullsisë, që u shpërngul në Angli. "Për të qenë sa më të qartë, - thotë autorja - dyndjet e popullsive në Britani janë kryer në disa valë, por më të rëndësishmet kanë qenë dy. Së pari, dyndja dardane e shekullit të XI p.k. dhe së dyti, dyndja anglo-sake në shekullin e VI-VII të erës së re. Bashkimi i këtyre dy popullsive krijoi kombin britanik." faqe 46.


Këta popuj e dinin fare mirë që kishin një prejardhje. Kur Cezari, që rridhte nga familja e Eneas, pushtoi Britaninë, në vitin 55 p.k., i dërgon letër mbretit të Britanisë, që të nënshtrohet pa luftë, përgjigja që mori, nga mbreti Kasabeli, ishte e tillë: "Kërkesa jote Cezar është skandaloze, derisa i njëjti gjak aristokratik i Eneas rrjedh si te romakët dhe te britanikët dhe i njëjti zinxhir gjaku na lidh ne, i cili duhet të jetë një urë miqësie dhe këtë duhet të na kishe kërkuar ne, dhe jo sllavërinë" f.53Po ashtu Cezari e dinte lidhjen me britanikët dhe thoshte: "Në të vërtetë ne romakët dhe britanikët kemi të njëjtën origjinë, sepse rrjedhim nga raca trojane. Babai ynë i parë pas shkatërrimit të Trojës ishte Enea. Briti, që kishte baba Selvin, djalin e Asganit, djalit të Enes". f.47


Po kështu autorja e shikon popullsinë franceze si një bashkim të popujve galë (që e morën emrin nga Gali vëllai i Ilirit dhe i Keltit), frankë (që e morën emrin nga Franko trojani 1181-1171 p.k.), të ardhur në këtë territor pas rënies së Trojës, dhe të romakëve. Ata i dhanë kryeqytetit të Francës emrin Paris për të kujtuar, princin Trojan, Parin, të birin e Priamit, që rrëmbeu Helenën e bukur dhe u bë shkas për luftën e Trojës dhe rrënimin e atij qytetërimi. Por që realisht ajo bëri dhe historinë.


Teutonët një nga fiset kryesore gjermanike, formuan kombin gjerman dhe atë skandinav.


Pra autorja konkludon se "Fiset kryesore, të cilat formuan kombin francez, anglez, gjerman, skandinav, janë frankët, teutonët, gotët, anglo-saksët, normanët, langobardët etj. Të gjitha këto fise kanë ruajtur në historinë e shkruar nga vetë ata faktin e emigrimit, se nga ku, dhe si emigruan, luftërat që kanë bërë dhe vendet ku u vendosën. Ajo që ka ruajtur një popull në traditën e tij, është shumë herë më e vlefshme, nga ajo që thonë të tjerët për të. Këta popuj që populluan Europën dhe që i dhanë botës qytetërimin më të lartë që ka njohur, nuk vinin nga pylli dhe nga hiçi, ashtu siç është thënë deri më sot, por ishin pasardhës të gjyshërve të tyre etnikë evropianë, sepse rrjedhin nga ata." f.63."Troja u shkatërrua, dhe u dogj, por nuk mori fund qytetërimi i saj i lavdishëm. … fiset trojane emigruan në Itali, Britani, Irlandë, Francë dhe themeluan mbretëritë trojane atje, … Nuk ishte rastësi që Evropa Perëndimore ngriti qytetërimin dhe kulturën më të lartë që ka njohur njerëzimi, sepse ata ishin njerëz me kulturë të lashtë, ishin trojano-dardano-albano-ilir.Trojano-ilirët nuk vdiqën, ata janë të gjallë dhe sot më të fortë se kurrë, pasi kanë ngritur qytetërimin dhe shtetet më të forta të botës së sotme si ato amerikano-veriorë, anglezë, gjermanë, francez, skandinavë etj." f.19


Një fakt historik, që është përdorur nga autorja, për të provuar origjinën e njëjtë të këtyre popujve, është edhe e dhëna antroplogjike, për racën shqiptare dhe evropiane. Për të përcaktuar etnitë dhe racat, shpesh, antropologjia ka si etalon matës treguesin e kafkës së kokës. Në bazë të madhësisë së kafkës së kokës popullsia ndahet në: Brachycephalas që tregon një kokë tepër e gjerë madje quhet dhe koka e rrumbullakët. Treguesi cephalik është mbi 80.Mezocephalas që është një kafkë koke më e ngushtë se ajo e para. Treguesi cefalik është 75-80.Dolicephalas që është një kokë e gjatë dhe e hollë. Treguesi cephalik është nën 75.


Etnitë brachycephalas, janë më të vjetrat e Evropës. Shqiptarët me një tregues cephalik nga më të lartët në Evropë (me tregues 85-90), shpesh quhen dhe si hiperbrachycephalas. Janë brachycephalas si shqiptarët, gjithashtu Gjermania, Austria, Zvicra, Franca Lindore, Belgjika në pjesën më të madhe të saj, popullsia e Karpateve nga dolën Rumunët dhe Hungarezët. Popullsi brachycephalas, ka një pjesë e Irlandës, Skocia, një pjesë e Holandës perëndimore e quajtur Frizia, bregdeti perëndimor i Norvegjisë, një pjesë e madhe e Danimarkës e Islandës dhe Italia Veriore e Qëndrore. Edhe Armenia në Kaukaz ka të njëjtin tregues qefalik. Pjesa bregdetare e Bosnjës dhe malit të Zi. Britanikët dhe pjesa veri-perëndimore e Evropës ka qënë brachycephalik, por në shekujt X-XI ka një dyndje nordike, që janë dolicephal, dhe kjo shkaktoi përzierje.


"Sa të rrosh do të mësosh" thotë populli ynë. Ndërsa filozofi i lashtësisë Sokrati thoshte "unë di një gjë që nuk di asgjë". Kjo më ndodh sa herë që lexoj diçka. Pikërisht nga libri i autores Kocaqi unë u njoha me historinë europiane, të cilën nuk e kemi studjuar në shkollë. Historinë e këtyre vendeve e lidhnim vetëm me pushtimin nga perandoria Romake. Dalja në dritë e këtyre fakteve e lidh historinë e Europës me paraardhësit e shqiptarëve dhe me vetë shqiptarët.


Përforcova dijet mbi popullsinë trojane dhe lëvizjet e saj, që për mua kishin shkuar deri në Itali, dhe tashmë kam dijeni për shtrirjen e tyre të mëtejshme.


Mësova se Tragjedia "Mbreti Lir" e Shekspirit ishte shkruar për mbretin Lir që kishte mbretëruar në Angli në vitet 800 p.k. dhe që unë e dija se Shekpiri fliste për mbretërinë Ilire në Ballkan.


Mësova që qytetërimin në Europën Perëndimore nuk e dërgoi Perandoria Romake por ata ishin po kaq të qytetëruar sepse, paralelisht, pasardhësit e trojanëve zhvilluan qytetërimet sitrojane në gjithë Europën.


Madje edhe kryqëzatat europiane nuk do t'i shikoj me syrin e njerëzve barbarë, që kërkonin të shkatërronin Perandorinë e lulëzuar bizantine apo romake, por si lëvizje të popujve që ktheheshin në vendet, që ua kishin rrëmbyer barbarët, në Kostandinopojë dhe Aleksandri.


Popullsia panone e Ilirisë, që u shpërngul sidomos në shekujt III p.k., kur Ballkani u pushtua nga perandoria Romake dhe deri në shekullin VII e.s., që u largua nga dyndjet sllave në Ballkan, dha një kontribut të shquar në krijimin e shteteve të Europës dhe në drejtimin e Perandorisë Romake.


Sikurse realisht do të kuptoj se territoret e Ballkanit u boshatisën nga lëvizjet e këtyre fiseve, drejt perëndimit, për t'u shpëtuar dyndjeve barbare. Madje këto fise, që lëvizën, ishin pjesa më e qytetëruar e Ilirikut. Dhe mund të ketë ndodhur që në këto rajone të kenë mbetur pjesa e pazhvilluar e popullit që i shpëtoi invadimeve barbare duke u fshehur në male. Dhe prandaj shpesh ndër ne lind pyetja përse këto rajone, ku ne jetojmë sot, nuk u zhvilluan sikurse u zhvilluan rajonet e tjera të Europës.


Kjo njohje e re e historisë do t'i jepte përgjigje edhe pyetjes, që historianët kanë bërë, se përse romakët e quajtën gjithë Ballkanin Ilirik. Pra ata e njihnin këtë rajon dhe ishin një popull me ilirët dhe prandaj i gjithë Ballkani u quajt Ilirik sepse i tillë ishte.


Po kështu ka historianë që pyesin. Si spjegohet që gjithë ajo popullsi ilire u asimilua nga dyndjet barbare sllave, kur iliri ishte i gjithë Ballkani. Dhe përgjigjen fare mirë e gjejnë në këto studime. Pra fiset ilire të qytetëruara të Ballkanit u shpërngulën për në Europën perëndimore, për t'u shpëtuar dyndjeve barbare sllave. Ata qytetëruan dhe zhvilluan Europën, për t'u kthyer një ditë dhe për të zhvilluar përsëri këtë vend, nga kanë dalë paraardhësit e tyre.


Sikurse nga këto studime mësova se kudo ku ka qytete apo vende që mbajnë emrin alban, janë toponime të mbetura nga popuj që u shpërngulën nga Ballkani, nga Azia dhe Deti i Zi dhe që ishin raca e njëjtë e bardhë dhe jo më kot dhe shqiptarët i quajtën Albanë. Ata e dinin prejardhjen e tyre dhe të shqiptarëve. Sot emri Albani ndodhet në shumë vende, madje dhe vetë kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut quhet Albani. Sikurse fustanellat skoceze dihet që kanë një burim të përbashkët me ato shqiptare. Pasi dhe vetë Skocia dikur e ka patur emrin Albani nga djali i Britit dardanid.


Kurioze jam të di kur e mësuan europianët, që flisnin për paraardhësit e tyre si trojanë, se pikërisht paraardhësit e tyre janë të njëjtë me këta shqiptarë, të cilët Europa i copëtoi dhe i la nën mëshirën e sllavëve. Dhe nëse ata e dinin që shqiptarët ishin si paraardhësit e tyre përse ata i sakrifikuan aq shumë. Apo ata nuk e dinin historinë e tyre.


Dy librat "Albanët me famë në mijëvjeçarë" dhe "Roli pellazgo-ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve evropiane", që autorja ka nxjerrë, janë me vlera për lexuesin shqiptar, për historinë e shqiptarëve dhe përbëjnë një thesar për bibliotekën e çdo shqiptari. Përshëndetje autores së re. Dhe, ajo që më entuziazmon më shumë është fakti se, nesër, nëpër simpoziumet dhe kongreset që do të zhvillohen, për të nxjerrë në dritë historinë e vërtetë të njerëzimit, të lidhur dhe me kulturën pellazgo-ilire-shqiptare, shqiptarët do të jenë të përfaqësuar nga historianë dhe studjues dinjitozë. Suksese autores Kocaqi.

Nuk ka komente: