10 qershor 2010

Gjuha që duhet të shkruajnë gegë e toskë

Letra të pabotuara dhe një bisedë mes dy shkencëtarëve mbi rregullat e drejtshkrimit të shqipes. Anton Paluca dhe Mustafa Kruja reflektojnë në mërgim për një gjuhë kombëtare, por dhe për jetën në mërgim të secilit

Dy letra të Mustafa Krujës dhe Prof. Anton Palucës, një bisedë në largësi e dy miqve që i bashkon pasioni për gjuhën shqipe. Janë të dy në një moshë jo të re, larg atdheut e njëri larg familjes, në vështirësi financiare e me probleme shëndetësore.Akademikë të dy dhe mendje të ndritura të dy për sa u përket studimeve gjuhësore, të dy ish-anëtarë të Institutit të Studimeve Shqiptare, në një diskutim për gjuhën shqipe, për rregullat e papërcaktuara të saj, sidomos për sa i përket drejtshkrimit. Ky është shqetësimi i tyre i madh edhe në këtë mërgim të hidhur. Për Prof. Palucën, shqipja është "e dashun për ne shqiptarët, dhe interesante për dijetarët përgjithsisht". Për Krujën është objekti kryesor i studimeve dhe i punës. Sapo ka botuar "Abetar'i të mërguemit" që, me shumë sakrifica, e ka shpërndarë tek miqtë e tij nëpër vende të ndryshme, por objektivi është diçka tjetër që ai i zbulon mikut të tij në fund të letrës: "Kurrgjâ s'më tërhjek mâ tepër se nji vepër themelore për gjuhën tonë kombtare e orthografin'e saj." Dy letrat botohen me shkurtime.


Me shum gzim e mora dhe e këndova letrën t'ânde të gjatë, të shkrueme me 4.V.53 dhe të falem nderës me zemër. Uh sa më dëshiron zemra të hallakatem mjaft në lâmën e gjuhës s'onë shqiptare, e dashun për né Shqiptarët, dhe interesante për dijetarët përgjithsisht, por zemra m'a don e mjerisht syni s'më punon. Më kanë shikue po dy okulistë, burra të mirë të dy, por së pari, më mëngojnë mjetet financiare dhe, së dyti, disa të njohtun e miq më këshillojnë të mos i shtrohem ndonjij operacioni, pse, edhe se po qe se ky në fillim del mirë, mbas pak kohe - thonë ata - do të më mêjke fare të pamit. E kësaj do t'i thojshin: "Shkoi shyta me kerkue brinat e lá edhe veshët!" Prandej kam rá si daci në gavixh e po ngushtohem shum shpirtnisht, por ç't'i bâj fatit të pafat! Lum duruesi qi s'ka çka bân! Megjithkëtê herherë, kur jam në qef, me gjith dritën e pakët qi më ka ngelë, shkruej kujtimet e jetës s'eme, pra disi historinë e familjes s'eme, tue fillue prej Palucës së madh, njaty kah vjeti 1590. Para këtij Paluce e dij veç se familja e jonë âsht quejtë "Xhaferraj", e mâ tutje mjerisht s'mrrinë dija e jeme. Domosdo tue thurë ndëpër këto kallzime edhe pikla historije, fjalë të moçme e kund-kund edhe ndonji anekdotë etj. Por s'e dij, vallë a do të mund t'u apë fund këtyne shenjimeve deri në ditët e soçme. Insh Allah! Fëmijt e mij po më nxisin t'a kryej këtë punë e edhe un vetë e kam këtë dëshirë e, palè të shohim! Kam mbushë 72 e jam tue vrapue në të 73 vit të jetës s'eme, veç, ah sytë! E tashti të kalojmë pak në çâshtje të gjuhës. Unë jam i mendimit qi - deri ku të mundemi - t'u lëshojmë pê Toskëvet, por pa e cenue natyrën e gjuhës. Ti Mustafë je tue përdorë partikullën e vjetër përemnore va (u a), vu (u u) etj. të cilat forma sod - përsa e dij unë - përdoren vetëm në Kalá të Dodës, në Dibër, në Kërçovë, në Radomir, në Rekë të Gostivarit, në Reshtalicë e deri kah Tetova, pra në verilindje të Shqipnisë. Pjesët e tjera të Shqipnisë s'e përdorin mâ këtë formë të vjetër. E si t'ua bâjmë atëherë në fund të verbavet, sikur: epua, bânua, thuejua etj. etj.? Vallë a të shkruejmë: epva, bânva, thuejva? Resuli dhe Koliqi kanë me t'u përgjegjë edhe me t'u falë nderës për Abetar, por nuk besoj të shtrihen në kritikë t'Abetarit, pse s'ua mrrinë kërçiku; s'janë të degës as njâni, as tjetri, veç në daçin me thye krânde kot. Pa dashtë të mburrem, besoj se sod për sod i vetmi Shqiptar qi mund të flasë diçka mbi methodat e ndryshme t'Abetarit, jam unë, dhe jo për ndonji meritim, por pse më ka bâ nevoja të mirrem me këtë çâshtje.

Shkurtimisht po i ceki këtu methodat kryesore t'Abetarvet:
1. Methoda (silabore) gërmatore - e ndalueme ligjisht n'Austrí, në Germaní, n'Ungarí, në Çekosllovakí, në Svicër etj.
2. Methoda "Shkrim - këndimi".
3. Methoda analytike - synthetike.
4. Methoda analytike - synthetike e kombinueme me methodën shkrim - këndim (si Abetari i im).
5. Methoda e fjalvet reale (pak e përdorun).
6. Methoda Fonomimike (bazohet në psykologji të fëmijvet, pra ideale).
7. Methoda globale (përdoret në Francë, jo përgjithësisht)
8. Methoda e shkrimit normal (e arsyeshme)


Këtu po zhvilloj shkurtazi nji shembull, se si fitohet nji tingull mbas methodës fononimike, e cila mâ së miri i përgjigjet psykologjisë fëminore. Mësuesi, natyrisht duhet të ketë pak fantazí e të trillojë vetë ndodhí, ngjarje, kallzime e prrallëza të përshtatshme, nga të cilat të dalë vetiu apo pa të vështirë tingulli, shkrola (germa) me formën e vet dhe të lidhen me këto a) ushtrime vizatimi, b) ushtrime shkrimi, c) ushtrime arithmetike. Po filloj me tingullin "a" Shum emna fillojnë me "a" sikur: A-dami, A-liu, A-lushi, A-leksi, A-gushi, A-dolfi etj. etj. Unë po marr këtu A-gushin, pse mjaft i përhapun në Shqipní. Animâ: kalamaj sod duem të nxâmë diç të bukur. Vreni mirë! Agushi na ishte djalë i zgjuet, i ndëgjueshëm dhe i mirë. Nji natë tha i ati: "Agush a don të vish me mue në vnesht të shohim, se vallë a kanë fillue të piqen arrat". "Të lutem im at i dashun më merr edhe mue në vnesht!" Të nesërmen në mëgjes u ngritën, u lanë, u krehën, u veshën, hangërnë pak bukë dhe u nisën të shkojnë. Agushi i tha s'amës: "Mbeç me shëndet (me Tënzonë) mamë e dashun, kam për të të prû edhe ty a - rra, pjeshka, thâna e lejthija!" E âma i puthi të dyja faqet Agushit dhe i tha: "Udha e mbarë, Agushi i im!" I ati dhe Agushi ecën, ecën e ecën, atëherë i tha i ati Agushit: "A po sheh Agush, atë pemën e madhe atje mb'atë shpat? Atje do të vemi". Mbas pak kohe mrrinë në vnesht. Agushi ngriti sytë përpjetë, pá arrën e madhe dhe gërthiti: aaa! sa bukur! Mësuesi u thotë fëmijvet: "Gërthitni edhe ju si Agushi!" Ata të gjithë: aaa! aaa! aaa! (a të gjatë). "Gërthitni edhe njiherë, por shkurt: a, a, a!" I ati i Agushit shkoi dhe nxorri nji krrabë dhe shkundi ca arra. Agushi u kënaq e gërthiti përsëri, a a a! "Thueni edhe ju si Agushi!" Kalamajt përsëri: aaa (gjatë), mandej shkurt: a a a! (përsëritet disa herë ky tingull!) Mësuesi: "Tashi duem t'i vizatojmë disa arra." Ai vizaton mbë tabelë (drrasë të zezë) disa arra, tue pasë përdorësh shkumbëzë (tembeshir) gjithfarë ngjyrash, dhe atëherë u thotë nxânësvet: "Tabelat jashtë! Vizatoni edhe ju tre rrjeshta arra!" Mësuesi shkon ndëpër banka, tue vrejtë, se si po vizatojnë nxânësit, qorton mbajtjen e trupit, të kresë, të dorës (të plumbçit) dhe u ep zemër edhe të dobtëvet, as i përdorë kurr fjalë të vrazhta a fyese. Mandej: "Përsëritni edhe njiherë si ka bâ Agushi!" Nxânsit: "a, a, a!" Mësuesi: "Edhe na duem t'a shkruejmë këtë tingull (kumbim, apo zâ) ashtu si e shkruejnë të mdhajt. Qè (ja) pra: mâ parë shkruejnë nji arrë, por krejt të thjeshtë".

O, kësaj i vemë nji bisht (/) qi të mos bjeri prapët dhe përpara i vemë krrabën (ι) dhe thomi a, a, a! "Mësuesi kontrollon gjithnji e qorton, si mbas nevojës.
Mandej ushtrime arithmetike (simbas shkallës ku kanë mrrî nxânsit):
3 arra dhe 2 arra bâjnë 5 arra
2 arra dhe 3 arra bâjnë 5 arra
4 arra dhe 1 arrë bâjnë 5 arra


Mandej, në vend të fjalës arrë merr ndonji fjalë tjetër (mollë, dardhë, shuk, gisht etj.) e thotë: 3 gishta dhe 2 gishta bâjnë 5 gishta etj. Në fund bâhet abstrakcioni, dmth. lihen jashtë emnat e thohen vetëm numrat e thatë: 3 + 2 = 5. Përsëritja âsht nana e të nxanunit! Analogisht përpunohen edhe tingujt e tjerë. Paçë kërkue prej Ministris s'Arsimit të më jepte dy vjetë lêje (me të drejtë rroge) për të përpilue nji abetar mbas kësaj methode, por kundërshtarët e mij Xhuvani e Pertef Pogoni deshën të më vêjnë edhe në tallje, të shkretët, pse s'kuptojshin gjâ apor s'dojshin qi Paluca të dalë voj mbi ujë (uthull). Këtu në Buffalo kam të dy djelmët e mij, të dy të martuem (me austriake) dhe i vogli ka edhe nji çun të vogël (20 muejsh) qi na kënaqi ne pleqët. Edhe dy gocat mâ të rejat janë këtu. Njâna me 5 të këtij mueji kreu mirë College-n e Rosary Hill College, e dyta ka edhe nji vit. Djelmët na mbajnë né pleqët. Kënaqem shpesh edhe me Lek Marashin, herë në shpi t'eme, herë në shpi të tij. Leka të dërgon shumë të fala dhe të falnderon për Abetar, por kurseje - thotë ai - pse e ka pá këtê qi më dërgove mue. Gurakuqit i kam shkrue mjaft shpesh, por ai mue shum rrallë. Tashti ka Valentinin aty, "Si Hysa Hasa, si vegshi rrasa"! Ti Mustafë thue të shkruejmë ks në vend të kës. Mirë po atëherë po ndjekim orthografinë e vjetër shkodrane.... punë qi s'bâhet! Paj kë - âsht partikull afrimi, si a - e përkundërta. Kë + i = ky, a + i = ai (tosk. - ay).

Nom. Kush Gen. Dat. Këtij Acc. Këtê, kët Abl. Kësi, (këso)
K vetëm s'e pranojnë Toskët kurrsesi! E as né Geget s'na prishë punë kjo kë! Në të tjerat jam plotësisht i nji mendimi me ty. Equivoco, - camente, - carione, shkruen ti Mustafë, se si kisha m'e përkthye unë shqip. Nuk kam nevojë aspak t'a përkthej këtë fjalë, sepse e ka populli: laraví, si akcili flet a shkruen me laraví. Mirdita po me këtë kuptim thotë: filani flet lore mbë lore! Kosova thotë: filani i ka fjalët me bishta. Besoj se të trija këto shrehje e kanë të njëjtin kuptim për equivoco. Verbat: dier (vdier), djeg, pjek, rjep, dredh, mbledh, hjedh, siell, shtiell etj. etj. në formën passive të presentit Ind. bâjnë të gjithë direm, digjem, piqem, ripem, dridhem, mblidhem, etj., por Shkodra i përzien të dyja format (pa kriter) e thotë direm edhe djerrem etj. Na i ruejttë Zoti mendët e kresë, jua ( va:Ti) mbajttë Zoti dorën mbi krye etj., por mâ së shumti thohet: të ruejtë Zoti, të mbajtë Zoti shëndenë etj. pse Shqipja, si thue Ti me të drejtë, s'e qasë bashkzânoren e dymestë. Kështu p.sh. numrat rendorë: dy, i dy-të, pesë, i pes-të, gjashtë, i gjashtëtë, por thohet i gjashtë, i shtatë, i tetë, etj e nuk e qasin prapashtesën të.

Shitte - shiste, flitte - fliste, bertitte - bertiste etj., pra vetëm për verbat qi dalin mbë - të. Kosova ka për të gjithë verbat prapashtesën ke, animá shitke, flitke, hapke, lajke, bâjke, thojke, vritke, bertitke, shajke etj. Vallë a mund të përgjithsohet prapashtesa kosovare ke?

S'po due të humbi kohë me format: Toskëvet, Toskvet, Tosket. Të trija këto forma janë në përdorim, por e fundit jo kudo.
Me u ethë thohet për lopë e buellica.
Me u bue thohet për pela, gomare, qen e macë.
Me u ndërzye thohet për delme.
Me u përqitë, me u thërpye, me u thuprue thohet për dhí.
Me u përfêndë, me u shkelë thohet për shpendë.
Me u lá, me u rrahë thohet për peshk.

Çmue, çëmue, çimue edhe shmue, vallë a vjen nga sllavishtja "cijeniti" apo nga latinishtja "stimare". Përmeti thotë çënit dhe kjo formë i afrohet fort Sllav. "ceniti", nga e cila rrjedhë edhe fjala "cenë" për zell. Zemra m'a do të shkruej gjatë e gjatë, por mjerisht syni s'po më punon. Sa të shkruej nji grimë, më lbyret syni, fillojnë e më mirren mendët dhe atëherë prite dhimbën e kresë. Mustafë, unë besoj, se për t'i vû nji themel mënyrës së shkrimit të gjuhës shqipe, âsht e domosdoshme nji udhëheqje, si me thânë nji mbledhje e shkurtë rregullash edhe fjalësh në nji libërth doracak, ashtu si e kanë Germanët "Regel und Wörterverreichmis". Pak mâ haptas, si e ke fillue Ti me Abetarin e të Mërguemit. Kjo gjâ do të pritej me kënaqësí prej të gjithë Shqiptarvet dhe kështu shkrimit të shqipes do t'i vihej nji bazë e shëndoshë. Mos i a pritò kësaj pune Mutafë!
Me kaqë mbetsh me shëndet e Zoti t'a priftë mbarë! Të falet me mallëngjim përherë i yti

M'a ke këputun shpirtin me ankimet e tua aqë të dhimbëshme për dritën e sŷnit. Por mbahu, mbahu se s'kemi ç'i bâjmë as fatit, as natyrës, jemi skllavët e tyne. Edhe a e din se ku duhet t'a kërkojmë ngushullimin? Ke rreth teje familjen mbarë, posë Mrisë së dashun. Edhe sikur, Zoti mos e bâftë, të dy sŷshë të verbohesh, të tânë janë gati, kush të mundet mâ parë se shoqi, me e marrë tatën për dore e me i a larguem gjithë të keqt e tij me përkëdheljet e tyne. Por ah un, un qyqari qi kam mbetun në mâ t'idhtin mërgim t'emin sall me nji motër pranë, fatkeqe edhe ajo për gjithçka tjetër posë meje! Deri nji djalë qi pata fatin me më ndodhun përjashta nuk mund t'a kem pranë për vullnet të nji tjetër despotizme, qi âsht jeta materjale. "Lum duruesi qi s'ka ç'bân" po, por sidomos lum kush din me qyrë jo vetëm përpjetë, por edhe tatpjetë shkallvet të lumtunisë e të mjerimit qi bashkohen në fjalën fat si të nxetët e të ftohtët në fjalën temperaturë. E mâ tepër lum kush mbërrîn me depërtuem nji grimë në mysteret hyjnore e me besuem në Zotin. Dom Karli e Patër Zefi! Me të parin kemi shkëmbyem gjatë këtyne gjashtë muejve të ksaj vjete nga dý letra për shoq, për herë të parë në të tânë perjodën e këtij mërgimi e mos pyet se si e kam bâmë hor! Me të dytin po gati se gjithashtu, hiq gjuhën e ndryshme qi kam përdorë me tê. Por un kam nxânë, or Palucë i dashun, nga provit'e jetës se njeriu âsht njeri ashtu si e ka falë Zoti me të mira e të këqija e s'krijohet siç kishte me e dashun fantasija a natyra e secilit qi âsht prap njeri edhe ai me të mirat e të këqijat e veta. Nji qi kishte me u sprovuem me ndjekun kët'udhën e fundit në jetë, kishte për t'a pamë veten shpejt të vetmuem. E tash po dalim te them'e jonë mâ e dashuna, te shqipja. Nuk due me të ngallitun qi të lodhësh sŷtë për me m'u përgjegjun gjatë. Un jam tue të shkruemë kopje (a dyshare, si e kam pasë pamë në fjalorin e Bashkimit) e shënimet e mija po i daj me numra rendorë, në mënyrë qi, po pae nevojë e po pate mundsí me u përgjegjun, të mundesh me vu pështetun atyne e kështu me e shkurtuem ftigën t'ânde.
Po filloj me vrot'e tua e mbandej po dal n'ato të mijat:1 - M'a - t'a - i a (si jam tue e përdorë e e kam përdorë gjithmonë ndër shkrimet e mija) = ja (si kishte me e lypun fonetika, si e ka përdorë shumkush, edhe un vetë n'Abetarin për lehtsí kuptimi të fëmijëvet) = ia (sikurse kishte për të qênë mâ e udhës ndërmjet fonetikës së thjeshtë e analyzës gramatikore) - na e = na a - ju a - u a = va = ua (kr. i a = ja = ia). Un ka herë se kam nisun me përdorë va e vetëm ligj'e plogshtisë m'a ka lânë mângut me kalue edhe në ja kryekëput. Si i a kam mbushun mênden vetes? Pikë së pari, qyshë me përpilimin e fjalorit t'em - qi ndoshta deri tash e ka hangër i nâmuni komunist ase e kanë grîmë mijt a lagshtina - kam pranuem për gjuhën shqipe këto baza gati dogmatike:

a) Dý të tretat e mâ të popullit shqiptar flasin gegnisht e pra themel'i gjuhës kombtare duhet të jetë ky djalekt.

b) Tosknishtja, jo vetëm qi âsht gjuh'e nji të trete të popullit, por në shumë rasa i ka ruejtun mâ të plota se gegnishtja format e vjetra; prandej, pa e cenuem themelin e gegnishtes, duhet të ketë në gjuhën letrare pjesën e vet me gjithë ç'ka ruejtun mâ të shëndoshë se ajo.

c) Të dý skajet e popullit shqiptar venë e përpiqen në Shqipnin'e Mesme, e cila ka luejtun rolin kryesuer mbi fatin e tij, mbi historin'e tij në çdo epokë; sod kryeqytet'i Shqipnisë âsht Tirana (kundra gjithë mundimeve të mija qi t'ishte Shkodra).

Prandej, edhe në formimin e gjuhës kombtare djalekti a, mâ drejt me thânë, nëndjalekt'i saj nuk mund e nuk duhet t'injorohet. Këndej rrjedh qi të parët atdhedashës të kujdesuem për formimin e nji gjuhe kombtare patën caktuem si themel të saj djalektin e Elbasanit.

Qi ndëkimi i letërsisë shkodrane s'ka qênë absent deri sod e s'ka për të qênë as mbas sodi në këtë formim, t'a kallzojnë vetë shkrimet e mija e të shokve të mij të lemë e të rritun n'Arbnin'e vjetër

ç). Mbi këto tri baza kryesore e ndërtoj un gjuhën letrare e thërras për ndihmë mbasandej të gjitha nëndjalektet e Shqipnisë e mâ në fund parimet e përgjithshme të gjuhsisë e etymologjinë.


E tash po dalim në zbatimin e këtyne parimeve të përgjithëshme mbi premnin e përngjitun va. Tosknishtja, me sa më resulton mue, i ka ruejtun të dy premnat të damë: u a, tue e filluem shqiptimin e u - së nj'ashtu siç e shqiptojnë të gjithë si zânore të vetme, ase kur fjala nis me tê, në terminologjin'e fonetikës, quhet frëngjisht attaque e gjermanisht Einsatz për të gjitha zânoret fillestare apo të vetme. Ndërsa premnin e dytë, a - në, e lidh me tê, si në nji dyzânore (diftong), pa attaque. Vêni shênj, të lutem, këtij attaque - ut, se ka rândsí të madhe për thesën qi jam tue rrahun... (omisis)
E përnjimênd mue kështu më duket se âsht.

U a, në gegnishtets' âsht veçse nji formë gramatikore pa bazë në popullin gegë të sodshëm a, të thomi, në fazën evolutive të gegnishtes së sodshme, njipërnji si i a e gramatikanvet për ja të gjithë popullit shqiptar.

Sa për va, posë atyne viseve qi citon ti në letrën t'ânde, duhet me përmêndun edhe Maten sigurisht e kisha me thânë qi duhet me u informuem mirë edhe për sa i përket Mirditës.

Nji tjetër trajtë e përdorun shumë edhe prej shkrimtarësh, sidomos prej kishtarisë (klerit) katholike âsht jau ( u a › i u a › i a u › jau), marrë ndoshta prej malsivet veriperëndimore. Mbas ksaj analyse të bâjmë tash synthesën. Në gojë të popullit kemi dý forma të drejta (korrekte): në Jugë ù a (theksin e vûna konvencjonalisht për kumbues e jo për orthografí), në Veri va; të padrejta (inkorrekte), në Jugë ndoshta edhe jau, e në Veri ja e jau. Cilën prej këtyne të shtijmënë gjuhën kombtare? Gramatika në theorí kshillon u a, e për tosknishten përdorim'i ksaj edhe në shkrim nuk don e as nuk bán fjalë fare. Por Gegët e kanë hjedhun këtê me nji zâ, s'ka asnji krahinë qi e përdor. Do t'ishte pra për gegnishten nji trajtë thjesht gramatikore, pa bazë popullore. Jet pra va... (omosis) Përnjimênd, Ndue, s'ka dy shkrimtarë tjerë aqë t'afër n'orthografin'e shqipes njâni me tjetrin sa ti e un. Sikur të kishim pasë qênë tash tek gjâ mâ të rij, mos të na kishte penguem dobsij'e sŷve të tú e të na kishte pasë mbledhun Zoti, në këtë pjesë tepër t'idhët të jetës s'onë, nja 4 - 5 vetë në nji vênd, sakt qi gjuha shqipe do t'i kishte themelat të siguruem. Tash kam vûmë përpara letrën t'ânde e jam tue studjuem ndryshimet e vogla qi na dajnë për me pamë e me të pyetun edhe tý se deri ku vallë mund t'arrijmë me i shlyem. Pikë mâ së pari, a nuk e ndien ti veten të zotin me u shliruem si un prej nji së kaluemje të gjatë qi, për sa i përket infinitit, na ka mësuem me ecun në rrugën e përtacavet me trajtën e cungueme? E kam zhvilluem këtë thesë në faqen 53-54 t'Abetarit e s'kam ç'i shtoj mâ tepër... (omisis) Ti duket se bân nji ndryshim kuptimi ndërmjet tosknishtes ngjarje e gegnishtes ndodhí. Cilin? Un qi i njoh për synonime me kuptim krejt të njimêndë e urrej ngjarjen e atje ke due mos me përsritun ndodhí, them gjasí, por jo ngjarje, me këtë n- parasitare, qi Gega kishte me e thânë njamje mbas rregullës së vet e njarje si toskizëm. Ti Ndue, ruen në lakimin e shumsit ë-në e emnores. Un e hjek pa mëshrirë në bazë të nji rregulle të përgjithëshme qi i kam caktuem orthografisë s'eme: " Te fjalët e përngjituna, fjalë me fjalë ase fjalë me para- ase mbrapashtesë, ë-ja qi bie ndërmjet shlyhet, me përjashtim t'asaj qi qëndron për eufoní." Natyrisht, eufoninë e kakofoninë, deri sa mos të jetë caktuem rregulla për to, e çëmon veshi, gjuha e shija e shkrimtarit. Mue më duket se s'ka udhë tjetër posë ksaj rregulle për me bashkuem në nji gjuhë kombtare dý ekstremet e tosknishtes e gegnishtes për këtë zâ të përbindshëm qi njâna e njeh me qinda e tjetra e ka mohuem kryekëput. Lakimet, në njâjsa e në shumsa duhet t'i shtrohen ksaj rregulle. Të njâjsat, ë-ja e rrokes së fundit zhduket po në themel të ksaj rregulle kur shkruejmë, p.sh. libër, libri, se i-ja shquese âsht nji mbrapashtesë...(omisis) E tash po e mbyllim bisedën me ndonji kuvênd tjetër. Më duhet me t'u falë nderës fort për ato tfillime të bukura mbi methodat e ndryshme të mësimit t'abecesë fëmijjvet. Un s'kam asnji kompetencë n'atë lâmë e dý janë arsyet qi më shtŷnë me e hartuem at'Abetar t'emin: njâna negative, se përndryshe do të ribotohej ai i nji atheisti komunist si Aleksandër Xhuvani, e tjetra, positive, ajo qi kam parashtruem për të stërvitunit si parathânë. Jo pra nga pikpamja e methodës didaktike, por nga kjo tjetra do të gjykohet vepr'e ime.Ti po më nxit me i a hŷmë nji pune qi në trût'e mij ka bâmë gjurmë qyshë para se i a nis fjalorit t'em. Ky âsht pjell'e asaj ideje. Ai fjaluer do të qe nji fjaluer orthografik pa spjegim kuptimesh, kurrgjâ mâ tepër. Ideja më pat lemë në nji bisedim me Djevat Kortshën në Bad aus See. Por në këtë mërgim, nji tufë rrethanash psykologjike u dhanë energjive të mija nji drejtim tjetër. Pa përsosun krejt nj'ato punë qi kam shpallë n'Abetarin, nuk mund t'i a nis nji tjetre, se drue mos të vijë dor'e akullt e dekës me m'i lânë të tâna pa mbaruem! Fjala mort s'bân, apo jo? Por veprën qi je tue më kshilluem ti e kam nat'e ditë ndër mênd ka mot, sikurse të thashë, e po më dha Zoti jetë, kurrgjâ tjetër nuk filloj para saj, si të kemë kryem këto punime qi kam nëpër duer. Janë bâmë deri tash nja nji duzinë miq e dashamirë qi s'prâjnë tue më ramë në qafë për kujtimet e jetës s'eme. Kurrgjâ s'më tërhjek mâ tepër se nji vepër themelore për gjuhën t'onë kombtare e orthografin'e saj. Kam pasë blemë në Vjenë nji VÖRTERBUCH für Rechtschreiben und Rechtlauten der Reichsprache von W, Trausel. Gjithsej 252 faqe. Diça kso dore kishte me u dashun edhe për shqipen. Ti qênke tue bâmë s'ka mâ mirë me jetshkrimin t'ând e Zoti t'a baftë mbarë. Ke për të na kënaqun me anekdote. E shkunda tash të tânë thesin. E Perëndija të dhashtë shëndet e gjithë të mirat me të tânë të tutë. Kam pranuem për gjuhën shqipe këto baza gati dogmatike: a) Dý të tretat e mâ të popullit shqiptar flasin gegnisht e pra themel'i gjuhës kombtare duhet të jetë ky djalekt. b) Tosknishtja, jo vetëm qi âsht gjuh'e nji të trete të popullit, por në shumë rasa i ka ruejtun mâ të plota se gegnishtja format e vjetra; prandej, pa e cenuem themelin e gegnishtes, duhet të ketë në gjuhën letrare pjesën e vet me gjithë ç'ka ruejtun mâ të shëndoshë se ajo. E tashti të kalojmë pak në çâshtje të gjuhës. Unë jam i mendimit qi - deri ku të mundemi - t'u lëshojmë pê Toskëvet, por pa e cenue natyrën e gjuhës.

Nuk ka komente: