10 qershor 2010

Parathanie e nji fjalori të panjohun Shqip-Gjermanisht, të profesorëve Karl Gurakuqi dhe Ndue Paluca.

Para pak kohëve, studiuesi shqiptar nga Republika e Kosovës, Magjistër Albert Ramaj (Karl Franzens Universität Graz), arriti të zbulonte në Graz, pas vitesh të tëra harrese dhe humbjeje, dorëshkrimin e një fjalori të rrallë, të profesorëve të nderuar Karl Gurakuqi dhe Anton (Ndue) Paluca, të shkruar në Austri, pas Luftës së Dytë Botërore. Fjalori është një vepër me vlera të pakrahasueshme studimore për pasurinë gjuhësore të përfshirë, për shpjegimet e thelluara leksikografike dhe vlerat praktike. Studiuesi Ramaj, me një korrektësi shembullor, informoi familjarët e njërit prej autorëve për këtë zbulim, dhe nëpërmjet revistës sonë kërkon t'i bëjë të njohur lexuesve shqiptarë pak nga përpjekjet e paepura të këtyre kolosëve të ndaluar, në hulumtimin e gjuhës e kulturës amtare nëpërmjet botimit të parathënies kuptimplote të kësaj vepre të pabotuar.

Ky material u përkthye në shqip prej gjermanishtes nga poeti shkodran me banim në Graz, Gjergj Kola.


Që në rininë tonë të hershme, ndërsa ne në shkollë, njiherësh me gjuhën e nanave tona, këtë apo atë gjuhë të huaj mësonim, na ra në sy pasunia e shprehjes e atyne të tjerave në krahasim me gjuhën tonë shqipe, e u ndjemë, në nji farë mase, si të lanun mbrapa prej popujve të tjerë; njiherësh na dogji dëshira që edhe gjuhën tonë, po njashtu të pasun e të njejtë, me e pa e me e ditë.

Dëshira jonë mori nji nxitje të fortë: ndërsa i mbysnim me pyetje mësuesit tonë, P. Pashk Bardhi e Mati Logoreci, gjatë minutave të pushimit ndërmjet orëve, mbi landët e ndryshme të jetës fshatare dhe malësore: mbi bujqësinë dhe blegtorinë, mbi zakonet dhe ritet, mbi ngjarjet e trishtueshme dhe të gëzueshme etj, të cilat në brëndësinë tonë, si qytetarë pra, kishin marrë ndikime të hueja në damtim të gjuhës shqipe, dhe në vend që të përdornim për to fjalët shqipe, përdornim nji të huaj (shpesh italisht). Patjetër që ne vinim prej hapsinave të pastra shqiptare, ku gjuha shqipe, larg prej ndërhymjeve të hueja, ruante pastërtinë ma të madhe. Mënyra e tyne mbi studimin e gjuhës së nanës zgjoi te na dëshirën për me e ba vetë nji punë të tillë: Nuk lamë të na ikte asnji rast, le të ishim në fusha, apo male, kudo ku na çonte rruga, e të mos interesoheshim mbi zakone dhe rite të banorëve vendas, e të mos merrnim në shënim fjalë e shprehje të ndryshme të panjohura ma parë prej nesh. Edhe ato pak shkrime që mund të gjeheshin në kohën e rinisë tonë, i studiuam me vullnet e vëmendje. Kështu u rrit çdo ditë fjalori jonë, e u forcue në né, ndjenja e gjuhës.

Me pamvarësinë e Shqipnisë (28.XI.1912), doli në dritë nevoja e arsimimit të popullit shqiptar, e njiheri u mblodhën nji grup i vogël i atyne burrave që kishin studiue jashtë vendit, e vendosi nji program arsimuer. U botuan gazeta, revista, dhe sidomos libra shkolle. Porse në këtë botë të re të shkrimit, nuk sundonte nji bashkim as përsa i përket gjuhës e as shkrimit.

Gurin themelor, mbi të cilin asht ndërtue gjuha e sotme zyrtare shqipe, e hodhën nëpunësit austro-hungarezë mbas pushtimit të Shqipnisë në Luftën e Parë Botnore (1914-1918). Në vitin 1916 u themelue në Shkodër nji Komisia Letrare Shqiptare, me qëllimin e bashkimit të gjuhës së përdorun dhe asaj të shkrueme. Në këtë Komision morën pjesë njohës të shkëlqyem, në kuptim shkencor të gjuhës, të tillë si Luigj Gurakuqi (Drejtor i Arsimit të Vendit), Dr. Gjergj Pekmezi, P. Gjergj Fishta, O.F.M (Poeti ma i madh shqiptar), Don Ndre Mjeda (Njohës i mësimit të gjuhës, nxanës i Gustav Mayer-it), P. Ambroz Marlaskaj, Prof. Sotir Peci, Prof. Hafiz Ali Korça, Mati Logoreci dhe dy nënshkruesit e kësaj parathanie. Ma vonë, u thirr si këshilltar, kërkuesi i gjuhës dhe profesor i filologjisë sllave Dr. Rajko Nachtigall, gjithashtu edhe Aleksandër Xhuvani (nxanës i Kristoforidhit), u thirr si anëtar i kësaj Komisie në Shkodër. Këtu u vendos njizani e foluna e Shqipnisë së Mesme, si bazë për shkollat dhe zyrat dhe si gjuhë letrare për mbarë vendin.

Nji meritë të madhe në arritjen e kësaj ngjarjeje historike, ka edhe miku i Shqipnisë zoti August Kral, i cili në atë kohë ishte Komisar Civil i vendit, me qendër në Shkodër.

Mbas Kongresit të Lushnjës (1920), ku Tirana u caktue si qendër e Qeverisë Shqiptare, Komisia Letrare vazhdoi veprimtarinë e saj në Ministrinë e Arësimit. Detyra e saj ma e randësishme qëndronte në hartimin e librave shkollorë dhe në mbledhjen e folklorit. Kjo ishte edhe epiqendra ku u rrit pasioni jonë si mbledhësa të gjuhës, aq ma shumë se Tirana ishte edhe hambari i shprehjeve të ndryshme gjuhësore shqiptare.

Kur u themelua në Tiranë Instituti Shqiptar për Shkencën dhe Artin (si fillesë e nji Akademie Shkencash), dhe ne u caktuem në të si anëtarë të qendrueshëm, dëshira jonë ma e zjarrtë ishte ajo që të realizonim nji fjalor, në të cilin të zinin vend fjalë nga të gjitha anët e vendit. Ne qoftë se kjo nuk u realizue, nuk asht faji jonë. Forca të errëta ishin përzie në këtë lojë, të cilat penguen këtë realizim kaq të çmueshëm dhe interesant.

Nuk asht se në këtë Institut nuk u krye ndonji punë e randësishme, veçanërisht përsa i takon studimit të para dhe mbrapashtesave të fjalëve mbi bazën e fjalorëve të paraqitun, sidoqoftë mbeti aty pa vemendjen e duhur, burimi i gjallë i thesarit të fjalorit të popullsisë së pastër të trojeve shqiptare të Veriut. Nji punë që ia vlen të përmendet ishte edhe largimi dhe zevëndësimi i fjalëve të huaja, aty ku ishte e mundun nëpërmjet nji shqipeje të pastër. Shumica e këtyne fjalëve ka zanë vend edhe në fjalorin tonë.

Kur në vjeshtë të 1994-ës mbrritëm në Vjenë, dhe simbas rrethanave që mori lufta, nuk patëm ma mundësi të ktheheshim në vendlindje, hymë në lidhje me intelektualë të Vjenës dhe kërkuam që, me ndihmën e tyne, të realizonim andrrën tonë mbi krijimin e fjalorit shqiptar. Mbeshtetësi i parë i punës sonë ishte albanologu shumë i njohun i rretheve shkencore vjeneze, Prof. Dr. Paul Kretschmer, President i Komisionit të Jugut, në Akademinë e Shkencave në Vjenë. Në takimin tonë me këtë intelektual të nderuar, ne shprehëm dëshirën dhe vullnetin tonë të mirë, mbi hartimin e nji fjalori shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip. Me këshilla dhe veprime na u gjend afër edhe Prof. Dr. Alois Schmaus, të cilin e kishim njohur në Vjenë dhe ishte shumë i entuziazmuem mbi idenë tonë. Prof. Dr. Schmaus, i cili flet nji shqipe të rrjedhshme, e prezantoi si shumë pozitive punën tonë përpara zotit këshilltar, Prof. Dr. Kretschmer. Mbas pak kohësh morën edhe aprovimin zyrtar për fillimin e punës, së cilës i hymë menjiherë. Ende s`kishim përpunue 500 fjalët e para të shkronjës "A", kur na lajmeroi zoti këshilltar se, sipas bisedës së tij me drejtorin e shtëpisë botuese të firmes Harasowitz, zotin Becker, ky i fundit kishte shfaqur gatishmëninë per botimin e fjalorit tonë. Njiherësh ai i kishte bà të ditun zotit këshilltar, që për sa i takonte pjesës gjermanisht-shqip të fjalorit, po punonte në të njajtën kohë edhe Prof. Dr. Max Lambertz, si ripunim mbi fjalorin gjermanisht-shqip të Marie Amelio Freiin von Godin, fjalor ky që ishte djegur nga lufta në Leipzig.

Me plot mirësjellje kishte kërkue Dr Becker, që të na propozonte me ia lanë Dr. M. Lambertz-it pjesën gjermanisht-shqip të fjalorit, e ku na, për qëllime shkencore ta përgatisnim pjesën shumë interesante shqip-gjermanisht të tij. Me këtë u arrit nji favor i dyfishtë: së pari do të mund të dilnin të dyja pjesët shumë më herët në dritë, dhe e dyta në bashkëpunim të ndërsjelltë me Dr. Lambertz-in, mund të arrihej bashkimi i nëvojshëm për paraqitjen e të dy pjesëve të fjalorit. Asht e vetkuptueshme se ne e pranuam këtë propozim, sepse e kishim njohur Zotin Dr. M. Lambertz në Shkodër, gjatë pushtimit austro-hungarez (1914-1918) dhe ishim miqësue më të. U vendos që të caktohej edhe nji vend i përbashkët pune në Vjenë, por për arsye të rrjedhojave të Luftës, nuk u arrit.

Kështu, ne hoqëm dorë prej përpunimit gjermanisht-shqip të fjalorit, dhe në fillim të vitit 1945 morëm në dorë pjesën shqip-gjermanisht të tij. Qëllimi ynë bazë ishte që të nënvizonim disa fjalë të huaja të fjalorit tonë, të cilat ishin të njohuna në gjuhën e popullit dhe në përdorim, e për këtë i pranuam edhe pse vendosëm pranë edhe fjalën e pastër shqip. Të gjitha ato fjalë që ishin vjetëruar e kishin dalë jashtë përdorimit, që nuk shkonin ma me shprehitë e gjuhës shqipe, përgjithësisht fjalë të huaja, nuk i morëm parasysh.

Me këshillen e Prof. Dr. Kretschmer, pranuam në fjalor disa fjalë të huaja të cilat, megjithëse nuk ishin në përdorim, prapseprapë kishin zënë vend në veprat e hershme. Si bazë dhe si masë për fjalorin tonë, morëm vendimet dhe arritjet e ndryshme të kongreseve të drejtshkrimit, ku gjuha zyrtare kishte Shqipninë e Mesme parasysh, por patjetër që i morëm në konsideratë edhe fjalë të tjera të gojës së popullit.

Si vepra konsultimi na sherbyen këto fjalorë:

1-Fjaluer i Rii i Shqypes-Bashkimi (1908 )

2-Dizionario Albanese-Italiano – P. Fulvio Cordignano S. J ( 1934 )

3-Dizionario Italiano-Albanese – P. Fulvio Cordignano S. J ( 1938 )

4-Etymologisches Wörterbuch der albanische Sprache – Gustav Meyer (1891)

5- Wörterbuch der Albanischen und Deutschen Sprache – Marie Amelie Freiin von Godin. ( 1914 )

6-Albanisch – deutsches, Deutsch – albanisches Wörterbuch – Prof. Dr. Gustav Weigand (1914 )

7-Fjalorth i Ri – D. Nikolle Gazulli (1941 )

8-Shkrimet e Albanologut të ndjerë Prof. Dr. Norbert Jokl i morëm në dorëshkrim nga Biblioteka Kombetare e Vienës.

Së fundi patëm në konsideratë edhe fjalët shumë te rralla të shqipes, si dhe fjalët e gjalla të popullit, duke u nisur që nga maja ma e largët e Veriut, e gjer në majën ma të largët të Jugut. Gjithashtu morëm në konsideratë edhe shumë shkrime në shqip.

Si anëtarë të Komisisë Letrare Shqiptare kemi vendosun edhe ne, së bashku me kolegë të tjerë, gurin bazë të gjuhës së sotme zyrtare shqiptare.

Si botues të librave shkollor dhe librave të ndryshëm, ishim ne njiheri edhe kontrollorë për botimet e të tjerëve.

Si anëtarë të Institutit Shqiptar për shkencë dhe art, kena pasë detyren që t`i zevëndësonim fjalët e huaja të fushës ekonomike e të arsimit, me fjalë shqipe që i përshtateshin shpirtit të gjuhës shqipe, si dhe kena krijue fjalë të reja (neologjizma). Shumë prej këtyne u pranuan njizani nga anëtarët e Komisisë. Fjalë të tilla gjenden në Fjalor, nën shënimin "Neo.Autor".

Gjatë punës kena ndjekë nji qëllim të dyfishtë: së pari, hartimin e nji fjalori të saktë e të pasun të paarritun deri tash, në të cilin kanë vend edhe ato fjalë që nuk njihen në krijimtarinë letrare; së dyti, t`i shërbejmë me vepra nevojave të arsimit, zyrave dhe rretheve gjuhësore shqiptare.

Së fundi, asht nji detyrim i kandshëm për ne me falenderue Akademinë e Shkencave Austriake, e cila duke i qendrue besnikë qëllimeve historike, kulturore dhe tradicionale, na e mundësoi punimin dhe botimin e veprës sonë.

Nji falenderim i veçantë i takon edhe albanologut, Prof. Dr. Paul Kretschmer, i cili na dha guxim në punën tonë dhe ishte i gatshëm për kontrollimin e saj. Falenderojmë gjithashtu edhe Dr. Karl Windischer, përfaqësues i Rrethit të Salzburgut, për gatishmëninë dhe mbështetjen morale që na dha.

Autorët
Anton Paluca Karl Gurakuqi
Salzburg. Maj 1947.
Perktheu nga gjermanishtja: Gjergj Kola, Graz, Dhjetor 1997.

Nuk ka komente: