10 qershor 2010

Pesëdhetëvjetori i Fjalorit "Bashkimi"

Pesëdhetëvjetori i Fjalorit "Bashkimi"

Kujtime të reja e të vjetra


Karl Gurakuqi, 1957


Instituti i Studimeve Shqiptare, Tirane 1942
(nga e majta): Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazer Shantoja)



Në Tiranë qênka mbajtë Kongresi i parë i "Lidhjes së shkrimtarvet dhe artistëvet të Shqipnis". Për katër ditë me radhë, prej 16 deri me 19 máj të vjetit 1957, pjesëmarrsit, secili mbas argumentit të paracaktuem e të kontrolluem, paskan çfaqë mendimet e veta se qysh u dashka përmirsue gjendja kulturore e vendit. Si për çudi, të gjith folsit, pa përjashtim, paskan rá në godi, tue dashtë me i a mbushë menden botës, se përpara se të vîjshin ata në fuqí, Shqipnija paska qênë në nji gjum të randë dhe se paska qenë nevoja e "partis së punës" për me e zgjue!

Çdokush, Shqiptár apo i huej, përpara këtij pohimi, padashtas shtërngohet të vîjë në ket përfundim: ase rinija shqiptare e sotme nuk e njef të kaluemen, apo nuk guxon të hapë gojën. Arsyetimi i parë nuk ká themel, pse mjafton të shkohet në Bibljothekën Kombtare të Tiranës, ku janë grumbullue libra, fletore, të përkohëshme, dorëshkrime, të sekuestrueme ndër istitute fetare dhe shtëpija private, e aty mund të preket me dorë prodhimi letrár i brezit të përparëshëm.

Nuk e kemi qellimin e polemikës, pse e dijmë mirëfilli se nuk i a vlen barra qirán; fjalët t'ona nuk mërrijnë aty ku duhej të mërrijshin. Nji gjâ vetëm duem me theksue, e këtê, për kënaqsin t'onë vetjake: gjendja kulturore e përparëshme ká qênë shum mâ e naltë se ajo e sotmja, prodhimi letrár i përparëshëm e kapërcen shumfish këtê të katërmbëdhetë vjetëve të fundit, në daç në pikëpamje të sasís, e në daç edhe shum mâ tepër, në pikëpamje të cilsís. Kjo gja mund të vërtetohet menjiherë, po të mirret në dorë nji çfardo bibljografije. Vetëm Fishta, ai i marruni nepër kâmbë na ká lânë të botuem katërdhetë libra, e çfarë librash! ..., njiqind e shtatëdhetë e mâ artikuj mjeshtrorë, të shpërndamë në dy´ revistat mâ të mira qi kà pasë deri sot Shqipnija, në "Hyllin e Dritës" e në "Lekën"; prej tij Fretnit kanë pasë si trashigim edhe tridhetë vepra tjera, të lânuna në dorëshkrim, njênën mâ të vlefshme se tjetrën. Të shfletohet për ket qellim numri 199-200 i "Hyllit të Dritës" e aty do të shifen plot 18 faqe të rrasta vetëm me emertimin e thjeshtë të vepravet të tija. Cili ndër Shqiptarë i ká këndue shqipes mâ bukur e mâ me afsh se Fishta? Do të mjaftonte lirika "Porsi kânga e zogut t'verës" për me i sigurue atij cilsín e poetit të dashunuem për vendin dhe gjuhën e vet, për t'a vû në krye të të gjith Shqiptarve, të vjetër e të rij, toskë edhè gegë.

Mbas kësaj parathânje, të vîjmë taní aty ku e patëm qitë cekën me dalë.

Në vjetin 1899, plot dhetë vjetë mbasi kishte kthyer nga mërgimi, Abati i Mirditës, Emzot Prend Doçi, themeloi në Shkodër Shoqnin "Bashkimi" me qellime kulturore-letrare. Rreth tij u mblodh ajka e klerit katholik shqiptár, Emzot Ják Serreqi, Emzot Lazër Mjedja, Don Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, At Pashk Bardhi, Don Mark Shllaku, Don Dodë Koleci e mâ vonë, i vetmi civil, Luigj Gurakuqi. Shoqnija i u vû punës me serjozitet, e mbrenda shtatë vjetve, përveç krijimit t'alfabetit, të njoftun me emnin "Bashkimi", i cili pat qênë pranue nga shumica e shkrimtarvet, botoi 32 vepra, ndër të cilat disá me rândësí të madhe, e qi edhe sot nuk e kanë humbë vleftën. Po përmendim, ndër tjera, librin e Don Ndoc Nikajt "Historija Shqipnís q'me fillesë e deri në kohë kúr rá në dorë të Turkut" (Bruksel, 1902. Ky âsht ai libri shqip, për të cilin na flet Fishta n' "Anzat e Parnasit", ku ankohet se nuk shitej: "Sot n'Shqipni, morè lum miku, - Histori âsht meteliku". Mos të harrohet në ket mes, se Don Ndoc Nikaj âsht auktori i ma se 30 librave shqip, të gjith me frymë kombtare, ndër të cilët nândë romana me mbrendí shqiptare. Shoqnija "Bashkimi" ká botue edhe dy blêjt e parë të "Lahutës" - Marash Uci dhe Oso Kuka -; prap kjo Shoqní ká shpallë librin "Vargnimi i gjuhës shqipe", shkrue nga Luigj Gurakuqi e botue në Napoli në vjetin 1906. Gurakuqi i a kushton ket libër, në peng nderimi, At Fishtës: ... "Edhè Shqiptarët ashtu, q'at herë qi ushtima - E Lahutës s'ate nisi me tingllue, - Shuen kângën të gjith e, sjellun kah Zadrima, - Zûnë me ndigjue". Fishta e Gurakuqi ishin shokë të pandamë, bashkëpuntorë të ngushtë në kulturë e në politikë.

Por vepra mâ e çmueshme, jehona e së cilës ndihet edhè sot, âsht, pá tjetër, "Fjalori i rí i Shqypes", qi simjet mbushë pesëdhetë vjetë. Emzot Doçi, edhe pse larg Atdheut, i ndjekun nga qeverija turke për ndiesít e tija atdhetare, pse kishte pasë marrë pjesë në kryengritjen në kohën e Dervish Pashës kundra vendimit të Konferencës së Berlinit për t'i a lëshue Ulqinin Malit të Zi, nuk pushonte së vepruemi për lavrimin e gjuhës, si mjeti mâ i pari për me zgjue Shqiptarët e me i përgatitë për vetqeverim. Ishte prandaj në marrëdhânje të papreme me njerzit mâ në shêj, sidomos me famullitarët e maleve. Udhëzimet, qi Emzot Doçi u jipte bashkëpuntorvet të vet, i a njoftonte me anë njerëzish të besueshëm Don Dodë Kolecit në Mirditë, të cilin Abati e donte dhe çmonte për zgjuesi mendjeje, për kulturë e për zotsi ndërmarrjeje. Qysh aso kohe Doçi e Koleci e kishin pasë qitë cekën të mblidhej pasunija gjuhsore e popullit të malevet. Per ket qellim famullitarët ishin të këshilluem t'i vîheshin punës me zéll. Secili, mbas zotsís së vet, mirrte shenime, mblidhte fjalë të rralla bimësh e pemësh, zogjsh e shtasësh, dikush tue u vû përbrî përgjegjsen italishte, ndokush tue i spjegue e ndonjêni tue u vû pranë përkthimin latinisht. Kështu punoi Don Prend Suli, Don Pál Trêshi, Don Mark Shllaku, Don Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi, të gjith antarë të Shoqnis së mâvonshme "Bashkimi".

T'ardhmen, si erdh në Shqipni Emzot Doçi, i falun nga qeverija turke me ndërmjetsin e Sekretarís së Vatikanit e të Patriarkut të Stambollit Azarian, i cili kishte hy dorzânës për tê se do të hiqte dorë nga kryengritjet, mendimi i parë i tij qe t'i përmblidhte këto fuqi të shpërndame e t'i bashkonte. Kështu zûni fíll prá Shoqnija e mirënjoftun "Bashkimi". Këshilli i Shoqnís në mbledhjet e para qi mbajti, vendosi merendimin e materjalit të Fjalorit. Kjo punë i u ngarkue Don Dodë Kolecit, i cili mund të quhet auktori i vërtetë i tij, pse ky e pat pjesën mâ të madhe të hartimit, të spjegimit apo të përkthimit të fjalëve në gjuhën italjane tue qênë se kishte pasë qênë pá e arsyeshme qi Fjalori të përpilohej në dy´ gjuhë, shqip-italisht.

Fjalori u botue në Shtypshkrojën e Jezuitvet në Shkodër, ku kjo vepronte për botim librash shqip me mbrendí mâ tepër fetare, qysh prej vjetit 1870, si mâ e vjetra shtypshkrojë në Shqipní. Nuk ká as emën auktori, as vjet botimi, as emën shtypshkroje, por në fund të parathânjes shofin ket shenim: "Parsimi i Shoqnís Bashkimit të Gjuhës shqype" e mâ poshtë: "Shkodër, 9 Kallnuer 1908". Fjalori përfshîn 538 faqe, secila në dy´ shtylla, përveç 12 faqeve tjera, të shenueme me numra romanë, dhe qi i paraprîjnë Fjalorit. Këto rrokin parathânjen, disá vrejtje mbí gërma e theksa, spjegimin e fjalvet të shkurtueme e mâ në fund bibljografín me katër emna auktorësh, Bardhi, Budi, Bogdani e Kristoforidhi.

Rândësija e këtij Fjalori âsht njoftë e njifet prej çdo albanologu. Kúr flitet për leksikografín shqipe, vendin e parë e zên "Bashkimi" me 14.000 fjalët e radhituna, pse përmbledh krejt pasunín leksikore të kohës para vjetit 1908, të qemtueme me kujdes e me kompetencë, përsá i lejojshin kohët, rrethanat dhe mjetet. "Kemi mbledhë - thonë në parathânje përpiluesit - mâ të shumën, sá ku kemi mujtë, t'atyne fjalëve sikurse fliten nepër qytete, fusha e male të së dashtunës atmes s'onë. Mbas këtyne, kemi pasë kujdes me shtî mbrendë edhè ato qi gjinden të shtypuna në libra, në fjalorë e në shkrime të të shndriçëmve dijetarve t'onë e të huejve, qi aq me zéll janë mundue me i dhânë shkëlxim e hijeshí gjuhës s'onë, sikurse Dom Pjetër Budi, Emzot Frang Bardhi, Emzot Pjetër Bogdani, Gustav Meyer-i, At Ják Jungg-u, Kostantin Kristoforidi, e disá tjerë të tashëm edhè mâ".

Simbas pohimit t'At Pashk Bardhit, qi ká qênë edhe sekretari i Shoqnís dhe qortuesi i provavet të shtypit, në fillim kishte qênë vendosë qi Fjalori të përfshînte edhè neologjizmat, e për ketë punë kishte qênë ngarkue ai vetë, por, mâ vonë, kishte qênë pjekë mendimi të hiqej dorë nga ato, pse nuk ishin endè të pjekuna sá duhet, nuk kishin marrë endè shtesín. Asht punue shum me mend, pse aso kohe çdo shkrimtár gazete, çdo njerí qi ngjyente pendën, i a kishte mbushë menden vedit se ishte gjuhëtár, se mund të krijonte fjalë të reja ashtu si i vînte për dore. Shpesh në shkrimet e atëhershme, por besa, edhè n'ato mâ të vonshmet, kemi vû ré sajime fjalësh të bâme kundra çdo rregulle së dijtunís gjuhësore. Na, në Fjalorin shqip-italisht, qi e kemi gatí për botim, i kemi shtî neologjizmat, por tue i shenue si të tilla, ndonsè shum prej sosh, të sajueme simbas natyrës së gjuhës, mund të kundroheshin si pasuní leksikore e fitueme.

Përpiluesit e Fjalorit "Bashkimi" thonë se "i a kanë pá gjasën me i lânë fjalët e qituna rishtas e të përbâme, për nji tjetër të shpallun mâ të peshuem". Po, e dij me siguri se do të bâhej nji botim i dytë i Fjalorit të Bashkimit, me shtesa e përmirsime; madjè kam pá me sy´t e mij nji kopje të këtij Fjalori të lidhun me aq faqe të zbrazta sá janë të shtypunat. Kjo kopje ishte pronë e At Bardhit, i cili shkonte tue i mbushë ato me fjalë qi me kujdes të posaçëm mblidhte andej e këndej nga goja e popullit apo nga faqet e libravet e të fletorevet.

Kanë kalue pesëdhetë vjetë nga botimi, por Fjalori nuk e ká humbë aspak vleftën e vet. Të gjith fjalorët tjerë qi janë botue mbas tij, e kanë marrë si themel, e kanë shfrytzue, dhe asnji s'ká mujtë me i a dalë në përpikní. Shkrimtarvet t'onë u ká hy në punë në përpilimin e vepravet të vet: Kolë Thaçi, Don Lazër Shantoja, Don André Zadêja, Ernest Koliqi, etj. e kanë pasë si ungjíll, e, kúr kanë dashtë me përforcue përdorimin e ndonji fjale së bukur e të rrallë, kanë theksue me krenari se akcilën fjalë e ká "Bashkimi", sikurse dojshin me thânë se nuk gjindeshin në gabim.

Jemi njerz e mund të gabojmë. Ndonji gabim u ká rrëshqitë edhè përpiluesvet të "Bashkimit", por këto janë gabime të falshme, qi mund të qortoheshin në botimin e dytë. Jemi të sigurtë se edhè atyne do t'u ketë rá në sy´ gabimi i faqes 113, ku fjalës fnyell i jepet kuptimi i këpuctarit, kurse don me thânë biz ase feme; gjithashtu se fjala gjetkëz nuk e ká kuptimin campo di patate (marrë qui pro quo nga Kristoforidhi), por vend ku mbyllen patat; do t'a kenë vû ré se fjala hamurik (f. 152) nuk don me thânë fame por talpa; po, do të kenë vrejtë, se; fjala këlcatës nuk i përgjigjet fjalës italishte cagnolino, por fjalës schizzetto, qi në Shkodër i thonë pushkaliqe e në ndonji krahinë tjetër: këllcacë, stërfyc, stërlagës, stërkitës, etj. I qofshin falë këto gabime!

Sot kanë vdekë të gjith ata atdhetarë, por na nuk i harrojmë. Në rasën e pesëdhetëvjetorit ulim gjûnin para vorrit të tyne, i kujtojmë dhe u japim fjalën se do të punojmë mbas gjurmavet qi na kanë lânë





Instituti i Studimeve Shqiptare, Tirane 1942

Nuk ka komente: