10 qershor 2010

ANTON HARAPI, NË THEMEL TË BINASË SHQIPNI - Shkruan: Elsa Demo Gazeta “SHEKULLI”

BesianaInfo 04 May. 2008 15:42

ANTON HARAPI, NË THEMEL TË BINASË SHQIPNI

Për herë të parë një simpozium shkencor për nder të 120- vjetorit të lindjes së Pater Anton Harapit. I ndaluar, i panjohur, i damkosur për 50 vjet. Një figurë që vazhdon të shihet me dritë-hije
Shkruan: Elsa Demo Gazeta “SHEKULLI”

Pater Anton Harapit

Për herë të parë një simpozium shkencor për nder të 120- vjetorit të lindjes së Pater Anton Harapit. I ndaluar, i panjohur, i damkosur për 50 vjet. Një figurë që vazhdon të shihet me dritë-hije

Instituti i Studimeve Shqiptare, Tirane (foto e vjetit 1942)
(nga e majta): Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazer Shantoja) Instituti i Studimeve Shqiptare, Tirane (foto e vjetit 1942)
(nga e majta): Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazer Shantoja)
Është hera e parë që për Pater Anton Harapit (1888-1946) bëhen bashkë kaq shumë zëra shkencorë të cilë pretendojnë shikimin e kësaj figurë nën dritën e fakteve, sidomos për periudhën e diskutueshme të rolit që ka pasur gjatë Luftës së Dytë Botërore si anëtar i Regjencës. Duket se simpoziumi i të shtunës, 3 maj, që do të mbahet në ambientet e Hotel Sheraton i ka marrë parasysh dhe i davarit hijet që vërtiten akoma rreth at Anton Harapit duke pasur për titull të takimit "Një jetë kushtuar Shqipërisë", dhe nën të, një shënim të zgjedhur nga vetë fjalët e françeskanit: "A e dini se çdo ndërtese i vihen temelet n‘dhe? Edhe n‘vorr në hyjshim duhet t‘jemi gurt e temelit t‘asaj binaje t‘cillen sot e quejm Shqipni".
Për të ndaluarin, të pabotuarin, për të quajturin "Armik i popullit" dhe "tradhtar", Instituti i Studimeve Politike "Alcide de Gasperi" ka ftuar në Tiranë t‘i përkujtojnë ditëlindjen e 120, studiues, shkrimtarë e gjuhëtarë. Ardian Marashi referon për përputhjen e vlerave shpirtërore me vlerat intelektuale tek At Anton Harapi; Kolec Topalli ndalet tek shqyrtimet etimologjike të fjalëve dhe formave të rralla në veprën e tij letrare; Kolec Çefa do të sjellë artikuj publicistikë të panjohur; Romeo Gurakuqi ka për të trajtuar anën më të diskutueshme të kësaj figure, pjesëmarrjen dhe rolin e tij në Regjencë; Gjovalin Çuni trajton doktrinën sociale të Kishës në ligjëratat e At Anton Harapit, kurse Arben Ndreca, problemet shqiptare; Raim Beluli sjell mbrojtjen që frati ka bërë kundrejt Akuzës Publike në Proçesin Gjyqësor; Ledri Kurti merr në analizëkodet etike, psikologjike dhe estetike që At Antoni ia merr në konsideratë kombit në veprën e tij. Këto janë shtjelluar në veprën e tij letrare dhe publicistike, ndër të cilat e rëndësishme është të përmendet "Vlerë shpirtërore" një seri konferencash që ai ka mbajtur në Korçë. Ja çfarë thuhet në njërën prej tyre, në vitin 1936: "Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e me besën e burravet, me besën shqiptare, të lidhemi për t‘i a mbajtë shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhé të lumtun, për ta bâm Shqipnin e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T‘i diftojmë, po, botës se shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e njiheri shqiptarë të njimendët".
Vepra më e arrirë e tij cilësohet "Andrra e Pretashit", roman psikologjik i botuar në revistën "Hylli i Dritës" më 1933-1940. Kjo vepër që ai ia pat kushtuar bashkëkohësit patriot Luigj Gurakuqi, ka për burim jetën dhe idealet e shqiparëve të krahinës së Grudës, ku Harapi shërbeu si famulltar në vitet 1918-19. U ribotua e plotë, si vepër postume në Romë më 1959. Ky roman është botuar në vitet e fundit në një vëllim më vete së bashku me novelën filozofike "Valë mbi valë" dhe "Vlerë shpirtërore". Më 1925 kishte shkruar "Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet". Për këtë kontribut të çmuar në kulturën e shkruar është cilësuar një nga filozofët françeskanë shqiptarë ndër më interesantët që përpunoi një tezë të tijën për kulturën kombëtare.
Anton Harapi u lind në Shirokë, Shkodër, më 1888. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe studimet e larta i kreu në Vjenë të Austrisë. Shërbeu si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjit Françeshkan në Shkodër, si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin "Illyricum" më pas, dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve.
Me 13 shtator 1943 u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Me këtë angazhimtë tijin në politikë do të lidheshin gjithçka dot‘i ndodhte pas lufte kur u detyrua të fshihej në pyjet e Dukagjinit. U kap në qershor 1945 dhe gati një vit më pas, më 19 shkurt 1946 me vendin të Gjykatës Speciale në Tiranë, pater Antoni do të shpallej kriminel lufte, armik i popullit, sabotator i pushtetit. Në procesin gjyqësor ai pat thënë: "Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë." Si fjalët e tij të fundit në gjyq kanë mbetur këto: "Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqe e Drejtësi do të fitohet."
U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit. Ja çfarë shkruan për fatin e At Anton Harapit më 15 shkurt 1946 një bashkëkohës: "Gati mbas nji vjeti torturash shnjerzore nëpër burgje, në Shkodër në fillim, mandej në Tiranë, Pater Anton Harapin e gjykuen për vdekje, pa kurrfarë fajit dhe dje paraditet e pushkatuen."
Shkrimtari e dijetari, filozofi dhe antikomunisti, autor i madhi shkollės letrare tė Shkodrës, i ndaluar dhe i damkosur për 50 vjet, ka rrugë akoma për të bërë. Njëlloj si disa autorë të tjerë, edhe ai, megjithëse është në themelet e binasë së traditës, është akoma i përjashtuar nga pasardhësit, nga fëmijët e baballarëve që i hoqën dikur me zor këta gurë themeli.
"Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë."






(nga e majta): Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazer Shantoja)

Nuk ka komente: