10 qershor 2010

Gentiana SINOJMERI, Arkivi Shqiptar, Viti 5, Nr. 1-2, 2004.

Gjatë viteve të pushtimit fashist, një prej ngjarjeve që meriton t' i kushtohet vëmendje e veçantë është krijimi dhe veprimtaria e Institutit të Studimeve Shqiptare, ëndërre kahershme e intelektualëve e patriotëve shqiptarë. Më 8 prill 1940 Sekretari i Pcrgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave miratoi krijimin e fondacionit "Skanderbeg" si dhe statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Sipas këtij statuti, Insituti i Studimeve Shqiptare kishte për qëllim t'i jepte hov e të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave e arteve. Të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si shëmbull kombet e përparuara të Europës, por duke ruajtur njëkohësisht dhe karakterin kombë'tar sipas mendësi ve dhe traditave më të mira kombëtare1.

Instituti ishte i organizuar në katër komisione kryesore dhe secili prej tyre kishte disa nënkomisione sipas shkencave përkatëse:
1. Shkenca morale e historike
2. Shkenca fizike, matematike dhe natyrore
3. Gjuhëdheletërsi
4. Arte

Instituti mbante në gjirin e vet 48 anëtarë të përjetshëm që formonin edhe Këshillin e Përgjithshëm me sekretar të përgjithshëm At Zef Valentinin. Kryetar i Institutit u zgjodh Ernest Koliqi2. Anëtarët e Institutit ishin figura të shquara të inteligjencies shqiptare, si EqeremÇabej, Aleksandër Xhuvani, At Anton Harapi, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Namik Resuli, At Zef Valentini, Dom Lazër Shantoja, Filip Fishta, At Justin Rrota, Ilo M. Qafëzezi, Anton Paluca, Xhevat Korça, Kol Kasmi, Ekrem Vlora, Ernest Koliqi, Sotir Kolea, Vangjel Koca, DhimitërBeratietj.3

Për të pasur një ide mbi përmasat intelektuale e patriotike të këtyre personaliteteve, do të mjaftonte të jepnim të dhëna biografike për vetëm disa prej tyre. Një ndër veprimtarët më me zë të këtij Instituti ishte At Anton Harapi, françeskan, i diplomuar në Austri në degën filologji-teologji, drejtor i gjimnazit françeskan "Illyricum" në Shkodër, krijues i grupit "Ora e Maleve", kryeredaktor i "Hylli i Dritës" si dhe bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit, si "Ylliria", "Arbëria", "Demokracia"etj.

Dhimitër Berati, i diplomuar në Bukuresht për shkenca politike dhe në Romë për shkenca juridike. Kishte përfaqësuar Shqipërinë e çështjen shqiptare në misione diplomatike në Itali, Francë, Bullgari, Rumani, Greqi, Jugosllavi.
Ernest Koliqi, i diplomuar në Universitetin e Padovës në degën e letërsisë. Fillimisht lektor i gjuhës shqipe në universitet dhe më vonë profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, Drejtor i revistës "Shkëndia".

At Justin Rrota, françeskan i diplomuar në Austri për filozofi-teologji. Mbledhës i palodhur i dokumenteve mbi Shqipërinë në arkivat e Venedikut, dhe një ndër gjuhëtarët më me zë të kohës.

Anton Paluca, figurë e njohur e arsimit shqiptar. I diplomuar në shkencat pedagogjike në Austri. Kishte qenë drejtor i Normales së Elbasanit, inspektor i studentëve shqiptarë në Austri, Çekosllovaki, Gjermani. Profesor në Liceun e Shkodrës dhe të Tiranës dhe autor i teksteve shkollore për shkollat fillore, të mesme etj.

Instituti i Studimeve Shqiptare kishte organin e tij propagandues, ku paraqisnin punimet e tyre shkencore anëtarët e tij. Ky organ titullohej "Gjuha Shqipe" dhe kishte kryeredaktor At Justin Rrotën.

Në vitin e parë të formimit të këtij Instituti u mblodh për herë të parë Kuvendi I i Studimeve Shqiptare, me arritjet shkencore të studiuesve, të intelektualëve në fushat e shkencave shoqërore. Vendin e parë dhe më të rëndësishëm e zuri arkeologjia shqiptare me rezultatet e gërmimeve të reja në Butrint, fillimet e gërmimeve në Golem (Shkodër), Koman, në rrugën "Egnatia", studimin e 4 kishave të Butrintit për periudhëm bizantine dhe kërkimet rreth kështjellave venedikase.

Pasiguria politike dhe sidomos mungesa e një legjislacioni për mbrojtjen e pasurisë kombëtare arkeologjike rrezikonte veçmas thesarin numizmatik, shqiptar, i cili kishte mundësi të grabitej mjaft lehtë. At Zef Valentini u përpoq ta shpëtonbte këtë thesar të paçmuar që po ikte nga Shqipëria. Por jo vetëm ky thesar. Dhimitër Berati shpalli alarmin se ikona të çmueshme shqiptare po zhdukeshin jashtë vendit, duke lënë pas një vend të zbrazët në historikun e ikonografisë shqiptare dhe si rrjedhojë e kësaj shteti duhej të merrte masa të forta për të ndalur këtë rrjedhje të traditave kulturore shqiptare.

Megjithë punën e lavdërueshme të studiuesve shqiptarë, përpara tyre qëndronte vështirësia e madhe, si për çdo studiues, mungesa e burimeve dokumentare. Deri në vitin 1940 në fushën e burimeve arkivore gjithçka ishte dokumentim i periudhës së Mesjetës. Për këtë periudhë historike ishin të pasura arkivat e huaja, si ato të Vatikanit, Napolit, Stambollit, Raguzës, Vjenës etj. Për këtë problem Kuvendi mori përsipër detyrën e mbledhjes së dokumenteve, si dhe botimin e një bibliografie4.

Drejtimi kryesor i punës së Institutit që në fillim ishte ai i botimeve e ribotimeve të veprave dhe kryeveprave të Rilindasve tanë si dhe intelektualëve më të shquar të botës shqiptare. Insituti në vitin 1942 botoi vëllimin "Opera Omnia", ku përfshiheshin veprat poetike e prozaike, ligjërata dhe polemika të Naim Frashërit dhe At Gjergj Fishtës5. Më 1944 Instituti botoi fjalarët e Buzukut, Budit, Bardhit si dhe veprat e Imzot Pal Skiroit6. Në një letër drejtuar Institutit, krahas përgëzimeve për punën e tij, Asdreni shprehte dëshirën që të gjitha veprat e tij, disa prej tyre dorëshkrime dhe të panjohura, të botoheshin nga ky Institut, duke pasur parasysh nivelin e lartë intelektual të këtij Instituti.

Gjithashtu, në vitin 1940 me kontributin e Terenc Toçit, Instituti botoi veprën me karakter kritik "Shqipëria 1937"7.

Një angazhim serioz i anëtarëve të tij ishte përgatitja për botim i dy antologji ve të prozës dhe poezisë të autorëve të mëdhenj të letrave shqipe, si At Gjergj Fishta, Asdreni, Anton Zako Çajupi, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Mygjeni, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi etj., si edhe botimi i antalogjisë folkloristike, sintezë e shpirtit popullor shqiptar8. Në vitin 1940 Instituti përgatiti për botim katër monografi të Ilo Mitkë Qafëzezit.

Një punë serioze u krye nga gjuhëtarët profesor Aleksandër Xhuvani, profesor Karl Gurakuqi, profesor Anton Paluca dhe At Zef Valentini për botimin në vitin 1942 të Fjalorit Terminologjik të Gjuhës Shqipe. Në vitin 1942, dr. Aleksandër Sirdani, me ndihmën e Institutit boti veprën "Frazeologjia Shqipe".

Instituti Studimeve Shqiptare, në vitin 1940, me iniciativën e z. Petraq Pepo, përgatiti konferencën e titulluar "Shqipëria dhe banorët e saj gjatë periudhës proto-historike". Insituti i Studimeve Shqiptare mori përsipër të mbledhë dhe botojë çdo dokument e çdo dëshmi ose vepër të shkruar nga të huajt për të drejtat e kombit shqiptar, për origjinën e kulturën e tij. Në këtë kuadër, me nismën e tij u botuan veprat "Arkiv për letërsi shqiptare, gjuhe dhe entologji", "Biologjia e kombit shqiptar" e dr. Milan Shuflait, "Gjuha shqipe dhe ilire" e Desider Izegh, si dhe publicistikë kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga historianë dhe shkrimtarë të huaj9. Instituti i Strudimeve Shqiptare grumbulloi punimet shkencore të studiuesve mbi visete ndryshme shqiptare, historinë dhe folklorin e tyre. Si studime rreth folklorit muzikor shqiptar, studime rreth toponomastikës shqiptare, studime mbi stacionet klimatike, ujrat minerale si dhe mbi mjeksinë popullore.

Komisioni i historisë dhe shkencave morale një rëndësi të veçantë u kushtoi figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si Sami Frashëri, Hoxha Tahsim, Mustafa Qemali, Namik Qemali, Koçi Bej e Riza Tefiku, të njohur jo vetëm si patriotë brenda vendit të tyre, por edhe si reformatorë të Turqisë. Po kështu u radhitën emra të shumtë njerëzish të shquar me origjinë shqiptare në vende të ndryshme të botës, si në Itali, Gjermani, Greqi, Rumani, Egjipt, të cilët Instituti mori nismën për t' i njohur mbarë publiku shqiptar dhe për të rritur kështu natyrshëm krenarinë kombëtare. Kështu u bënë publikime lidhur me personalitete të shquara të jetës politike italiane, si Francesko Crispi, Domenico Mauro dhe regjimenti i forcave garibaldine "Giuseppe Pace" i formuar nga shqiptaro-italianët, i vlerësuar shumë për kontributin e tyre për lirinë dhe bashkimin e Italisë; për familjet e shquara shqiptare të vendosura në Itali, si ajo Kastrioti, Doda Vallauri, Albani, Gazuli etj. Veçanërisht u vu theksi në këto publikime se shqiptarët i kanë dhënë Papatit 5 papë, ndër të cilët Papa Klementi II ka qenë Papa më i suksesshëm i deri atëhershëm në historinë e Papatit.

Instituti gjatë punës së tij studimore rëndësi të veçantë i kushtoi pastërtisë së gjuhës shqipe. Në përfundimin e vitit të parë të punës, Komisioni i Terminologjisë nxori në qarkullim 100 fjalë shqipe që zëvendësuan fjalët e huaja në përdorimin e përditshëm10.

Gjithashtu me nismën e Institutit u bë në vitin 1940 emërtimi i ri i rrugëve, shesheve të kryeqytetit, duke pasur si kriter datat historike për Shqipërinë, emrat e dëshmorëve kombëtarë të personaliteteve shqiptare në fushën e politikës, ushtrisë, letrave, artit e fesë, si dhe emrat e të huajve që i kanë shërbyer kombit shqiptar11.

Instituti i Studimeve, krahas punës studimore, mori përsipër dhe ndërtimin e një Muzeu Shqiptar të Shkencave Natyrore, i cili do të përmblidhte një koleksion zoologjik, një erbarium të florës shqiptare, si dhe një koleksion të mineraleve dhe fosileve që ishin zbuluarderi ato vite. Ky muze u ndërtua dhe u drejtua nën kujdesin e prof. Sabiha Kasimati. Më 1944 Instituti i Studimeve Shqiptare, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Popullore, Ministrinë e Arsimit dhe atelienë fotografike "Marubi" arritën krijimin e një arkivi fotografik dhe hartografik shqiptar, pronë e këtij Instituti dhe u përpoqën për pasurimin e tij.

Në korrik 1944 Instituti, krahas riorganizimit të tij, pranoi në gjirin e vet shumë intelektualë të kohës, si Fan Noli, Myt'hat Frashëri, Ali Asllani Kristo Floqi, Krist Maloki, Dom Ndoc Nikaj, At Pashko Bardhi, Hasan Dosti, Hamdi Sulçebe, Hamit Kokalari, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Odise Paskali, Rexhep Krasniqi, Vedat Kokona, Arshi Pipa, Dede Gostani, Gasper Shoshi, Gjelosh Luli, Gjush Sheldia, Llukë Karafili etj.

Në fund të vitit 1944, Instituti i Studimeve Shqiptare ndërpret veprimtarinë e
tij. Në vitin 1946 me vendim të Qeverisë Shqiptare krijohet Instituti i Shkencave me një strukturë të përafërt me atë të Institutit të Studimeve Shqiptare në gjirin e të cilit punonin një pjesë e mirë e ish-anëtarëve të atij Instituti.

Me gjithë jetën e shkurtër (1940-1944) Instituti i Studimeve Shqiptare kreu punë kolosale në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare, duke pasur parasysh edhe vështiresitë e mëdha ekonomike të asaj kohe, por duke u mbështetur në atdhetarizmin e madh të anëtarëve të vet si dhe të gjithë inteligjencies shqiptare të asaj kohe. E megjithatë kjo nuk e pengoi aspak pushtetin popullor të pasluftës për të denigruar dhe dënuar deri në fund tragjik shumë anëtarë të Institutit. Studimet e tij i paraprinë punës shkencore të mëpasshme të Akademisë së Shkencave.

Nuk ka komente: