10 qershor 2010

Gazmend Bërlajolli

Në nji artikull të paradokohshëm të Kristina Jorgaqit titullue “Mistifikimet mbi standardin dhe rolin e gegërishtes” (Shekulli, 17.12.2007), mënyrën e përcaktimit të standardit gjuhësor të shqipes autorja e vesh pikërisht me misticizma. Ajo rreket me na mbushë mendjen, maje tanash, se tosknishtja e paskish pasë të siguruem statusin e dialektit bazë të gjuhës standarde qysh prej periudhës së Rilindjes, sa me të bindë se edhe pa orientimin krahinor që ia caktoi nomenklatura komuniste rrjedhës të shqipes, fati që do ta ndiqte standardizimin paskish qenë tashma i paracaktuem. Dhe nji ndër spjegimet që ajo na jep, asht se tosknishtja arriti me u sintetizue në nji koine, ndërsa gegënishtja mbeti e përdegëzueme në dy variante të ndame, atë veriorin, shkodranishten, dhe jugorin, elbasanishten. Të ndalemi nji fije këtu. Ky argument asht ndër pjesët ma të stërpërsërituna të metarrëfimit komunist mbi fatin e standardizimit të shqipes, sado që kurrnjiherë nuk asht dhanë ndonji studim bindës për divergjencat kryesore mes shkodranishtes dhe elbasanishtes e që do të mjaftonin me i cilësue ato si dy variante vërtet të panjajtësueme. Mirëpo, çka gjejmë po i hymë zhbirilimit të këtij ‘bigëzimi’ kaq fort të trumpetuem? Ajo që do të na interesonte në veçanti, asht me ditë se në ç’rrugë vojti lavrimi i gegënishtes në Shkodër mbas miratimit të rregullave të Komisisë Letrare (1916-18) kur gegënishtja jugore miratohet si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar. A e mbështesin studiuesit e mirëfillë idenë e dallimeve të llahtarshme mes dy varianteve të gegënishtes edhe ma tej?

Kësodore, në nji kontrastim të thukët që i ban lulëzimit të variantit të shkruem të Shkodrës, ose shkodranishtes, me vernakularin e folun të këtij qyteti, ose shkodrançen, Selman Riza konkudon: “Pjerrja e gjuhëtarëvet dhe shkrimtarëvet Shkodranë drejt shpërshkodranizmit dhe panshqiptarizimit të tyne shpjegohet, sikurse vuna në pah parandej, prej bindjes se letrarishten e njâjtë për krejt Shqipninë do ta bajë të mundëshme vetëm një gegënishte fort e afëruene prej toskënishtes dhe prej rrethanës se shkodrançja qindpërqindshe ka ndodhë fort larg prej kësaj… Kjo evolutë e shkrimtaëvet dhe shkrimtarëvet Shkodranë implikon që këta për hir, pa dyshim t’interesit kombtar por edhe t’interesit vetiak… kanë heqë dorë një herë e mirë prej partikularizmës regjionale shenjimisht prej pretezës që tejshkrimi i shkodrançes të përbajë letrarishten e Gegnisë. Kjo evolutë implikon gjithashtu se letrarët shkodranë pranojnë me bashkëpunue në sendërgjimin e shkallëshkallshëm të letrarishtes së Shqipnisë tue u kënaqë me i sigurue dialektit të tyne vetëm pjesëmarrjen e meritueshëme”. Pra ndryshe prej normativistëve të periudhës komuniste, dhe siç po shihet, nxanësve të bindun të tyne, Riza konkludon se shkodranishtja “shpërshkodranizohet” për hir të interesave ma të mëdhaja, tue u shpërla prej idiosinkratizmave me qëllim të qartë që t’i afrohej shqipes së përgjithshme.

Madje, edhe në e përqafofshim për nji timtë krejt si të mirëqenë argumentin e egzistimit të dy varianteve të panjajtësueme të gegënishtes, pra të shkodranishtes e t’elbasanishtes, nuk mundemi me ardhë kurrqysh, tue ndjekë fillin e të gjykuemit logjik, te përfundimi i stërpërsëritun i metarrëfimit të periudhës diktatoriale, të cilin na e risjell Jorgaqi të kopjuem copë, me fjalë të tjera, gjoja-argumentin se ky ‘bigëzim’ i gegënishtes qenka ndër arsyet që i paskan dhanë krah brofjes së toskënishtes si gjuhë zyrtare kombtare. Nuk ka kurrfarë logjike me vazhdue me ngulmue se meqë na qenka sintetizue në nji koine të vetme mbrenda truellit të vet, tosknishtja duhej të imponohej vetiu si gjuhë shkrimi edhe mbi gegënishten jugore edhe mbi atë verioren, sidomos kur kjo e mbrama kish traditën vetjake ma të vjetër e ma të larmishme. Tekembrama, kushdo që mendon shqiptarisht, i vumë para tri variantesh garuese për nji gjuhë shkrimi kombtare, e para veriore, e dyta e mesme dhe e treta jugore, kish me ia shque menjirend variantit të mesëm atributin pë ta përmbushë ma së miri e ma së drejti këtë zyrë.
Kështu, ç’asht e drejta, edhe ndodhi. Vetëm mbas përcaktimit të nji alfabeti të përbashkët më 1908, iu hap rruga punës konkrete për përcaktimin edhe të nji gjuhe të përbashkët kombtare. Pra, kjo nuk ishte ndërmarrje që u krye në kohë të Rilindjes, kur ende nuk ish zgjidhë as edhe çashtja e nji alfabeti të njisuem kombtar. Rilindasit e shumta mbështeteshin dhe mbindërtonin mbi dialekin e krahinës së vet, porse pikëpamjet e tyne konvergjonin drejt idesë së nji gjuhe mbarëkombtare të ndërmjetme. Kështu, po e zamë, Sami Frashëri — me përgatitje prej filologu — shprehej në favor të nji gjuhe qendrore, ndonëse pa e specifikue konkretisht të folmen e Elbasanit. Ai ngulmonte që kryeqyteti shqiptar të themelohej diku në qendrën e Shqipnisë dhe se gjuha që do të zhvillohej nga banorët e tij, të cilët do të vinin nga çdo vis i Shqipnisë, do të përbante bazë të shëndoshë për ni gjuhë të përbashkët standarde.
E mbledhun në Shkodër për dy vjet pune intensive (1916-18), Komisia Letrare e Shqipes (KLSh), në përbamje të të cilës krahas shkodranëve si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, At Vinçenc Prendushi, Dom Ndre Mjeda etj., ndodheshin edhe gjakovari Anton Paluca, elbasanasit Aleksandër Xhuvani, Josif Haxhimima, korçarët Hafiz Ali Korça e Sotir Peci, Sali Nivica nga Kurveleshi, si dhe albanologu austriak Maximilian Lambertz e ai slloven Rajko Nachtigall, vendosi të parin variant zyrtar të shqipes, me qëllim të përafrimit të “të dy gojëve të shqipes”. Komisia, shkruen Luigj Gurakuqi, mis (pjesëmarrës) i saj, zgjodhi për bazë së gjuhës së përbashkët dialektin e Elbasanit, “tue qenë se dialekti i Elbasanit edhe ndën pikëpamjen e formavet, por sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si nji urë në mes të toskënishtes e të gegënishtes”. Aleksandër Xhuvani, i cili si njohës i elbasanishtes do të ndihmonte për ta sendërtue gjuhën e zgjedhun, e konfirmon rolin që pati KLSh për sheshimin e dallimeve mes shkodranishtes e elbasanishtes: “në mbledhjet e asaj Komisie ku ata marrë pjesë edhe unë, duel çashtja e formimit të nji gjuhe të përbashkët shkrimi dhe si bazë për këtë punë u vendos që të merret gjuha e Shqipnisë së mesme dhe ma fort ajo e Elbasanit. Për këtë qëllim ajo Komisi vu disa rregulla për shkrimin e gjuhës. Këto rregulla kishin për qëllim që të afroshin shkrimin e dy dialekteve dhe këto patën influencën e tyne mbi shkrimin e pastajëm të gjuhës e sidomos të gegënishtes”. Pra, studiues që përfaqësonin vise të ndryshme shqiptare, bashkë me kolegë albanologë të huej, nuk kishin arritë me e kapë “rolin mbizotnues të toskënishtes” gjatë periudhës rishtazi të përfundueme të Rilindjes. U desh të vinte nji periudhë me orientime totalitare, e për ma shum partikulariste, për ta mbjellë këtë besojmë, e cila, me sa shihet, ende dhe kryefortësisht, po ngulmon.

Jo rastësisht zadhanësit e metarrëfimit diktatorial, sikurse asht rasti me artkullin e Jorgaqit fjala vjen, e kapërcejnë krejt periudhën prej Komisisë Letrare të Shqipes (KLSh) e deri në vitet e para mbas LDB-së, kur vendimet e KLSh-së ishin fuqizue dhe kishin nisë me u shtri edhe ndër viset jugore, sidomos ndër shkresa zyrtare e botime didaktike, megjithëqë jo – dhe fatmirësisht — në letërsi. Asht e kuptueshme se pse diktatura stisi metarrëfime të tilla që do ta përligjnin imponimin e dialektit të elitës së rishtkrijueme: ideologjitë janë gjithnji të mbarsuna me këso metarrëfimesh. Nuk kuptoj pse sot, kur kjo ideologji do të duhej me qenë e perëndueme, duhet me vazhdue shumfishmi i sajesave të saj, përveçse për me e zgjatë privilegjimin krahinor të mundsuem prej kësaj politike, tue i shpërfillë, njikohësisht, ankesat në shtim të qendrave veriore si Shkodra e Prishtina, interesat ma të gjanë kombtarë dhe realitetet që po i krijon, për herë të parë, komunikimi i shlirë e gjithnji ma i dendun i shqiptarëve prej të tana viseve, si dhe prirjet vetërregullese që po i përfaq gjuha e kryeqytetit shqipar, Tiranës, ku kanë zanë ma në fund të ndeshen prumjet gjuhësore të shqiptarëve prej nji gjeografie të gjanë shqiptare dhe madje kurrnjiherë ma parë të dëshmueme (sado që ende me nji mungesë të ndjeshme të varieteteve prej jashta kufijve administrativë të Shqipnisë).
Edhe projekti i zhdrivilluem prej Selman Rizës, para këtij standardizimi aktual të shqipes, për nji “pangegënishte letrare” asht nji përpjekje tjetër, ani që paksa e ndryshme, në të njejtin hulli – me i qëmtue format e nji shqipeje mbarëkombtare të ndëmjetme. Simbas tij, pangegënishtja ishte “nji gegënishte letrare, që asht jo motra binjake as madje motra ma e madhe, por nana si e ndëngegënishtevet të ndryshme ashtu edhe e vetë toskënishtes letrare… gjithë së këndejmi tagri (i saj, G.B.) me u ba qysh sod gjuha zyrtare e Shtetit Shqiptar, kurse ma vonë, në një t’ardhëshme jo gjithaq të largtë, edhe diç ma shum se vetëm kaq”. Pra, jo vetëm misët e KLSh-së dhe gjuhëtarët e periudhës së Luftës së Parë Botnore, por as Selman Riza në periudhën e Luftës së Dytë Botnore, nuk e hetonin këtë “mbizotnim të toskënishtes në periudhën e Rilindjes”, aq ma pak të njatij “kontributi thelbsor” që paskish pasë dhanë “Albania” e Konicës.
Xhuvani e Riza, që Jorgaqi me shum të tjerë zadhanës të metarrëfimit diktatorial i rreshtojnë ndër përkrahësit e standardizimit aktual të shqipes, ndërruen orientim vetëm mbas urdhnave të premë të të gjithpushtetshmes parti-shtet. Nuk më duket prandaj punë me mend me i trashë mistifikimet lidhun me standardizimin e shqipes mbas LDB-së tue i dhanë atij përmasa kulturore e historike që kurrë nuk i ka pasë, sidomos kur fakti që diktatura komuniste e përcaktoi orientimin zhvillimor të standardit të shqipes ma nuk asht as e panjohun as nuk përban asfarë tabuje. Madje, gjuhëtarja amerikane Janet Byron, të cilën Jorgaqi & co. po ashtu mundohen më kot me e rreshtue krah mistifikimeve që bajnë për shtegun e standardizimit, asht në fakt e para që bani lidhjen mes përkatësisë krahinore të klikës komuniste dhe vendosjes së toskënishtes në bazë të standardit gjuhësor mbas LDB-së. “Shumica e udhëheqësve që rrëmbyen pushtetin ishin toskë; gegët kishin luejtë rol të parandaësishëm në lëvizjen komuniste. Për ma shum, krahina veriore gegënisht-folëse ishte bastion i katolicizmit, dhe prandaj u diskreditue … Më 1952, Lidhja e Shkrimarëve Shqiptarë, grup intelektualësh i kontrolluem prej partisë, mori vendim se toskënishtja duhej me qenë i vetmi dialekt i përdorun në publikime” nënvizon J. Byron në studimin e vet mbi standardizimin e shqipes.

Pra, epërsia e tosknishtes nuk vjen fare nga koha e Rilindjes – ajo vjen si nji imponim partiak i nji klike udhëheqësish me përkatësi krahinore prej jugut që rrëmbejnë pushtetin dhe imponojnë mbas mirakandeve të tyne, dhe kjo e vërtetë nuk ka nevojë për kurrfarë mistifikimesh. Kjo, tekembrama, asht argumentue bindshëm edhe prej gjuhëtarësh të tillë të mirënjohun si Bahri Beci e Rexhep Ismajli. Apologjistët e këtij lloj standardizimi kanë përgjegje të gatshme edhe këtu, që sërishmi na vjen e përsëritun prej Jorgaqit: “kështu ka ndodhë në të tana gjuhët e rruzullit – njani dialekt asht vu për bazë të gjuhës kombtare”. Merren, rëndom, për ilustrim, shembulli i frangjishtes, ose i italishtes, anglishtes britanike a ndonji tjetër. Mirëpo, bota njeh praktika të tjera sandardizimi që apologjistët nuk na i përmendin kurrë. Norvegjishtja, fjala vjen, njeh dy gjuhë standarde paralele, nji i quejtun bokmål, që bazohet deri diku në shqiptimin norvegjez të danishtes nga koha kur Norvegjia ndodhej në pushtimin danez; i dyti, i quejtun nynorsk, asht i bazuem mbi krahasimin e dialekteve të ndryshme norvegjeze. Të dyja variantet standarde gëzojnë përdorim publik e përkrahje të njilojtë qeveritare. Gjermanishtja standarde buron jo prej nji dialekti tradicional të nji krahine të caktueme, por asht zhvillue si gjuhë e shkrueme nëpërmjet nji procesi disashekullor, në të cilin shkrimtarët përpiqeshin me shkruejtë në nji mënyrë të kuptueshme për nji areal sa ma të gjanë dhe deri nga viti 1800 germanishtja standarde, thueja kryekëput, ishte gjuhë veç e shkrueme. Në atë kohë, gjermanët veriorë që folnin dielekte që konsideroheshin të ulta dhe shum të ndryshme nga gjermanishtja standarde, e mësonin atë gati si gjuhë të huej. Ma vonë ishte shqiptimi verior ai që nisi të konsiderohej standard dhe u përhap drejt jugut. Anglishtja amerikane nuk njeh nji variant standard të zyrtarizuem, porse shqiptimi i përgjithshëm amerikan konsiderohet jozyrtarisht si gjuhë standarde, sepse prej shumicës së amerikanëve konsiderohet si “anglishte pa theks”. Nuk asht pra se “i gjithë rruzulli” ndjek modelin e imponimit të nji dialekti mbi tjetrin. Linguisti amerikan Einar Ingvald Haugen e nënvizon mirëfilli problemin e standardizimit me favorizim të skajshëm të nji dialekti: “me e zgjedhë nji varietet të vetëm si normë d.m.th. me e favorizue grupin e njerëzve që e fol atë varietet. Kjo u jep prestigj si bartës të normës si dhe epërsi të dukshme në garën për pushtet e pozita”. Për ma shum – kisha me i shtue këtij vrojtimi – i ven në pozita të palakmueshme, tue i ba pre përbuzjesh e tue i veshë me komplekse inferioriteti, folësit e varieteteve të tjera, me çka nisin e rrallohen jo vetëm trajtat e fjalëve dhe fjalët që devijojnë prej variantit standard, por nën trysninë e standardit, nis e vdarren visaret gjuhësore, e gjithë begatia frazeologjike e shpirtnore, tue rezultue kësisoj me nji vorfnim të vetë gjuhës kombtare. Kjo nuk duket se i shqetëson aspak protagonistët e standardizimit të periudhës komuniste, e me ç’po shihet, as dishepujt e tyne.
Po ashtu, tue e ditë se modelet standardizuese diktohen prej rrethanave specifike të kulturave të ndryshme, dhe të përballun me nji realitet si ky i joni shqiptar, ku kategorizimet Gegë e Toskë vazhdojnë me qenë të gjalla e madje tejet të ndjeshme edhe sot e kësaj dite, asht punë e pamend me i vazhdue politikat pajambajtëse të periudhës diktatoriale në fushë të planifikimit gjuhësor, që ma vonë do të munden me çue në përçamje edhe ma të thella. Argumente të tilla si “kështu e ka i gjithë rruzulli” janë të vagëta kundrejt damkës së “të njollosunit” që ta mvesh ky standardizim përjashtues, e për ma shum, kundrej vorfnimit që pason nga rrekja për shlyemjen e njikësaj damke. Vetë natyra e realitetit shqiptar asht e tillë që e parapëlqen modelin e ndërveprimit të dialekteve, jo imponimin e drejtpërdrejtë të njanit mbi tjetrin, dhe ky asht modeli që do të duhej me ndjekë planifkimi gjuhësor i t’ardhmes.
Fatmirësisht, mtesat e sotme të gegënishtes letrare nuk janë për kthim në gjendjen e dy varianteve gjuhësore. Ato rreken me e zhveshë këtë varietet gjuhësor prej kategorizimit si variant i ulët (loëë) e me ia zgjanue asaj prestigjin prej nji substandardi (high) - të cilin, simbas Rexhep Ismajlit, Imri Badallajt, Ledi Shamku-Shkrelit, Mehmet Elezit, Shkumbin Munishit e gjuhëtarëve të tjerë që po ia trajtojnë mëkambjen, gegnishtja letrare vazhdon me e gëzue me gjithë grushtat e randë që mori prej diktaturës. E gjithë kjo me qëllim që të mos munden me u shpërfillë, në planifikimet gjuhësore të t’ardhmes, prumjet prej variantit të gegnishtes letrare. Dhe, me sa duket, mospajtimi sot s’ka të bajë me vetë prestigjin prej substandardi të gegnishtes letrare, por me hapësinat gjeografike në të cilat ky variant letrar perceptohet si substandard. E, kuptohet, pika ma e nxehtë e kësaj hapësine mbetet Tirana. Me këshillën prindore që u jep shqiptarëve të “Republikës së Shqipnisë” për ta zbatue me përpikmëni standardin aktual në mjedise publike, Jorgaqi pa dyshim rreshtohet përbri atyne linguistëve që refuzojnë me i njohtë status substandardi gegnishtes mbrenda territorit të shtetit shqiptar, e ma së forti, mbrenda Tiranës, në nji kohë kur prania e elementeve të gegnishtes ka nisë me u ngulitë në varietetin e vetërregulluem të gjuhës së kryeqyetit shqiptar, por edhe të gjuhës së komunikimit gjithnji e ma të dendun Prishtinë-Tiranë, dy kryeqendrave ma rrezatuese të kulturës shqiptare. A me vazhdue me shpërfilljen e këtyne zhvillimeve në emën të “detyrës së padiskutueshme për respektimin e standardit”?
Ankesat që vijnë nga adresa kijuesish e studiuesish gegë, kur të spastrohen prej vijave nervoze të lapsit që ndojherë i shoqnojnë, del se përqendrohen kryesisht në paskajoren dhe fjalësin e gegënishtes. Ndonëse apologjistët e standardit aktual përgjithësisht tmerrohen prej idesë së përfshimjes së paskajores gege, ajo çka e shquen Jorgaqin prej kolegëve të vet të të njejtit taborr asht se, ndryshe prej tyne, që nemose deklarativisht pranojnë mundësinë për hapje ma të madhe ndaj fjalësit verior, ajo çashtjen e dialekteve e quen krejt “të tejkaluem”. Nëse me këshillën e Jorgaqit e quejmë të mbyllun çashtjen e dialekteve, tue e ulë kësisoj qëllimisht variantin letrar gegë në varietet thjesht dialektor, dhe në planifikimet e ardhshme gjuhësore bazohemi veç në zhvillimet e mbrendshme të standardit aktual, do të detyrohemi me i pranue të tana evolutat partikulariste të nëntosknishteve krahinore që po shquhen përherë e ma fort në përdorimin empirik të standardit, sa t’ardhuna drejtprërdrejt prej toskësh që i fusin tue mos shque dallime të ndjeshme mes vernakularit të tyne dhe standardit, sa prej gegësh që i shkërbejnë në përpjekjen e tyne për ta përvetësue atë si gjuhë prestigji, të gjitha këto të shoqnueme me spastrimin, përherë e ma të madh, të çdo elementi të standardit që po perceptohet si “skajshmënisht gegë”. Kësodore do të mbylleshim edhe ma tej në fortesën standard, tue e malcue ma tej gjendjen, ndërkohë që ankesat prej arealeve veriore po vijnë tue na u shtue. Aq ma pak mundemi me e sanue gjendjen nëse ngulmojmë, sikurse Jorgaqi, me e vazhdue me e vu shenjën e barazimit ndërmjet nocioneve “gjuhë standarde” dhe “gjuhë letrare”. Më bahet mue, se shtegdaljen mundemi me e gjetë pikërisht në zhdrymjen dhe ridimensionimin e “gjuhës letrare”. Nëse “gjuhë standarde” asht ai varietet gjuhe që gëzon nji status ligjor (ose pothuejse ligjor) dhe që promovohet ndër shkolla e administratë e media (sidmos të shtypuna), “gjuha letrare” asht cilido regjistër gjuhe që përdoret ndër shkrime letrare, liturgjike etj., e që, tue qenë ma i shlirë ndër forma e në landë, të shërbejë për ta çlirue kreativitetin artistik, dhe me kohë, e me hove, edhe për t’ia ushqye dejtë edhe vetë gjuhës standarde. Mjaft krijues të rij, tekembrama, kanë nisë me e hetue këmishën e ngushtë të standardit gjuhësor dhe ndër krijimet e tyne kanë kohë që rravgojnë, me mjaft sukses e arritje, edhe jashtë tij. Ndryshe prej krijuesit, gjuhëtari ngarkohet me detyrën me e hetue gjuhën, prirjet dhe kahet e saj, jo me i vu penda a me qitë semaforë; aq ma pak, bile, me i kundrue njikëta si udhëcaktues të përjetshëm të saj.

Nuk ka komente: