28 gusht 2010

Parailiret - Iliret - Arberit nga Prof. Dr. MUZAFER KORKUTI

Prof. Dr. MUZAFER KORKUTI

Parailiret - Iliret - Arberit



Kopertina e librit


KREU I



Hyrje



Etnogjeneza e popullit shqiptar, prej shekujsh, ka joshur dhe ka tërhequr vëmendjen e dhjetra e dhjetra dijetarëve nga më të shquarit, shqiptarë apo të huaj. Janë të shumtë historianët e gjuhëtarët euriditë, arkeologët këmbëngulës dhe studiues të tjerë që kanë shtruar tezat e hipotezat e tyre për këtë çështje. Nuk kanë munguar të shprehin mendime edhe njerëz pa njohuri të thelluara shkencore.

Të gjithë duan të dinë kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, ç’lidhje kishin me arbërit, me ilirët dhe më lashtë me parailirët (pellazgët).

Problemi nuk është një kuriozitet i thjeshtë shkencor. Ndriçimi i tij ndihmon të kuptohen rrënjët historike që kanë ushqyer këtë popull, të ndodhur midis perandorive e qytetërimeve më të mëdha të kohrave, helene, romake, bizantine dhe sllave, e megjithatë nuk u asimilua.

Por kërkimet çonin në gjurmë të lashta, në mijëvjeçarët p. e. sonë. Shenjat kishin humbur, ishin fshehur ose ishin errësuar nga koha e gjatë që na ndan. Prandaj puna për të zbuluar dhe ndriçuar ato gjurmë dhe shenja është e vështirë dhe, nga vëllimi, kolosale

U shkruan qindra e mijra faqe libri, të mbushura herë me të dhëna shkencore e herë me fantazi e teza të hamendësuara. Arkeologët bënë gërmime aq të shumta, saqë u zbuluan qytete të tëra. Por ata donin të ringjallnin një histori të stërlashtë. Iu drejtuan dijetarëve, historianëve e poetëve të lashtë, duke u nisur nga Homeri, Hesiodi, e deri te studiuesit bashkëkohorë. Me studime këmbëngulëse u ndriçuan anë të veçanta të historisë, që shkallë shkallë, u bashkuan duke ndriçuar shumë çështje të etnogjenezës. Por nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike.

Gjithsesi tashmë është bërë shumë dhe anë të periudhave historike janë ndriçuar. Ndihmesa e dijetarëve të huaj ka qenë e pazëvendësueshme. Për punën e madhe e dashamirësinë që kanë treguar ndaj shqiptarëve, ata meritojnë të vihen në ballë të çdo studimi, si “qytetarë nderi” të albanologjisë. Por punën më të madhe e kanë bërë studiuesit shqiptarë të fushës së historisë, të gjuhës, të arkeologjisë, të etnografisë etj.

Gjatë 50 vjetëve të fundit, në arkeologjinë shqiptare, janë bërë gërmime e studime të shumta dhe janë ndriçuar një tërësi problemesh mbi bazën e të cilave është shkruar “Historia e Lashtë e Shqipërisë”, janë hedhur bazat për studime edhe më të thelluara në shumë drejtime. Por këto arritje njihen në një shkallë krejt të pamjaftueshme nga shoqëria civile dhe nga një masë më e gjërë njerëzish të interesuar. Ndaj lind nevoja që përfundimet më themelore duhet që t’u jepen lexuesve në mënyrë të kuptueshme, në përputhje me mundësitë dhe interesat e tyre kulturore.

Duke vlerësuar interesin dhe rëndësinë e problemeve etnogjenetike, gjatë veprimtarisë sime kërkimore u kam kushtuar atyre një vëmendje të posaçme, veçanërisht çështjeve të origjinës së ilirëve dhe të problemit të popullsisë para ilire.* Është kjo arsyeja që këto arritje të studimeve të mia shumëvjeçare dhe të kolegëve që janë marrë me këto probleme, dua t’i parashtroj në një formë të përmbledhur e natyrisht sa më të kuptueshme, për aq sa e lejon trajtimi i tyre. Për ta bërë më të plotë këtë kuadër të problemeve etnogjenetike, i cili mund të përmblidhet në trinomin parailirë-ilirë-arbër, kam parashtruar edhe problemin e arbërve, d.m.th. të origjinës së shqiptarëve të hershëm. Për të sqaruar këtë komponent të trinomit që lidhet me arbërit dhe origjinën e tyre, jam mbështetur tërësisht në studimet arkeologjike shumë të rëndësishme të prof. Skënder Anamalit, të cilit i takon një meritë e veçantë për ndriçimin e lidhjeve të ilirëve me shqiptarët në dritën e të dhënave arkeologjike. Kështu kam vepruar edhe në fushën e gjuhësisë, duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur rezultatet e punës shkencore të gjuhëtarit të shquar, prof. Eqerem Çabejt dhe të gjuhëtarëve të tjerë.

Parailirët, ilirët dhe arbërit janë tri nyje të zinxhirit të gjenezës së popullit shqiptar, që çdo njera prej tyre mund e duhet trajtuar më vete. Unë parapëlqeva t’i trajtoj këto çështje së bashku e në vijimësinë historike të ecurisë së tyre, mbasi kështu krijohet mundësia për kuptimin tërësor të lashtësisë së popullit shqiptar. Besoj se kësaj ideje i shërben edhe tabloja kronologjike e përdorimit të emrave të banorëve të vendit tonë, gjatë tërë kohërave, të cilën duhet ta njohë dhe ta dijë çdo bashkatdhetar. Përdorimi i emrave parailirë, ilirë, arbër e shqiptar nuk duhet të mënjanohet nga që për disa prej tyre duhen kërkuar mbështetje e fakte të reja, që shkencat albanologjike duhet t’i pasurojnë në të ardhmen.

Prandaj në këtë histori të shkurtër, vendosa të jap një sintezë të përfundimeve në të cilat ka arritur shkenca albanologjike për këtë problem. Njëkohësisht e quajta një detyrë shkencore dhe atdhetare t’i bëj të njohur publikut të gjërë, atë që historia mijravjeçare e kishte ruajtur të fshehur për të dëshmuar zinxhirin lidhës midis shqiptarëve, arbërve, ilirëve dhe parailirëve.





PARAILIRËT



Kuadri historik

Fillimi i formimit të bashkësive popullsive me tipare të përbashkëta etnike është një proçes evolutiv, i gjatë e i ndërlikuar, që i takon epokës së neolitit (gurit të ri ) dhe epokës së eneolitit (bakrit). Si shtrirje kohore këto epoka kapin periudhën midis mijëvjeçarit të shtatë dhe mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Në këto dy epoka ndodhën ndryshime të mëdha, thelbësore, pa njohjen e të cilave nuk mund të kuptojmë se këtu zuri fill proçesi i formimit të popujve dhe të gjuhëve në Gadishullin Ballkanik. Dhe për të kuptuar këto ndryshime cilësore të vetmet burime janë dëshmitë arkeologjike, që vijnë nga gjithë territori i Evropës Juglindore, përfshirë edhe Egjeun e Anatolinë (Brigjet perëndimore të Turqisë). Prandaj është e domosdoshme të njihemi me këto zbulime.

Të shumta janë këto të dhëna edhe nga territori i Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Me kërkimet intensive të 50 viteve të fundit, të bëra për kulturat e kohës së neolitit dhe të bakrit, është arritur të njihen kulturat kryesore përfaqësuese, karakteristikat e tyre, niveli dhe veçantitë e zhvillimit nga një periudhë në tjetrën. Neoliti i hershëm në Shqipëri përfaqësohet nga kultura e Vlushës (Skrapar), e Podgories (Korçë), e Kolshit (Kukës); neoliti i mesëm nga kultura e Dunavecit (Korçë) e Cakranit (Fier ) dhe Blazit (Mat), kurse e neolitit të vonë përfaqësohet nga kultura e Maliqit I, Barçit I (Korçë) dhe Kamnikut (Kolonjë). (Prendi, F. 1976, 21-99; Korkuti, M. 1995, 11-261). Këto janë kulturat më përfaqësuese neolitike të vendit tonë, të cilat dëshmojnë për një banim të dendur (për kohën) dhe me shtrirje gjeografike që mbulon gati gjithë territorin. Duke filluar nga kultura më e hershme e Vlushës (mijëvjeçari i shtatë p.e.sonë) e deri tek ajo e Maliqit I, ka një vazhdimësi banimi që dëshmon për një jetë sedentare, që u kushtëzua nga lindja dhe zhvillimi i bujqësisë e i blegtorisë, dy degë bazë të ekonomisë dhe të ndërvarura nga njera-tjetra që në lindjen e tyre. Në disa vendbanime (Podgorie, Dunavec, Maliq, Cakran, etj) mori pëparësi bujqësia, e cila bëri të mundur krijimin e rezervave të produkteve bazë për jetesë, e për rrjedhojë, ndodhën ndryshime të ndjeshme në jetën shoqërore. Ishte kjo arsyeja, që këto aspekte të reja të epokës neolitike dhe eneolitike disa studiues i kanë cilësuar si “revolucioni bujqësor”.

Vazhdimësia e jetës dhe kulturave gjen shprehjen e vet para së gjithash në teknologjinë e përgatitjes së enëve prej balte, si edhe në shtimin e madh të veglave të punës prej stralli, guri e kocke dhe mbi të gjitha në përsosjen e teknikës së punimit të tyre, të provuara këto në koleksionet e pasura të veglave të punës dhe të morisë së enëve prej balte, të gjetura në Podgorie, Dunavec, Maliq etj.

Tipar i ri i rëndësishëm i kësaj epoke ishte lindja e marrëdhënieve të këmbimit, jo vetëm midis bashkësive fqinje, por edhe midis bashkësive të largëta, gjë që provohet nga objekte importi me prejardhje të mirëfilltë nga kultura e Thesalisë (Greqi), të gjetura këto në Dunavec e Cakran (Korkuti, M. Andrea, Zh. 1974). Këto këmbime, sado fillestare që ishin, dëshmojnë se kulturat tona neolitike nuk kanë qenë të mbyllura, të izoluara, por kanë dhënë e marrë me njera tjetrën. Dhe e kundërta, në një nga kryeqendrat e kulturave neolitike të Thesalisë, në akropolin e Diminit janë gjetur enë të importuara nga kultura e Dunavecit.(Korkuti,M. 1995,127)

Për kulturat neolitike të Shqipërisë janë për t’u përmendur edhe ndërtimet e banesave me skelet prej druri, me mure gardhi, të lyer me baltë. Por ndërtimet më të vështira ishin kasollet prej druri, të ngritura mbi ujë, siç është rasti i vendbanimit palafit (mbi hunj) i Dunavecit, i cili sot për sot është më i hershmi në Ballkan (mesi i mijëvjeçarit të pestë p.e.sonë. Sipas analizave laboratorike të karbonit(C14) ky vendbanim datohet në vitin 4800 p.e.sonë.

Të gjitha këto përparime të shkallë shkallëshme të kulturave neolitike përbënin thelbin e një fillese të re epokale, ndaj në kuptimin e gjërë kjo kohë historike është quajtur edhe epoka e qytetërimit neolitik. Ky qytetërim njohu shkallë të tjera më të larta progresi gjatë epokës së bakrit, kulturë e cila është dëshmuar gjerësisht nga dhjetra vendbanime me shtrirje në gjithë trevën e Shqipërisë si: Maliqi II, Treni, Burimasi (Korçë), Kamniku II, Gradeci (Dibër), Bënja (Përmet), Konispoli, Katundasi (Berat), Neziri (Mat), Gajtan (Shkodër), Dajç (Kukës) etj.

Kultura eneolitike e vendit tonë, vazhduese e drejtpërdrejtë e kulturës neolitike, në të njëjtën kohë ishte vazhduese e qytetërimit neolitik në të gjitha anët. Bujqësia e blegtoria u zhvilluan më tej. Koleksionet e pasura të veglave të punës e sasitë e konsiderueshme të grurit të karbonizuar, të gjetura në Maliqin eneolitik, janë dëshmitë më të mira të një bujqësie të përparuar për kohën; kurse për rolin e blegtorisë dëshmojnë kockat e shumta të bagëtive të imta e të trasha të gjetura në këto qendra. Për përparimet nga pikpamja teknologjike, dëshmon qeramika, e cila njohu kulme të reja progresi si nga format, zbukurimet, pjekja, deri tek realizimet e prodhimeve artistike.

Tërësia e progresit në degët e ndryshme të ekonomisë çoi edhe në një arritje tjetër të madhe, në shkrirjen dhe përpunimin e metalit të parë, të bakrit, i cili i dha emrin edhe epokës. Nxjerrja dhe përpunimi i këtij metali të ri ishin proçese të ndërlikuara për atë kohë, që kërkonin pajisje e mjete të veçanta, sepse teknologjia e punimit e shkrirjes dhe e derdhjes në kallëpe ishte punë shumë e specializuar. (Prendi,F.1966,13; Korkuti,M. 1985,54). Edhe më të rëndësishme ishin rrjedhimet që solli përdorimi i veglave prej bakri, sidomos në zgjerimin e sipërfaqeve të punuara dhe në ndërtimin e banesave. Teknologjia e nxjerrjes, e përpunimit të bakrit si dhe përgatitja e veglave të punës me metalin e ri, sollën ndryshime në marrëdhëniet brenda bashkësisë, duke nxjerrë në plan të parë rolin e burrit, çka pati si rrjedhojë fillimet e një shoqërie të re fisnore, të patriarkatit (Historia e Popullit Shqiptar, 2002,29).

Kultura eneolitike në trojet shqiptare u zhvillua në lidhje dhe marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse e në radhë të parë me kulturat fqinje. Lidhjet tradicionale të kulturave neolitike të pellgut të Korçës me kulturat e Pelagonisë (Maqedoni) dhe të Maqedonisë Perëndimore, të Greqisë, me Thesalinë, nëpërmjet luginës së lumit të Haliakmonit, të lidhjeve me kulturat e pellgut të Moravës së Jugut në verilindje, si edhe lidhjet e kulturave të Kukësit e të Kosovës me Ballkanin Qendror, gjatë epokës së eneolitit u shpeshtuan e u bënë më të qëndrueshme. Edhe lidhjet midis kulturave të Adriatikut të Mesëm e të Jugut me prapatokat e tyre u zhvilluan më tej.

Për të kuptuar qartë proçeset etnokulturore, që u zhvilluan gjatë epokës së bakrit, nuk mund të lëmë pa nxjerrë në pah lidhjet kulturore me treva më të gjëra të Ballkanit Jugor, të Egjeut dhe të Anatolisë. Lëvizjet graduale të popullsive neolitike dhe eneolitike, në kërkim të tokave bujqësore e të kulturave të reja, ishin faktor veprues në vendosjen dhe mbajtjen e këtyre lidhjeve, të cilat u kushtëzuan edhe nga faktorët gjeografikë.

Nuk është vendi të rreshtojmë hollësira të dëshmive arkeologjike që provojnë çka pohuam më lart. Përhapja e teknologjisë së njëjtë në tërë treguesit kulturorë, si në vegla pune dhe qeramikë, si edhe objektet e njëjta në paraqitjen e kulteve, në një territor të gjërë, nuk mund të ishte veçse rezultat i fuqizimit të lidhjeve dhe këmbimeve, të cilat në thelb ishin rrjedhojë e zhvillimit të përgjithshëm, e përafërsisht të njëjtë, kulturor të banorëve të territorit të Ballkanit të Jugut në epokën e bakrit. Këtë pamje të zhvillimit të kësaj treve arkeologët e kanë shprehur me emërtimin “Kompleksi kulturor ballkano-egjean i kohës eneolitike”, pra është fjala për një tërësi kulturash me elemente të përbashkëta (Prendi,F. 1976,38; Korkuti,M. 1985,53).

Duke përmbledhur këtë paraqitje për epokën e bakrit kemi arritur në përfundimin se, në kushtet e zhvillimit të pandërprerë e të stabilitetit të gjatë ekonomik, të shkallës së përparuar të zhvillimit në të cilin arriti qytetërimi eneolitik, krahas formimit të bashkësive të gjëra kulturore e kultike, u bë edhe hapi i parë drejt formimit të një bashkësie të madhe etnike e gjuhësore (Korkuti,M. 1985,55).



Rreth përkatësisë etnike të banorëve eneolitikë

A mund të flitet për përkatësi etnike në një kohë të tejlashtë si epoka e bakrit dhe në se po, mbi ç’bazë? Kur guxojmë të flasim për etni në fillesat e saj duhet ta veçojmë e ta dallojmë atë nga etnitë në epokën historike, të cilat karakterizohen nga tipare të tjera themelore;

dhe problemet që kërkojnë përgjigje janë të shumta dhe të ndërvarura nga përfundimet e studimeve ndërdisiplinore. Në trinomin e problemeve parailire-ilire-arbër, problemi i parë mbetet më i vështiri,

sepse të dhënat gjuhësore e antropologjike janë të pamjaftueshme. Fjala e arkeologjisë, si rrjedhim, ka një peshë të veçantë meqënëse për këtë periudhë të hershme koncepti kulturë, në kuptimin arkeologjik, në vija të përgjithëshme, është i njëjtë me kategorinë etnos*. Kjo përbën edhe bazën mbi të cilën mbështetet argumentimi i pikpamjes sonë për fillimet e formimit të etnosit prandaj do të ndalemi në kuptimin dhe vlerën që kanë burimet arkeologjike për epokën prehistorike.

Më shkoqur problemi shtrohet në këtë mënyrë: në ç’raporte qëndronte kultura me etnosin në epokën prehistorike, a ka përputhje midis tyre dhe në rast se ka, në çfarë shkalle është kjo?

Ja disa mendime të studjuesve të ndryshëm për këtë çështje .

- Kultura dhe etnosi nuk përputhen gjithmonë. Po në shumicën e rasteve kultura përputhet me etnosin.

Qeramika dhe zakonet fetare (kulti) janë elemente që tek popujt primitiv u janë nënshtruar më pak ndikimeve dhe se qëndrueshmëria e këtyre elementeve provon vazhdimësinë etnike tek grupet prehistorike.

Fiset me kulturë të njëjtë ose të ngjashme mund të flasin gjuhë të ndryshme.

Do të ishte vështirë të pretendohej se vetëm gjuha paraqet tiparin etnik të një grupi.

Kur flasin për marrëdhëniet midis kulturës dhe etnosit duhet të kemi parasysh lidhjet midis gjuhës e kulturës, mbasi dihet se gjuha është një nga tiparet që përcakton karakterin etnik. Por ky nuk është

tipar i vetëm, e aq më tepër për epokën pre e protohistorike, ku ka edhe një varg tiparesh të tjera të rëndësishme, të cilat në tërësinë e tyre formojnë historinë etno-kulturore të një popullsie. Prandaj historinë e gjuhës nuk mund ta barazojmë me historinë etnike e aq më pak, në tërësi, me historinë e një popullsie që e flet, e cila ka një përmbajtje shumë më të gjërë e më të plotë.

Në epokën neolitike dhe në atë të bronzit ndodhte shpesh që një fis asimilonte, në pikpamje gjuhësore, një fis tjetër; po në të njëjtën kohë është bërë edhe asimilimi kulturor, madje ky i fundit ca më herët. Kështu nuk mund të ndodhte që një fis ose një grupim fisesh të ndryshonin gjuhën, nëpërmjet asimilimit dhe në të njëjtën kohë të ruanin kulturën e mëparshme materiale, sepse bashkë me asimilimin gjuhësor ndryshonte edhe kultura e tyre materiale. Pra, asimilimi kulturor dhe ai gjuhësor, ishin dy nga shfaqiet më të rëndësishme të proçesit etnik, të ndërvarura nga njëra-tjetra, të cilat gjatë epokës së neolitit e të bronzit janë zhvilluar krahas dhe kanë patur gjatë rrugës së tyre të zhvillimit një përputhje gati të plotë. Ja sepse nëpërmjet njohjes dhe studimit të njërit aspekt mund të nxirren përfundime edhe për aspektin tjetër.

Gërmimet arkeologjike sistematike kanë dhënë mundësi të gjëra për studimin në kompleks të një kulture arkeologjike të një rajoni të caktuar. Kur ajo kulturë është e njëjtë me një tjetër, që shprehet në format e ekonomisë, në arkitekturën e banesës dhe ajo që ka më shumë rëndësi, në kulturën materiale (në vegla pune, armë, qeramikë, stoli, objekte, etj.), apo ka të njëjtat kulte e të njëjtin rit varrimi, atëhere shihet se ka elemente të tilla kulturore e shpirtërore, të cilat shprehin drejtpërsëdrejti tiparet e përbashkëta etnike. Kështu, me mjaft përafërsi mund të vendoset shenja e barazisë midis dy kulturave edhe në pikëpamje etnike. Si rrjedhim i një bashkësie të gjatë kulturore e etnike duhet pranuar se ka patur edhe një bashkësi gjuhe, në atë masë e në atë formë që mund të ishte ajo në epokën prehistorike.

Si përfundim, ne jemi të mendimit se në epokën e eneolitit dhe atë të bronzit shkalla e përputhjes midis kulturës dhe etnosit është gati e plotë, se një grup kulturor i njëjtë nënkupton edhe një grup etnik të njëjtë. Janë këto arsyet që burimet arkeologjike, për periudhën para burimeve të shkruara, marrin më tepër rëndësi sesa burimet e fushave të tjera në përcaktimin etnik të popullsisë. Prandaj arkeologjia mbetet një nga fushat kryesore që hedh dritë mbi etnogjenezën e parailirëve e të ilirëve. Më hollësisht këto çështje janë parashtruar në artikullin, “Probleme etnokulturore të epokës së eneolitit” (Korkuti,M. 1982,1,156-173).

Të kthehemi tek problemi ynë, i banorëve të tejlashtë dhe të parashtrojmë përfundimet që janë nxjerrë nga interpretimi i lëndës arkeologjike të zbuluar.

Arkeologjia jonë prehistorike ka bërë hapa të rëndësishme në trajtimin e problemit të banorëve të tejlashtë të vendit tonë, por ende nuk është arritur në një përfundim të argumentuar plotësisht. Ato janë teza pune që duhen provuar më tej apo përpjekje për të interpretuar edhe në pikpamje etnokulturore lëndën arkeologjike të epokës eneolitike e më tej atë të epokës së bronzit të hershëm në vendin tonë. Duke e shtruar problemin në këtë plan kemi parasysh mundësitë që na ofron materiali i kulturave tona eneolitike dhe i atyre të fqinjeve, i cili është i bollshëm, i pasur, i larmishën e i përcaktuar kohësisht, ndryshe nga fjalët e pakta gjuhësore e të papërcaktuara mirë kronologjikisht. Është gjithashtu e vërtetë se edhe arkeologjia ende nuk e ka thënë fjalën e vet përfundimtare për zgjidhjen e problemeve etnike, por mendojmë se kjo nuk duhet të na çojë në pozitat e atyre studiuesve që, për t’u shpëtuar “gabimeve”, nuk merren me trajtimin e problemeve etnike.

Pas gjithë kësaj parashtrese të gjatë, por të nevojshme, të vijmë më pranë problemit të përkatësisë entike. Po e theksoj se pjesë pjesë, e rezultat pas rezultati, mund të arrijmë tek zgjidhja më e pranueshme. Dhe për të arritur tek problemi i banorëve të tejlashtë të vendit tonë, duhet të japim disa spjegime e të shprehim pikpamjen tonë për dy çështje parësore, që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Këto janë:

- Problemi i indoevropianizimit të territorit të vendit tonë e në tërësi i gjithë Gadishullit Ballkanik.

- Problemi i lidhjeve të substratit etnik para ilir me ilirët si banorë të pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik në epokën e bronzit e të hekurit (Për këtë do të flitet gjërësisht në kreun e dytë).

Indoevropianizimi i territorit të Ballkanit perëndimor u bë në kuadrin e përgjithshëm të proçesit indoevropianizues të të gjithë Ballkanit, ndaj për këtë problem do t’u referohemi, në radhë të parë, përfundimeve të arritura. Ato mund të përmblidhen në këto pikpamje më përfaqësuese.

- Shumica e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj indoevropianizimin e Europës Juglindore e shohin si një proçes të gjatë që u krye si rezultat i disa valëve dyndjesh të fqinjëve nomadë, të ardhur nga stepat e Azisë gjatë mijëvjeçarit të tretë p.e.sonë.

Një variant të kësaj pikëpamje, përbën teza tjetër sipas së cilës popullsia jo indoevropiane, mesdhetare neolitike e eneolitike, u indoevropianizua gjatë dyndjes së madhe të popujve baritor, të ardhur nga stepat në fillim të epokës së bronzit.

Studiues të tjerë janë të mendimit se elementi indoevropian ose më saktë ai paleoindoevropian ka ekzistuar në Ballkan shumë më herët, që në epokën neolitike.

Të dhënat nga trevat shqiptare janë të kufizuara për të ndjekur një proces kaq të gjërë e të ndërlikuar, siç është ai i indoevropianizimit. Gjithsesi, kur gjykojmë për rrjedhimet e këtij procesi, duhet të kemi parasysh se dyndja e popujve të stepave ka qenë më e fuqishme në territoret lindore të gadishullit të Ballkanit kurse në trevat e vendit tonë, që përbënin skajet fundore të shtrirjes së kësaj dyndje, roli e vendi i ardhacakëve në simbiozën me popullsinë vendase nuk mund të ishte i njëjtë si në trevat ballkanike lindore.

Ne kemi shprehur dhe mbrojtur pikëpamjen se lënda arkeologjike që kemi nga Shqipëria na shtyn të mendojmë se procesi i indoevropianizimit nuk duhet parë si rezultat i një dyndje të vetme, por si një proces i gjatë zhvillimi, ku kulturat autoktone eneolitike e bartësit e tyre u ndërthurën me bartësit dhe kulturat bashkëkohëse ballkanike (Korkuti, M. 1985,2,56). Në këtë proces asimilimi dhe disimilim kulturor dhe etnik, të një transformimi të dukshëm shoqëror e ekonomik si edhe të kontakteve e të lëvizjeve graduale të popullsive, u bë indoevropianizimi i territorit të vendit tonë, i cili fillesat e tij i ka, të paktën, qysh gjatë epokës së eneolitit. Në këtë përfundim vijnë edhe disa studiues, të tjerë të huaj, kur pohojnë se gjuhët indoevropiane njihnin emërtime të përbashkëta për metalet (për bakrin, arin e bronzin) d.m.th. për prodhime tipike të një metalurgjie të zhvilluar të eneolitit e të kohës së hershme të bronzit .(Budimir,M. 1952,10; Lochner-Hüttenboch, Fr. 151-181; Bonfante,G. 1968, 102-103) Duke u shprehur për fillimet e indoevropianizimit qysh gjatë eneolitit, nuk mohojmë rolin përshpejtues që luajti në këtë proces vala e fundit e dyndjes së popullsive të ardhura nga lindja, në fillim të epokës së bronzit, gjë që është një fakt i padyshimtë e i provuar edhe nga të dhënat e arkeologjisë sonë.

Kultura eneolitike e vendit tonë u zhvillua gradualisht, si një kulturë autoktone dhe në lidhje të ngushtë me kulturat bashkëkohore ballkaniko-egjeane, si një kulturë që njohu arritjet më të rëndësishme të qytetërimit eneolitik e që iu nënshtrua shndërrimeve ekonomike e shoqërore të kohës e veçanërisht procesit të rëndësishëm të indoevropianizimit. Si përfundim, bashkësia e madhe kulturore që u formua në fund të eneolitit, në vendin tonë, në plan gjuhësor ishte indoevropiane.

Për këtë substrat të tejlashtë, për këtë popullsi indoevropiane të Ballkanit Perëndimor të epokës së eneolitit a mund të përdoret një emër i përveçëm?

Të dhënat e para për emërtimin e kësaj popullsie do t’i gjejmë tek autorët më të vjetër të Greqisë së Lashtë, tek Homeri, Hesiodi, Herodoti dhe tek mbi 100 autorë të tjerë grekë e latinë, të cilët flasin për pellazgët si një popullsi jo greke. (Në mënyrë të plotë këto të dhëna gjenden në veprën e Fr.Lochner-Hüttenboch, Die Pelasger). Homeri i përmend pellazgët si banorë të Thesalisë e të Kretës; shkrimtarë më të rinj si Hesiodi, Herodoti, Hekateu, Tuqididi, na japin njoftime të tjera, duke i vendosur pellazgët herë në Peloponez, herë në Azi të Vogël e herë në Itali, ndërsa gjuhën e tyre, pellazgjishten, e quajnë gjuhë barbare d.m.th. jo greke.

Nga pikpamjet e studjuesve të shekullit XX mund të përmendim ato të disa linguistëve, si M.Budimir, V.Georgiev, Fr.Lochner –Hüttenbach, G,Bonfante etj., të cilët kanë shprehur mendimin se ka një lidhje midis gjuhës së kësaj popullsie mesdhetare paragreke me gjuhët e lashta të mëvonëshme të Ballkanit, si me trakishten dhe ilirishten. Studiues të tjerë, si B.Gavela, substratin pellazgjik të rajonit ballkano-egjean e paraqesin si një kategori autoktone indoevropiane të përcaktuar në pikpamje kulturore dhe gjeografike (Gavela, B. 1971,24). Mbi bazën e këtyre studimeve mund të thuhej se pellazgët janë një popullsi, që ka banuar në Europën Juglindore, në Mesdhe e në Azi të Vogël para formimit të etnosit grek dhe se gjuha e tyre është indoevropiane e nuk ka lidhje birërsie me greqishten.

Përpjekje për të gjetur lidhje gjenetike midis gjuhës shqipe dhe pellazgjishtes kanë bërë edhe Z.Majani (Majani, Z. 1970,75) dhe S.Konda (Konda,S. 1964,336). Të dy këta studiues në veprën e tyre kanë përdorur metoda jashtë shkencore, ndaj përfundimet e tyre nuk janë përfillur nga asnjë gjuhëtar shqiptar.

Në këtë parashtrim të shkurtër të çështjes nuk është e mundur të përmblidhet ajo që është shkruar në dhjetra mijra faqe për pellazgët e pellazgjishten; gjithsesi do të veçonim mendimin e shprehur për përdorimin e termit pellazgë.

Në literaturën shkencore, gjatë rreth 100 viteve të trajtimit të problemit pellazgjik, termi pellazg është përdorur në kuptime e përmbajtje historiko-gjuhësore të ndryshme. Tezat e hipotezat e studiuesve për identitetin e pellazgëve dhe për raportet e tyre me popullsitë e tjera, shkojnë nga mohimi i ekzistencës së tyre deri në përpjekjet për t’u veshur atyre tipare të veçanta e të përcaktuara qartë në pikpamje etnike e gjuhësore. Këto interpretime, në thelb të skajshme, e shprehin pamjaftueshmërinë e argumenteve të njërës ose të tjetrës pikëpamje, ndaj edhe e kanë kompromentuar së tepërmi përdorimin e termave pellazg e pellazgjishte, e si rrjedhim shumë studiues sot, për emërtimin e popullsisë së tejlashtë ballkanike parapëlqejnë të përdorin termat: parailirë, paratrakë, paragrekë.

Termi pellazg që trashëgojmë nga burimet antike dhe që mendojmë se gjen mbështetje pjesërisht nga të dhënat arkeologjike, mund të përdoret në kuptim konvencional, me një përmbajtje dhe domethënie të caktuar. Kështu bashkësia e gjërë kulturore, kultike dhe pjesërisht etno-gjuhësore që u formua gjatë eneolitit në Ballkanin Perëndimor, mund të quhet pellazgjike. Në pikpamje metodike ato që po quajmë pellazg apo pellazgjike, nga përmbajtja nuk janë homogjene e kompakte në shtresëzimin linguistik e kulturor të Europës Juglindore, por janë diçka heterogjene, me elemente kryesisht indoeuropiane dhe pjesërisht jo indoeurpiane në gjuhë. Prandaj termat pellazg e pellazgjishte i përdorëm për të emërtuar një popullsi me elementet më të përgjithëshme kulturore e gjuhësore të përbashkëta për trevën e Europës Juglindore që përfshin periudhën e eneolitit dhe atë të bronzit të hershëm. Ky është kuptimi konkret që i japim termit pellazg, mbi bazën e dëshmive arkeologjike. Natyrisht me përdorimin e këtij termi nuk duhet të mendojmë që në epokën e bakrit, e në një territor të gjërë si ai i Ballkanit Perëndimor të kishte një popullsi si ajo e kohës antike, as edhe një emër të përgjithshëm për të gjitha fiset e kësaj treve. Duke përdorur emrin konvencional pellazg për nënshtresën para ilire, themelore nuk është emri vetë, por evidentimi dhe përcaktimi i rolit që luajti ky substrat etnolinguistik në periudhën e kalimit nga eneoliti në bronz, me fjalë të tjera, të vihet në dukje ajo që ndodhi në planin kulturor dhe etnik në fund të mijëvjeçarit të katërt dhe në fillim të mijëvjeçarit të tretë p.e.sonë në Ballkanin perëndimor.

Në këtë kufi kohor në të gjithë gadishullin ndodhën ndryshime të mëdha në kulturë, në ekonomi, në organizimin shoqëror, në jetën shpirtërore dhe në përbërjen etnike. Vendin e kulturave eneolitike e zunë ato të bronzit të hershëm, që veçohen shumë qartë nga kulturat paraardhëse. Në metalurgji, me daljen e bronzit (përzierje e bakrit me kallaj) u shënuan përparime në përgatitjen e veglave të punës e të armëve, kurse në organizimin shoqëror vendosen marrëdhëniet patriarkale. Këto ndryshime u kushtëzuan nga faktorë të ndryshëm, ku rol të rëndësishëm luajti evolucioni i brendshëm, me fjalë të tjera, trashëgimia eneolitike, si edhe njohja e metalit të ri, bronzit. Ndryshime cilësore u bënë edhe në botën shpirtërore, në konceptet e reja dhe në radhë të parë në shfaqien e kultit të varrimit në tuma (varre në formë kodre). Për këtë arsye kjo periudhë kalimtare nga eneoliti në bronz përbën një hallkë të rëndësishme në të gjithë rrjedhën e proceseve etnokulturore të epokës së bronzit. Ndaj na duhet të bëjmë një ndalesë për të spjeguar arkeologjikisht këtë lidhje midis dy epokave.

Në territorin e Shqipërisë bronzi i hershëm është dëshmuar mjaft mirë arkeologjikisht nga vendbanimi i Maliqit (Maliq III a,b), i Trenit IIIa (Korçë), i Gajtanit I, i shpellës së Nezirit (Mat), i shpellës së Bënjës (Përmet ), i shpellës së Konispolit etj., si edhe nga varret më të hershme të tumave të Pazhokut (Elbasan), të Barçit (Korçë), të Shtoit e Shkrelit (Shkodër), të Piskovës (Përmet), të Vodhinës (Gjirokastër), të Bajkajt dhe të shpellës së Konispolit (Sarandë) etj. Lënda e përftuar nga këto zbulime ka zgjeruar shumë njohjen tonë për përbërësit që morën pjesë në formimin e kulturës së bronzit të hershëm. Nga të gjitha këto të dhëna është arritur në përfundimin se kultura e bronzit të hershëm në Shqipërinë Juglindore (Maliq, Tren), në Shqipërinë Jugore (Bënjë, Piskovë, Përmet, Vodhinë), në Shqipërinë e Brendëshme (shpella e Nezirit) dhe në Shqipërinë Veriore (Gajtan, Shkrel, Shtoi), në treguesit themelor ka tipare të njëjta dhe në formimin e saj kulturor dhe etnik vendin kryesor e zë përbërësi autokton eneolitik. Përbërësi tjetër, ai me origjinë lindore, i ardhur si rezultat i dyndjes së fundit të nomadëve të stepave, shpejt u dobësua dhe u shkri me përbërësin vendas.

Për rolin e përbërësit eneolitik, vendas na dëshmojnë edhe disa të dhëna antropologjike nga skeletet e varreve të bronzit të hershëm, të cilat dëshmojnë se popullsia e ardhur u asimilua nga popullsia vendase më e shumtë në numër.

Këto janë disa të dhëna arkeologjike të dorës së parë, që na lejojnë të shprehemi për një vazhdimësi kulturore dhe etnike nga epoka eneolitike në atë të bronzit të hershëm. Me këtë nuk kuptojmë një vazhdimësi tërësore, një kalim të drejtpërdrejtë të kulturës e të bartësve të saj nga një epokë në tjetrën. Periudha e tranzicionit ishte, siç e kemi vënë në dukje, një periudhë e ndryshimeve të mëdha ekonomike e kulturore dhe ngjizja, midis përbërësit vendas dhe atij të ardhur, është bërë me asimilim kulturor, por edhe me dhunë. Më shkoqur, me vazhdimësi ne nënkuptojmë përbërësin etno-kulturor eneolitik, i cili mori pjesë aktive në formimin e etnosit ilir gjatë epokës së bronzit.

Ky përbërës është edhe nyja lidhëse midis banorëve ilirë të epokës së bronzit dhe të banorëve të tejlashtë të epokës eneolitike të para-ilirëve, të cilët i quajtëm konvencionalisht pellazgë. Këto përfundime na japin të drejtën të shprehemi se ilirët janë një nga popujt më të vjetër të gadishullit.

Nuk ka komente: