28 gusht 2010

Parailiret - Iliret - Arberit nga Prof. Dr. MUZAFER KORKUTI

KREU II

ILIRËT



Kuadri historik. Burimet e shkruara të autorëve antikë na bëjnë të ditur se në kohën antike pjesa perëndimore e Ballkanit banohej nga ilirët, një nga popujt më të mëdhenj të gadishullit.

Lajmet për emra fisesh ilire i gjejmë që më monumentet më të hershme të letërsisë helene, në poemat e Homerit e të Hesiodit. Interesi i shkrimtarëve grekë për trevat e Ilirisë dhe ilirët u shtua sidomos në shek. VII-VI p.e.sonë, kur në brigjet lindore të Adriatikut u themeluan kolonitë e para helene, si Dyrrahu, Apolonia, Oriku etj. Lidhjet e ngushta që mbanin këto qytete me metropolet, si dhe ardhjet e shpeshta të udhëtarëve e tregtarëve grekë, për t’u njohur e për të tregtuar me vendet e pasura në minerale, në prodhime blegtorale e bujqësore të Ilirisë, bënë që bota greke, në atë kohë, të mirrte njohuri pak a shumë të plota e më të sakta për ilirët e Ilirisë. Këto të dhëna mjaft të sakta i gjejmë në veprat e historianëve të mirënjohur të antikitetit, të Herodotit dhe në veçanti të Tuqididit. Në shek. IV-II p.e.sonë shtohen në mënyrë të ndjeshme të dhënat e shkruara për historinë e Ilirisë. Në mes të veprave të historianëve e gjeografëve antikë, vepra e Polibit jep të dhëna të rëndësishme e të sakta për mbretërinë ilire ashtu si edhe vepra e Strabonit, e Apianit etj., që plotësojnë njohjen tonë për ilirët (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë Tiranë 2002).

Për shekujt e parë të e.sonë të dhënat historike për Ilirinë janë shumë të kufizuara, në ndryshim nga shekujt e mëvonshëm IV-VII, kur ka një prodhimtari të madhe letrare të autorëve antikë dhe

bizantinë, prej nga mund të nxirren të dhëna me vlerë për historinë e

Ilirisë në periudhën e vonë antike.

Burimet e shkruara antike e ato të hershme mesjetare përbëjnë një bazë të rëndësishme për rindërtimin e historisë së ilirëve dhe të arbërve. Por fakti që ato janë të fragmentuara e flasin vetëm për disa ngjarje e aspekte të historisë së ilirëve, i bëjnë ato të pamjaftueshme për të rindërtuar plotësisht zhvillimin historik në territorin e Shqipërisë në kohën antike. Gjithsesi, shfrytëzimi i tyre bashkë me të dhënat e shumta arkeologjike, mundësojnë sot rindërtimin e shumë çështjeve të historisë dhe të kulturës së ilirëve.

Ilirët jetonin në një territor të gjërë, kufiri verior i të cilëve shkonte deri tek degët e lumit Danub (Sava e Drava), kurse në jug, duke përfshirë edhe territorin e Epirit prehistorik, kufiri shkonte deri në gjirin e Ambrakisë (të Prevezës). Në lindje, si kufi natyror, ishin lumenjtë Morava e Vardar (rrjedha e sipërme dhe e mesme) dhe në perëndim brigjet e Adriatikut e të Jonit. Grupe të veçanta fisesh ilire u vendosën edhe në Italinë e Jugut (Mesapët e Japygët).

Në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe rrjedhimisht edhe politik të ilirëve, rol parësor ka luajtur pozita gjeografike e Ilirisë e cila gjendej pranë dy qytetërimeve të mëdha antike: pranë qytetërimit helen dhe atij romak, e më pas përfshirja e saj në kulturën e hershme bizantine.

Në shek.VI-V p.e.sonë në Ilirinë e Jugut lindin formacionet e para shtetërore. Nga forma politike ato ishin monarki të trashëguara, ku sundonin përfaqësuesit e aristokracisë skllavopronare. Ndarja administrative e shtetit kishte në qendër qytetin kryesor, ku qëndronte dinastia e caktuar nga mbreti. Brenda kuadrit monarkik të shtetit ilir, qytetet dhe krahinat rreth tyre kishin një vetqeverisje në formën e Bashkësive, me në krye një këshill ekzekutiv nëpunësish të zgjedhur çdo vit. Në shek. V-IV p.e.sonë shteti ilir formohet plotësisht. Mbreti më aktiv ishte Bardhyli, që theu maqedonët, i vuri në vartësi dhe në vitin 359 p.e.sonë guxoi të ndeshet me Filipin e II të Maqedonisë për rivendosjen e kufirit në lindje . Nën sundimin e mbretit Glaukia, shteti ilir u forcua më tej. Më 355 p.e.sonë bëhen përpjekje për çlirimin e tokave lindore në luftë kundër Aleksandrit të Maqedonisë dhe u sigurua aleanca me Epirin, duke vendosur në fron Pirron (në vitin 309). Gjithashtu, u bashkua Dyrrahu me shtetin ilir dhe u çlirua Apolonia nga pushtimi maqedon. Në kohën e pasardhësve të tij, Monunit dhe Mytilit shteti forcohet ekonomikisht, duke prerë monedha argjendi dhe bronzi. Pas mesit të shek.III p.e.sonë nën mbretërinë e Pleuratit dhe Agronit nis përsëri periudha e lulëzimit të shtetit ilir. Në vitin 231 p.e.sonë ilirët thyen në Etolët dhe lidhën aleancë me Epirin dhe Akarnaninë. Kështu ilirët dalin si forca më e madhe politike në Ballkan, e për rrjedhojë bien ndesh me synimet hegjemoniste të Romës në detin Adriatik. Në dy luftrat e para me Romën (229 e 218 p.e.sonë) shteti ilir i udhëhequr nga Teuta, thyhet. Më pas nën sundimin e mbretit Gent (186-168 p.e.sonë) shteti ilir filloi përsëri politikën antiromake dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Në betejën e Shkodrës (168 p.e.sonë) ushtria ilire u thye dhe shteti ilir u shkatërrua.

Historia politike e ilirëve në shek.V-I p.e.sonë nuk mund të kuptohet pa njohur lindjen dhe zhvillimin e qyteteve e kulturës qytetare ilire. Mbështetur në kërkimet e studimet intensive në qytetet e

Amanties, Antigonesë, Bylisit, Klosit, Dimales, Zgërdheshit (Albanopolit) Lisit, Skodrës, Selcës së Poshtme etj., arkeologët shqiptarë kanë veçuar qartë një periudhë qytetare në zhvillimin e përgjithshëm të kulturës dhe historisë ilire. Ajo u formua si rrjedhim i evolucionit të brendshëm dhe të pandërprerë, mbi një bazë të pandryshueshme etnike. Zgjerimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve me botën helene në aspektin urbanistik, ekonomik, kulturor dhe politik i dhanë pamjen e plotë të një qytetërimi antik mesdhetar. Ai u bë bazë e qëndresës ndaj ndryshimeve politike dhe kulturore që ndodhën në Iliri, gjatë sundimit të perandorisë romake.

Periudhën qytetare ilire, shek.IV-I p.e.sonë, prof. N. Ceka e ka cilësuar si periudha që qëndron midis dy momenteve kyçe në procesin shumëshekullor të formimit të etnosit ilir dhe të ngjizjes prej tij të kombësisë arbërore, si një nga periudhat më të shkurtërat të historisë ilire, por edhe nga më të ngjeshurat, për thellësinë e ndryshimeve ekonomike e shoqërore dhe të pasqyrimit të tyre në sferën e kulturës, apo në dendësinë e ngjarjeve politike (Ceka,N. 1982,119).

Pasi nënshtroi mbretërinë ilire dhe shtetin e Epirit, Roma vendosi të qëndronte gjatë në Iliri dhe prej këtej të shtrihej në të gjithë Gadishullin Ballkanik, madje edhe më tej në Azinë e Vogël. Në Iliri, Roma zbatoi një politikë administrative që i shërbeu politikës së romanizimit. Roma, herë pas here, bënte riorganizime në përputhje me situatën politike. Në fund të shek. I p. e. sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), e cila përfshinte një territor shumë të gjërë. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshme krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër, atë të Mëzisë, që përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëherë bënte pjesë në provincën e Maqedonisë. Në fund të shek. IV të e. sonë u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania dhe Etolia, në jug të tij. Në periudhën e vonë antike, Iliria e Jugut ishte e ndarë në katër provinca: Prevali (me qendër Shkodrën), Dardania (me qendër Shkupin), Epiri i Ri (me qendër Durrësin) dhe Epiri i Vjetër (me qendër Nikopojën).

Gjatë shek.I e.sonë ndodhën ndryshime në jetën e qyteteve. Disa qytete si Skodra, Dyrrahy, Bylisi, Buthroti morën statusin e kolonive. Zhvillimi i mëtejshëm i këyre qyteteve ka qenë i lidhur me zhvillimin që mori zejtaria, tregtia dhe bashkë me to edhe rrjeti i komunikacionit. Një rrugë shumë e njohur ka qenë rruga Egnatia, e cila lidhte Dyrrahun e Apoloninë, kalonte në Thesalonik dhe në fund arrinte deri në Konstandinopojë. Ajo ishte e gjatë 267 milje (395 km) dhe u ndërtua në shek. I p.e.sonë nga prokonsulli i Maqedonisë G. Egnatius, nga mori edhe emrin Via Egnacia.

Në kohën e vonë antike, kur fuqia e Perandorisë Romake kaloi në provincat, jeta qytetare vazhdoi të lulëzonte në disa prej tyre. Dyrrahu ishte një nga qytetet më të mëdha të kohës së vonë antike dhe të qytetërimit të hershëm bizantin. Nga provincat e Ilirikut dolën personalitete të shquara të Perandorisë Romake e Bizantine si gojtari Asin Epikadi dhe juristi Prisku, perandorët e shek.III-IV të e.sonë Klaudi II, Aureljani, Diokleciani, Maksim Daza, Kostanci, Kostandini I, Justini, Justiniani etj (Historia e Popullit Shqiptar, 111-185).

Për herë të fundit, ilirët përmenden në vitin 601 të e.sonë në kronikën e Shën Demetrit të Selanikut. Ndërsa më 1018, nga kronisti bizantin Mihail Ataliati, mësojmë emrin e provinczës së Arbanonit që zinte përafërsisht territorin që në antikitet banohej nga fisi ilir i albanëve (Freshëri, K., 57).

E quajmë të nevojshme të japim sqarimet e mundëshme lidhur me lindjen dhe përdorimin e emrit ilir. Termin ilir (Illyris, Hyllirus), për herë të parë, e ndeshim në burimet e shkruara tek Herodoti (Herodoti VIII, 137), por që ka mjaft të ngjarë të jetë përdorur më herët. Në fillim ai ka patur një kuptim të ngushtë gjeografik me të cilin quheshin nga grekët një a më shumë fise që banonin në veri të tyre gjatë bregut të detit Adriatik. Ndoshta edhe ata e kanë thirrur vehten e tyre ilir. Më vonë, me zgjerimin e lidhjeve tregëtare, grekët e shtrinë përdorimin e këtij emri për një numër shumë më të madh fise ilirësh që banonin në veri të tyre. Në këtë mënyrë, gradualisht, emri ilir mori një kuptim të gjërë etnik duke përfshirë të gjitha fiset që ishin të njëjta ose shumë të afërta për nga origjina, nga kultura dhe nga gjuha.

Pas shek. V p. e. sonë, me krijimin e formacioneve shtetërore emri ilir, veç kuptimit etnik, mori dhe një kuptim më të ngushtë politik. Me këtë emër quhej shteti ilir i cili shtrihej midis lumenjve të Vjosës e Naretvës (Kroaci). Në burimet latine të shek. I të e. sonë, tek C. Plinii Secundi e Pomponii Melae përdoret termi “Illyrii proprie dicti” (ilirët e mirëfilltë) (Plini III, 5 – 30). Ky emër siç janë shprehur shumë studiues, nënkuptonte popullsinë që shtrihej brenda territorit të shtetit ilir, në kufijtë e tij më të gjërë. Në burimet e mëvonshme, emri ilir dhe Iliriku, si provincë, e ndeshim deri aty nga shek. VI e. sonë.



Origjina e Ilirëve

Origjina e ilirëve, procesi historik i formimit të tyre, ka qenë e vazhdon të jetë një nga problemet themelore të historisë së lashtë të Shqipërisë, e në të njëjtën kohë edhe një problem për prehistorinë ballkanike, sepse zgjidhja e tij ishte e lidhur me origjinën e popujve të tjerë të lashtë të Ballkanit. Ndaj për një kohë të gjatë me këtë problem janë marrë linguistë, historianë, arkeologë, antropologë e etnografë, të cilët me studimet e tyre, nga një periudhë në tjetrën, kanë çuar më tej zgjidhjen e tij. Dhe në këtë rrugë të gjatë të kërkimit të së vërtetës shkencore e vlen të njihemi me historinë e tij.

Problemi i origjinës së ilirëve lindi në një fazë parashkencore nga pyetja që kishin shtruar humanistët europian në shek. XV-XVI; lidhur me popullsitë e lashta të Ballkanit dhe me fatin e mëtejshëm historik të ilirëve, trakëve e maqedonëve. Pyetja që u shtrua se kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, çonte në kërkim të origjinës së ilirëve. Kërkimet e para shkencore për këtë problem u bënë në shekullin e XIX kur studjues të huaj si Thunman, Hahn etj., bënë përpjekjet e para për zgjidhjen e problemit të origjinës së popullit shqiptar, duke u mbështetur tërësisht në analizën e materialit gjuhësor, që gjëndej në burimet e autorëve antikë. Materialin e nevojshëm gjuhësor që ata grumbulluan e studiuan me metodat e mjetet e gjuhësisë krahasuese, e cila në atë fazë ishte ende e pazhvilluar e nuk mund t’i përgjigjej detyrave të sqarimit të origjinës së ilirëve. Ata krahasonin në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e sotme shqipe me mbeturinat e një gjuhe të lashtë mesdhetare paragreke, tek bartësit e së cilës kërkonin prejardhien e shqipes dhe të shqiptarëve, pa marrë parasysh etapat e ndërmjetme historike, në të cilat kishte kaluar ky proces.

Përdorimi i kësaj metode jo të përshtatshme për ndriçimin e çëshjes sëilirëve la shteg për interpretime e spjegime, që shkonin shumë larg së vërtetës. Gjatë epokës së Rilindjes kombëtare shqiptare hipoteza e J.G.Hahnit (Hahn,J.G. 1954,213) për prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, ndonëse e pambështetur në shumë fakte, u përqafua nga ideologët e Rilindjes sonë dhe u përdor si një mjet i mirë në luftën që ata bënin për t’i njohur shqiptarët si një komb i lashtë. Në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX problemi i origjinës së ilirëve u çua më tej nëpërmjet metodave të reja shkencore, që filloi të përdorë gjuhësia krahasuese. Në këtë mënyrë u bë e mundur të përcaktohej një shtrirje e përafërt e ilirishtes dhe e folësve të saj në vatrat jashtë ballkanike e në vetë Ballkanin. Megjithatë, meqënëse zbatoheshin metoda formale të gjuhësisë krahasuese, mbetej shumë i papërcaktuar idenfikimi i elementit të mirëfilltë ilir, kështu që në vitet’30, u arrit në fenomenin e njohur të “panilirizmit”, i cili zotëroi në atë kohë në shkencën linguistike, e me të u bashkuan edhe disa arkeologë (Buda,A. 1974,52). Prioriteti që kishin studimet gjuhësore ndaj kërkimeve e gjurmimeve arkeologjike, ndikoi për keq në ndriçimin e qartë të problemit. Fakti që shpjegimi i origjinës së ilirëve mbështetej vetëm në mundësitë e kufizuara të një shkence të vetme, të gjuhësisë, nuk mund të çonte në përfundime të sakta, veçanërisht pa marrë për bazë fjalën vendimtare të arkeologjisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore kërkimet e studimet arkeologjike në fushën e prehistorisë ballkanike, e veçanërisht në atë ilire, shënuan arritje të rëndësishme në të gjitha drejtimet. Duke u nisur nga materialet konkrete e të mirëfillta ilire të zbuluara në territorin e Ballkanit perëndimor, duke kaluar nga fakte më të njohura të epokës së hekurit, u kalua në fusha më pak të njohura të epokës së bronzit. Në këtë rrugë u arritën përfundime të reja e diametralisht të kundërta për spjegimin e origjinës së ilirëve. Kështu me futjen e arkeologjisë në një rrugë metodike të re e të frytshme, u shënua një kthesë rrënjësore në ndriçimin e problemit themelor të etnogjenezës ilire.

Në rrugën e zgjidhjes së problemit të etnogjenezës së ilirëve janë kristalizuar dy teza themelore. Sipas tezës së parë, ose më drejt tezës së vjetër, ilirët janë një popullsi e ardhur nga veriu në një kohë relativisht të re; kurse sipas tezës tjetër, ilirët dhe kultura e tyre janë produkt të një zhvillimi të brendshëm autokton, që u krye gjatë mijëvjearit të II e I p.e.sonë në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.



Pikëpamjet rreth origjinës veriore

Për origjinën veriore të ilirëve janë shprehur arkeologë, historianë, linguistë e studjues të tjerë, pikëpamjet e disave prej tyre, në formë të përmbledhur, po i parashtrojmë më poshtë.

Sipas pikëpamjes së arkeologut G.Kossina (Gjermani) origjinën e ilirëve duhet ta kërkojmë në lumin Oder, në krahinën Luzhic (Gjermania Lindore ) ku ilirët u formuan si popullsi, që në epokën neolitike dhe më pas u shtrinë në jug (Kossina,E. 1912,173). Autori bazohet në ngjasime formale të kulturës materiale të Luzhicës dhe Panonisë, e cila duket se lidhet me kulturën e njëjtë ilire si edhe në disa emra gjeografikë të spjeguar si ilir. Por siç kanë treguar faktet arkeologjike kjo rrugë e ardhjes së tyre në jug nuk mund të provohet nga të dhënat arkeologjike, madje edhe të dhënat etimologjike nuk janë të sigurta. Përafërsisht këtë pikëpamje mbron edhe R.Pittioni, i cili kulturën e vjetër të Lauzicës dhe kulturën e Fushave me Urna e quan grup kulturor protoilir, kurse kulturën e Halshtatit (Austri) dhe kulturën e zhvilluar të Lauzicës e quan si produkt të qytetërimit të pjekur ilir. Gjithashtu ai është i mendimit se protoilirët në periudhën e Fushave me Urna dhe në epokën e vjetër të hekurit kanë patur rëndësi botërore (Pittioni,R. 1954,53).

Dobësia themelore e kësaj pikëpamje, është se përkrahësit e saj mbështeten në disa shfaqje të jashtme të kulturës materiale prehistorike të Lauzicës dhe nuk e krahasojnë atë me materialet e territorit të mirëfilltë ilir, por e përqasin me materialet e krahinave të largëta periferike që në fakt janë vetë të paqarta etnikisht.

Në fillim të shekullit XX tezën e prejardhjes veriore të ilirëve e mbështetën, pa sjellë fakte e prova të reja, edhe studjues të tjerë të cilët nuk sollën ndonjë ndihmesë në ndriçimin e këtij problemi (Schütt,C. 1910,10; Patsch,C. 1907,169-174).

Një variant tjetër i origjinës veriore të ilirëve e lidh prejardhjen e tyre me kompleksin e madh të kohës neolitike të Evropës së Mesme, të njohur me emrin kompleksi i qeramikës kordelore (bandkeramik). Duke e kërkuar ekzistencën e ilirëve në një kohë shumë më të hershme, që në epokën e neolitit, dhe për më tepër duke u mbështetur në disa tipare jo qënësore të saj u përpoqëm të spjegonin origjinën e qeramikës kordelore në Ballkanin veri-perëndimor, me popullsinë protoilire.

Tezën e origjinës veriore e të panilirizmit e përkrahën edhe disa linguistë. Kështu, sipas disa studiuesve si Kreçmer etj., origjina e ilirëve duhet kërkuar në Gjermaninë Lindore, në krahinën rreth Vistulës së Mesme; pastaj sipas tyre, që andej ilirët u hodhën më vonë në Ballkan. Kjo teori mbështetet në lidhjen e disa anëve të jashtme të kulturës së kohës së mesme të bronzit në Gjermaninë e Qendrore me ato të kulturës së kohës së bronzit të territorit të mëvonshëm ilir dhe të Ballkanit. Konkretisht, ata marrin si bazë faktin që në të dy krahinat paraqitet i njëjti zakon i varrimit në tumë, fakt që është i përhapur në tërë Evropën dhe në Azinë e afërme. Por bartësit e një zakon i tillë u takojnë komplekseve kulturore të ndryshme. Edhe emrat gjeografikë që sjellin si argumenta, gjenden edhe në vise të tjera shumë larg. Bile sipas këtij varianti shkohet aq larg saqë thuhet se themelonjësit e Bizantit kanë qenë ilirët (Kretschmer,P. 1935,217).

Sipas pikëpamjes së një linguisti tjetër H.Krahe, ilirët kanë banuar në tokat alpine, në Panoni e Çeki e ka shumë të ngjarë në një zonë të gjërë të Gjermanisë Perëndimore dhe se ilirët kanë patur rëndësi të madhe në popullimin e Evropës parahistorike (Krahe,H. 1954,93-101). Në këtë mënyrë kjo pikëpamje bashkohet me përkrahësit e teorisë së nordizmit, e cila u pasua nga shumë shkencëtarë gjermanë.

Në veprat e shumë linguistëve gjuha ilire dhe grupëzimet etnike ilire, karakteri indoevropian ose jo i tyre, djepi i formimit dhe shtresëzimet etnike e gjuhësore kanë zënë një vend qëndror në shqyrtimin e prehistorisë Evropiane. Studiuesit duke u nisur nga krahasimet gjuhësore vënë në dukje se kultura e bronzit e mijëvjeçarit II p.e.sonë në Poloninë Perëndimore, Silezi, Saksoni, në krahinat e Sudetëve dhe në Austrinë e Poshtme, e ashtuquajtura kultura Aunjetic si edhe kultura e vjetër e Fushave me Urna e pasuar nga kultura Lauzic, u përkasin ilirëve (Mayer,A. 1957,3).

Në tekstin e “Historisë së Bullgarisë” për origjinën ilire thuhet se në fund të mijëvjeçarit II p.e.sonë në territorin e Gadishullit Ballkanik depërtuan fise ilire që banonin deri në atë kohë në rrjedhën e sipërme të Danubit (“Istoria Bollgarii”,1954,I,21). Edhe në një pjesë të literaturës greke përsëritet kjo tezë e njohur e origjinës veriore. Ilirët, sipas tyre, janë një popullsi e afërt me trakasit dhe grekët, të cilët të shtrënguar edhe këta nga popuj të tjerë më veriorë, braktisën fushat e Hungarisë, ku ishin vendosur deri atëherë, dhe aty nga mbarimi i shekullit XII p.e.sonë, jo më vonë, zbritën në drejtim të jugut në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, e cila banohej prej trakëve (Kanaculi,D. 1958,5-18).

Për problemin e identifikimit të etnosit ilir, të bazës etnokulturore dhe të kohës së formimit të tij është shprehur në disa studime të tij edhe B.Gavela. Sipas pikëpamjet së tij të viteve gjashtëdhjetë, kultura panonike ka patur një karakter të theksuar ilir; gjithashtu e tërë krahina halshtatjane karakterizohej nga një popullsi mbizotëronjëse ilire. Kultura e Lauzicës dhe e ashtuquajtura qeramikë panonike, e cila lidhet me grupin e Vuçedolit, sipas tij, janë elementet kryesorë të kulturës materiale në truallin evropian (Gavela,B. 1961,325-327). Ai mendon se ilirët kanë përbërë një nga grupimet më të mëdha indoevropiane në Europë, pra kanë patur një shtrirje mjaft të gjërë. Edhe identifikimin e kompleksit ilir ai e çon shumë herët. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në një studim më të ri, po ky autor, ka shfaqur një pikëpamje tjetër, që shkon shumë larg nga mendimi i tij i parë, identifikimin e etnosit ilir e çon shumë vonë, nga fundi i epokës halshtatiane, d.m.th. rreth shek.VI-V p.e.sonë (Benac,A. 1973,93-96).

Në vitet 50-60 të shekullit XX u shprehën mendime, pro tezës së vjetër të panilirizmit. Sipas tyre ilirët kishin populluar hapësira të gjëra tokash buke në Evropë dhe në epokën prehistorike ishin shtrirë në pjesën më të madhe të Evropës, por fati i ilirëve mori fund gjatë katastrofës së madhe që ndodhi në pragun e kalimit nga mijëvjeçari II në mijëvjeçarin e I p.e.sonë (Hehn,F. 1962,87-88). Sipas një varianti tjetër lëvizja e ilirëve prej fushave hungareze, në drejtim të jugut e juglindjes që ka ndodhur jo më vonë se shek. XIII p.e.sonë, ka qenë shkaku kryesor i të gjithë lëvizjeve që prekën Azinë Perëndimore, Greqinë dhe Italinë dhe që shkatërruan dominimin aheas në Peloponez. Ilirët zbuan trakët nga pjesa perëndimore e Ballkanit dhe kjo pjesë u quajt më vonë me emrin Iliri (Nilcken,U. 1960, 52). Gjithashtu ata kanë marrë pjesë aktive në diasporën që u krijua në botën mikene (Caratelli,G.P. 1961, 143).

Ka edhe linguistë të cilët të nisur nga teza se indoevropianizimi i Ballkanit lidhet me ardhjen e indoevropianëve nga veriu i kontinentit, vazhdojnë të mbrojnë tezën e origjinës veriore të ilirëve. “Sipas kësaj pikëpamjeje emigrimi i popullsive që flisnin ilirisht përfaqëson lëvizjen e fundit etniko-demografike më të shënuar në epokën pre dhe protohistorike nga veriu ose veri-lindja (mbase nga territoret e Polonisë së sotme) drejt bregut Adriatik. Si popullsi indoevropiane, e ardhur nga veriu, ilirët në përgjithësi ishin me shtat të gjatë, të fortë, të hedhur, me ngjyrën e lëkurës dhe të flokut bjond, njësoj si trakët, sllavët, gjermanët, keltët (Russu,J.I. 1969,30-31) Me këto përfundime autori është plotësisht në një mendje me e teorinë që e kërkon origjinën e ilirëve tek rraca gjermanike.

Në fillim të shek. XX u shfaqën mendimet e para për përkatësinë racore të ilirëve. Sipas këtyre pikëpamjeve ilirët, e ardhur

në Evropën Juglindore, i përkasin racës nordike. Ata gjetën në këtë trevë një popullsi e cila në pjesën më të madhe ishte e racës mesdhetare. Nga përzierja e dy popullsive, sipas tyre, u formua një lidhje e re antropologjike, nordiko-mesdhetare. Një nga përfaqësuesit e kësaj pikëpamjeje, antropologu O.Reche shkruan se ilirët ishin fise me pamje nordike (homo europeus) tip ky që konstatohet veçanërisht në bregdetin e Adriatikut. Këtë tip me tipare nordike e gjen shpesh edhe sot në Shqipëri (Reche,O. 1926, 48-50). Ekziston edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës ilirët do të kenë pasur në përbërjen e tyre elementë dinarikë qysh përpara se të arrinin në gadishullin Ballkanik. Por edhe këta antropologë origjinën e tipit dinarik e shohin në Evropën Qendrore, duke qëndruar kështu në pozitat e origjinës veriore të ilirëve (Dhima,A. 1976.5,35).

Siç shihet nga pikëpamjet e rreth 30 studjuesve të ndryshëm që parashtruam, megjithëse ata trajtojnë të njëjtin problem, të nisur nga burime të ndryshme, e për më tepër nga koncepte e parime metodologjike të ndryshme, rrjedhimisht kanë arritur në përfundime shumë herë mjaft larg me njëri – tjetri. Ato i bashkon vetëm fakti që i bëjnë ilirët të ardhur në trevën kur ata njihen nga burimet historike; kurse, përsa i takon vatrës më të hershëm se nga erdhën ilirët, ashtu

edhe kohës së ardhjes së tyre, mendimet e parashtruara për këtë tezë ndahen njëra me tjetrën ose shumë pak afrojnë midis tyre.

Ndër tezat e shumta, ajo e origjinës veriore dhe e panilirizmit, e paraqitur në njërin ose tjetrin variant, ka mbizotëruar për një kohë të gjatë. E meta themelore e saj qëndron në faktin se shumica e përfaqësuesve të kësaj teze, të cilët duan të spjegojnë formimin e kulturës ilire nga kultura e Lauzicës, kultura e Fushave me Urna, nga kultura Aunietic, apo Kordelore nisen nga disa shfaqje e dukuri të jashtme të kulturave prehistorike periferike, ku ata konstatojnë disa elementë të përbashkët dhe nuk analizojnë e nuk mbështeten tek tiparet e qënësishme të kulturave që vijnë nga territori i mirëfilltë. Të kërkosh sot, pas gjithë këtyre përfundimeve dhe arritjeve të kërkimeve arkeologjike në fushën e kulturave prehistorike të Ballkanit dhe të Evropës, origjinën e kulturës ilire në kulturën e Lauzicës, në kulturën Kordolore apo qoftë edhe në kulturën e Fushave me Urna, është një kthim shumë mbrapa, sepse zbulimet dhe studimet arkeologjike tashmë e kanë zgjidhur dhe e kanë përcaktuar qartë përkatësinë etnike të këtyre kulturave.

Zgjidhja e drejtë e problemit të etnogjenezës ilire, deri në mesin e shek. XX, është ndërlikuar për shkak të një farë mbizotërimi të pikëpamjeve gjermane në fushën e linguistikës dhe të arkeologjisë, të cilat janë ndjerë shumë gjatë njëqindvjetëve të kaluara.

Edhe një varg linguistësh, të cilët cituam më lart, në zgjidhjen e problemit që po shqyrtojmë, kanë qenë nisur nga të dhëna gjuhësore pak të njohura e jo shumë të sigurta, që vijnë nga territore jo të mirëfillta ilire. Gjithashtu ato janë mbështetur në tezën sipas të cilit zona skandinave ka qenë jo vetëm atdheu i protoindoevropianëve, por edhe djepi i qytetërimit ballkano-anatolik. Pikërisht këtu qëndron një e metë tjetër e prehistorianëve dhe e linguistëve që, siç pohon me të drejtë M.Budimir, -në studimin e prehistorisë evropiane ata nisen nga mjegulla skandinave pa monumente të shkruara, e jo nga dielli ballkano-anatolik dhe shkrimi i hershëm i tij (Budimir, M. 1953,28-29).

Idetë që parashtruam nxjerrin në sheh disa nga mangësitë thelbësore të teorisë për prejardhien veriore të ilirëve, të cilat, sipas mendimit tonë, cënojnë dhe përfundimet e arritura prej tyre. Ndaj e quajtëm të panevojshme e të tepërt të hynim në hollësirat e këtyre tezave. Ne do të ndjekim një rrugë tjetër që na duket më bindëse, do të parashtrojmë tezën për autoktoninë e ilirëve dhe me fakte e argumente do të provojmë pikëpamjen tonë e të studiuesve të tjerë shqiptar.



Pikëpamjet kryesore për autoktoninë e ilirëve

a)Pikëpamjet e studjuesve të huaj

J.G.Hahn, një shekull e gjysmë (1854) më parë është i pari që ka parashtruar tezën e tij se shqiptarët janë paraardhës të ilirëve dhe këta të fundit janë pasardhës të pellazgëve (Hahn,J.G. 213). Sipas tij ilirishtja është një gjuhë pellazgjike, në një kuptim më të gjërë Illyrian-pellazge. Në tezën e tij Hahni përfshin tek ilirët edhe Epirotët e Maqedonët; të gjithë këta popuj ai i bën të ardhur prej pellazgëve. Kjo tezë shpreh karakterin autokton të formimit të popullsisë ilire nga një popullsi më e lashtë mesdhetare, të cilën e quan pellazge. Njëqind vjet më vonë, më 1952, linguisti M.Budimir, duke analizuar të dhënat gjuhësore për ilirët dhe parailirët, midis të tjerash arrin në përfundimin se indoevropianët më të vjetër të zonës së pellgut të Mesdheut kanë qenë të ashtuquajturit pelastë, të cilët kanë banuar në truallin e Ballkanit dhe të Italisë, shumë kohë më parë se të vinin këtu indoevropianët klasikë, fiset greke e italike. Sipas tij, pelastëve u përkasin edhe ilirët që kanë lënë mjaft gjurmë linguistike (Budimir,M. 1952,10).

Në rrafshin arkeologjik çështja e origjinës së ilirëve u shtrua nga M.Garasanin në vitin 1955. Duke bërë përgjithësimin dhe interpretimin historik të materialit arkeologjik për kulturat prehistorike të Evropës Juglindore, ai arrin në përfundime të rëndësishme për karakterin autokton të formimit të kulturës ilire. Sipas tij, si bazë themelore e formimit të ilirëve dhe të pellasgëve duhet të merren në konsideratë bartësit e kulturës së mëvonshme neolitike në qarkun pellazgjik: Ballkan dhe Azi e Vogël. Këtë kulturë ai e quan kompleksi ballkano-anatolik i neolitit të ri, duke dalluar në të disa grupe kulturore. Këto grupe të kompleksit ballkano-anatolik të kohës së hershme të bronzit janë përhapur në territorin e pellazgëve të vjetër në kohën paragreke. Si rrjedhim, gjithnjë sipas tij, origjinën e pellazgëve duhet ta lidhim me kompleksin ballkano-anatolik të kohës së hershme të bronzit, në të cilën duhet të kërkojmë medoemos edhe origjinën e ilirëve dhe të trakëve të vjetër, të lidhur ngushtë me pellazgët. Nga kjo bashkësi fisesh të ndryshme, të lidhura me kulturë dhe gjuhë të ngjashme, më vonë, pa kurrëfarë ndërprerje gjatë zhvillimit historik ilirët ndahen në perëndim, kurse trakasit në lindje të Moravës (Garasanin,M. 1956,323-332).

Sqarimi i tezës së autoktonisë së ilirëve mori një formë më të plotë në trajtesën që i bën këtij problemi A.Benac në vitin 1964. Duke u mbështetur në të dhënat arkeologjike të fituara nga zbulimet dhe studimet shumëvjeçare të kulturës pre e protohistorike ilire të territorit të ish Jugosllavisë, autori arrin në këto përfundime:

Gjatë periudhës së kalimit nga epoka e neolitit në atë të bronzit në Ballkanin Veriperëndimor u krijua substrati kryesor për etnogjenezën e mëvonshme të fiseve ilire në këtë zonë. Në këtë periudhë nuk mund të flitet për kurrfarë ilirësh. Të gjitha këto grupime popullsish të Ballkanit Veriperëndimor, janë parailire të cilat u zhvilluan mbi një bazë autoktone gjatë periudhës së hershme, të mesme dhe një pjesë të madhe të periudhës së vonë të bronzit. Autori i quan ato grupe protoilire dhe, megjithëse nuk kemi akoma një element të vetëm etnik, prapëseprapë këto janë ato grupe që gjatë lëvizjeve të mëtejshme, të brendëshme e të jashtme, do të shpien përfundimisht në krijimin e trungut etnik protoilir dhe ilir. Në përfundim ai sqaron se nuk ka kurrfarë baze për supozimin se në këtë periudhë ilirët erdhën në vendbanimet e tyre të mëvonshme dhe se këta i dhanë fund të ashtuquajturit misionit të tyre “historiko-botëror”. Përkundrazi, unë mendoj se sot është më e qartë se në këtë truall ata u shtuan dhe erdhën gradualisht deri në pikën ku mund t’i konsiderojmë si bashkësi më të gjëra ilire (Benac,A. 1964,70).



b) Pikëpamjet e studiuesve shqiptarë

Etnogjeneza e ilirëve, si një nga problemet parësore të Historisë së Lashtë të Shqipërisë, ka qenë objekt kërkimesh e studimesh për arkeologjinë shqiptare dhe kjo dëshmohet që në hapat e para të gërmimeve të viteve, 50 (shek. XX) që u bënë në tumat e Matit. Kështu historia e mendimit arkeologjik shqiptar për origjinën e ilirëve nis me fillimin e gërmimeve sistematike në vitet 1952-56, kur u zbuluan tumat e Matit, të Vajzës së Vlorës e të Dropullit. Nga interpretimi i materialit të zbuluar u arrit në mendimin se ilirët kanë qenë jo vetëm bartës të kulturës së hekurit në vendin tonë, por edhe banorë të këtij trualli edhe në epokën e bronzit. Kjo nismë e mirë u bë bazë për gjithë punën e mëvonshme, për ndriçimin dhe sqarimin e origjinës së ilirëve.

Problemi i etnogjenezës ilire fitoi një bazë të re shumë më të gjërë faktike pas zbulimeve të rëndësishme, që u bënë në Maliq, Gajtan, Tren (Korçë), Pazhok, Belsh (Elbasan), e gjetkë. Në vitet. 70-80, me grumbullimin e një lënde të pasur nga shumë varreza tumulare të kohës së bronzit e të kohës së hekurit, u hodhën bazat për spjegimin dhe interpretimin e një varg problemesh të pre e protohistorisë shqiptare, të cilat, së toku, e argumentuan më mirë tezën e origjinës autoktone të ilirëve.

Para se të parashtrojmë pikpamjen tonë për origjinën e ilirëve, e quajmë të udhës të renditim kronologjikisht mendimet e kolegëve shqiptarë.

Më 1955, S.Islami, H.Ceka, F. Prendi, S.Anamali, pasi shqyrtuan materialet e zbuluara në tumat e Matit, vunë re se një varg objektesh të epokës së hekurit kishin lidhje me objektet e epokës së

bronzit. Këto të dhëna i çuan ato në përfundimin se ky vazhdim i traditave të bronzit në qeramikë na jep të drejtën të pohojmë: “Ilirët nuk kanë qenë vetëm bartës të kulturës së hekurit në vendin tonë, sikurse kanë shkruar shkencëtarët e huaj, por përkundrazi, ata kanë banuar në atdheun tonë edhe në kohën e bronzit”(Islami,S. etj., 1955,154).

Më 1957 F.Prendi, duke interpretuar materialin arkeologjik të zbuluar në tumat e Vajzës, shkruan: “Duke pranuar se bartësit e kulturës së Vajzës kanë qenë ilirë, duhet të mendohet njëkohësisht se ky element etnik krijoi jo vetëm kulturën e hekurit, por edhe atë të bronzit në vendin tonë” (Prendi,F. 1957,2,106).

Më 1959, në botimin e parë të tekstit “Historia e Shqipërisë”, teza e autoktonisë ilire shtrohet me një farë mëdyshje: “Siç shihet, – thuhet në tekst, -problemi mbetet akoma i pazgjidhur. Megjithatë nga dy tezat kundërshtare ajo e autoktonisë ka meritën se tërheq vëmendjen mbi materiale, të cilat, megjithëse të pamjaftueshme, hedhin një dritë të re mbi problemin e gjenezës së ilirëve dhe formojnë një nxitje për kërkime më të reja”(Historia e Shqipërisë 1959,I,51).

Më 1962, S.Islami dhe H.Ceka, duke interpretuar materialet arkeologjike të reja të Pazhokut dhe të Maliqit , arrijnë në përfundimin se dukjen e etnosit ilir e shohim jo në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë, por që në fillim të epokës së bronzit. Madje, pikëpamjen për lashtësinë e bartësve të kulturës së epokës së bronzit e çojnë edhe më tej, në epokën eneolitike (Islami,S., Ceka,H., 447). Në dritën e materialeve të Maliqit, po në atë vit, F.Prendi arrin në përfundimin: “Përsa i takon periudhës së hershme të bronzit nuk është vështirë të dallohet, në disa tipare të fizionomisë së saj, prania e elementit etnik ilir” (Prendi,F. 1965,635).

Duke parashtruar përfundimet për vendbanimin e Maliqit, F.Prendi, pasi shqyrton materialin e epokës së bronzit, në tri periudhat e zhvillimit të saj, argumenton vazhdimësinë kulturore gjatë këtyre periudhave, si dhe karakterin ilir të disa enëve dhe të elementeve dekorative. Ai shkruan se të gjitha këto paraqesin një tregues të gjallë e bindës të unitetit kulturor të gjithë epokës së bronzit, e cila shpreh rrjedhimisht edhe karakterin etnik të qëndrushëm të bartësve të kësaj kulture, me fjalë të tjera, karakterin ilir të kulturës së kohës së bronzit të Maliqit në të gjitha etapat e zhvillimit të saj (Prendi,F. 1966, 277-278).

Më 1969, S.Anamali dhe M.Korkuti, duke u mbështetur në të dhënat e zbuluara në Pazhok, Maliq, Tren (Korçë) dhe Gajtan (Shkodër) argumentuan karakterin autokton të formimit të kulturës ilire në territorin e Ballkanit Perëndimor, gjatë mijëvjeçarit të II p.e.sonë. Madje në vendbanimet e Maliqit e të Trenit jo vetëm që provohet se ilirët janë autoktonë por edhe vijimësia kulturore etnike mund të ndiqet që nga epoka e bakrit e këtej (Anamali,S., Korkuti,M. 1969,17).

Më 1972, në Kuvendin I të Studimeve Ilir, prof. A.Buda, shkruan se “koncepteve të një vatre jashtëballkanike të formimit të etnosit ilir dhe të dyndjes së tij në një kohë më të vonë, bashkë me kulturën e hekurit nga Evropa e Mesme e Veriore, mund t’u kundërvihen argumente që flasin për formimin autokton të etnosit ilir në Ballkan e në trevën shqiptare qysh nga koha e bronzit, mbi bazën e një kompleksi kulturor ballkano-anatolik” (Buda,A. 1974,I,53).

Mbi bazën e të gjithë të dhënave të grumbulluara nga gërmimet arkeologjike dhe të përgjithësimeve që u bënë për to, M.Korkuti, po në këtë Kuvend, bëri përpjekje për të krijuar një pamje më të gjërë për etnogjenezën ilire. Formimin e etnosit ilir ai e pa si një proces të gjatë historik, që lindi dhe u zhvillua mbi një bazë e një stad të caktuar të zhvillimit social-ekonomik të shoqërisë ilire. Në këtë këndvështrim, lindja e etnosit ilir u kërkua në epokën e bronzit të mesëm, natyrisht mbi një bazë më të hershme autoktone (Korkuti,M. 1974,I, 73-77).

Disa vite më vonë, F.Prendi shprehu mendimin se procesi i formimit të etnosit ilir nisi në fund të periudhës së bronzit të hershëm (në fazën e kulturës së Maliq IIIb) mbi bazën e një strukture të re etno-kulturore, e cila do të kristalizohej edhe më mirë në periudhën e hershme të hekurit (Prendi,F. 1979,144).

Nga paraqitja e kësaj rruge të përpjekjeve për zgjidhjen e problemit të rëndësishëm të origjinës së ilirëve mund të nxjerrim disa përfundime.

Në të gjitha mendimet e shprehura dhe përfundimet e arritura, është nënvizuar karakteri autokton i lindjes dhe i formimit të kulturës dhe të etnosit ilir. Gjithashtu, të gjithë studiuesit shqiptarë janë mbëshetur në materialin arkeologjik të zbuluar në territorin e vendit tonë ose në territorin që njihet se është i mirëfilltë ilir.

Përsa i takon periudhës së fillimit të formimit të etnosit ilir pikëpamjet kanë ndryshuar nga koha në kohë, në një diapazon që shtrihet midis eneolitit dhe mesit të epokës së bronzit. Këto pikëpamje të ndryshme janë të dobishme e me vlerë se nxisin mendimin shkencor, por në të njëjtën kohë shprehin edhe pamjaftueshmërinë e argumenteve e të fakteve për zgjidhjen përfundimtare të problemit.



Baza arkeologjike e autoktonisë së ilirëve

Në zgjidhjen e problemeve të tilla kaq të ndërlikuara është i nevojshëm bashkërendimi i përfundimeve të fushave të ndryshme të dijes. Të dhënat arkeologjike, antropologjike, gjuhësore, etnografike dhe ato historike, kur ka të tilla, duhet të bashkërendohen për të arritur në përfundime të sakta. Por një gjë e tillë nuk është e lehtë të arrihet, qoftë nga pamjaftueshmëria e materialit faktik (për njërën ose për tjetrën fushë), qoftë edhe nga konceptet e ndryshme që ekzistojnë midis studiuesve të fushave të ndryshme të dijes lidhur me rëndësinë dhe vlerën që kanë burimet e kësaj ose asaj fushe. Kështu, p.sh. disa gjuhëtarë të huaj kanë mendimin se të dhënat arkeologjike kurrsesi nuk janë të dhëna të mjaftueshme historike për të studiuar procesin e etnogjenezës së një populli dhe se gjoja ato nuk arrijnë të shprehin bashkësinë e tyre etnike. Nga ana tjetër, ka arkeologë, të cilët duke mbrojtur vlerën e burimeve të tyre, i quajnë si të pasakta të gjitha ato teza, që gjuhëtarët kanë ndërtuar për epokën prehistorike pa burime të shkruara.

Sipas disa studiuesve të tjerë, në zgjidhjen e problemeve etnike, përparësia i përket arkeologjisë dhe antropologjisë historike, së bashku me etnologjinë dhe pjesërisht gjuhësinë. Duke u dhënë përparësi burimeve arkeologjike, këta studiues kanë parasysh faktin se kërkimet arkeologjike mbështeten në studimin e gjithanshëm të materialit arkeologjik, në të gjitha llojet e krijimtarisë materiale dhe shpirtërore; kështu që, në ndërtimin e raporteve stratigrafike, të analogjive të ndryshme etj., mund të vendosen lidhje më të sakta në kronologjinë relative dhe absolute, sidomos për periudhat prehistorike. Kjo krijon mundësi për një shqyrtim më të gjërë të epokave të ndryshme të zhvillimit historik, shoqëror dhe etnik.

Në gjendjen e sotme të studimeve, arkeologjia ka dëshmuar e po dëshmon përparësinë e saj në shqyrtimin e problemeve etnike të epokës prehistorike si ndaj gjuhësisë, e cila për vetë të dhënat e varfra e të kufizuara, mund të themi, se ka mbetur më mbrapa, ashtu edhe ndaj antropologjisë, e cila për shkak të zhvillimit ende të pamjaftueshëm dhe pjesërisht edhe të mungesës së skeleteve për epokën prehistorike, është ende larg arkeologjisë.

Kur trajtohet problemi i origjinës së ilirëve, çështja e parë që del përpara dhe që kërkon zgjidhje, është ajo e vazhdimësisë kulturore nga periudha e bronzit të hershëm në bronzin e mesëm, në bronzin e vonë dhe në epokën e hekurit. Kjo është arsyeja që në nismën e këtij problemi S.Islami, H.Ceka, F.Prendi, S.Anamali, i kushtojnë vëmendje vijimësisë kulturore, dhe më pas, po kësaj çështje, i është kushtuar kujdes i veçantë, është trajtuar e analizuar më gjërë mbi bazën e materialeve të reja, të cilat kanë ardhur vazhdimisht duke u pasuruar.

Po e marrim si të zgjidhur (dhe në një masë të konsiderueshme ashtu është) problemin e vazhdimësisë kulturore gjatë epokës së bronzit dhe asaj të hekurit në territorin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, në territorin ku shtriheshin ilirët e mirëfilltë. Po a është i mjaftueshëm ky fakt, ky përfundim paraprak që nxirret për këtë problem? A është e mjaftueshme të provojmë vazhdimësinë kulturore që nga fillimet e epokës së bronzit dhe të themi se aty fillon procesi i formimit të etnosit ilir?

Vazhdimësia e banimit në një trevë të caktuar përbën një nga premisat bazë edhe për formimin dhe konsolidimin e një kulture, të një etnosi a të një gjuhe, ndaj edhe studimi i vazhdimësisë kulturore përbën kushtin e parë dhe mbështetjen themelore të trajtimit tëproblemit të etnogjenezës së ilirëve. Megjithatë, jemi të mendimit se të mjaftohesh vetëm me provat që sillen në të mirë të vijimësisë kulturore, do të thotë ta shikosh ngushtë e në mënyrë të pamjaftueshme procesin e gjatë e të ndërlikuar të formimit të etnosit ilir.

Në literaturën arkeologjike shqiptare janë sjellë të dhëna të mjaftueshme, që provojnë vijimësinë e pandërprerë kulturore në trevën e vendit tonë që nga periudha e bronzit të hershme e këtej. Mbi këtë bazë është shprehur pikëpamja se që këtu fillon edhe etnogjeneza ilire. Pra, sipas kësaj pikëpamjeje, fillimet e autoktonisë përputhen me fillimin e etnosit. Lidhur ngushtë me këtë përfundim, çështja e parë që shtrohet për diskutim është ajo e lidhjeve midis autoktonisë dhe formimit të etnosit.

Megjithëse formimi i etnosit ilir nuk mund të kuptohet pa autoktoninë dhe se të dyja ato zhvillohen krahas, në fillimin e tyre, në pikëpamje kohore, ka një mospërputhje. Autoktonia ka një shtrirje kohore më të gjatë, kurse etnosi ilir vërtet formohet mbi bazën e autoktonisë, por vetëm pasi ajo ka kaluar një kohë të gjatë të ekzistencës së saj. Në rast se pranojmë nismën e një qëndrueshmërie relative në fillim të epokës së bronzit, d.m.th. pranojmë një autoktoni të banorëve të pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik që në fillim të epokës së bronzit, fillimet e formimit të etnosit ilir duhet t’i kërkojmë jo në të njëjtën kohë, por më vonë. Ai proces duhet të paraprihet, sipas mendimit tonë, medoemos nga një periudhë jo e shkurtër e vijimësisë kulturore që kishte filluar qysh më parë.

Por, në nismën e procesit të etnogjenezës nuk mjafton që ai të paraprihet nga një periudhë e autoktonisë relative. Ka edhe faktorë të tjerë të dorës së parë, prania ose mungesa e të cilëve, përshpejton ose ngadalëson, bën të mundur ose përjashton zhvillimin e procesit të etnogjenezës. Kështu, krahas studimit të vijimësisë kulturore, një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet njohjes dhe studimit të premisave ekonomiko-shoqërore, të cilat çuan në lindjen dhe zhvillimin e etnosit ilir.

Kur flasin për kushtet ekonomiko-shoqërore në epokën pre e protohistorike, kemi parasysh vendin që zinin ato, krahas faktorëve të tjerë dhe rolin që ato luanin në formimin e bashkësisë etnike. Niveli i ulët i zhvillimit të forcave prodhuese në rendin e komunës primitive nuk krijonte kushte për shtimin e ndjeshëm të prodhimit, për krijimin e mbiprodukteve dhe, si rrjedhim, shkëmbimet e lidhjet ekonomike ishin ende të dobëta; shkëmbimi midis fiseve i nënshtrohej më shumë rastësisë. Por, ka rëndësi të vihet në dukje se, gjatë epokës së shthurjes së komunës primitive, në periudhën e bronzit të vonë e sidomos gjatë periudhës së hekurit të zhvilluar, në territorin e Ilirisë së Jugut ndodhën ndryshime të dukshme në disa degë të ekonomisë, të cilat ishin me rrjedhime të rëndësishme edhe në zhvillimin e proceseve etnike.

Krahas degëve të tjera të ekonomisë që u përsosën dhe u zhvilluan më tej, një vend të veçantë e të gjërë zuri metalurgjia. Dëshmi për këtë janë gjetjet e shumta të armëve, të objekteve të zbukurimit e të veglave të punës, të punuara nga bronzi e hekuri, të cilat dallohen edhe për cilësinë e lartë të punimit. Ky zhvillim i metalurgjisë nuk mund të kryhej brenda ekonomisë së mbyllur të një fisi. Me nxjerrjen, përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve metalike tashmë merreshin shtresat e reja shoqërore që po lindnin dhe fuqizoheshin ekonomikisht, të cilat shpunë objektivisht në fuqizimin e lidhjeve ekonomike ndërkrahinore, mbi bazën e marrëdhënieve të reja shoqërore që po lindnin. Për zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore dëshmojnë edhe sëpatat e bronzit të tipit shqiptaro-dalmat, të cilat, siç duket qartë nga forma e tyre, kanë shërbyer si mjet shkëmbimi, kanë luajtur rolin e paramonedhave. Shprehje e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të bartësve të kulturës ishte edhe shtimi i dukshëm i këmbimeve, me Jugun (Helladën e Egjeun) për të cilin flasin objektet e shumta të importuara. Kështu, një rol të rëndësishëm në zhvillimin etnokulturor të territorit të Shqipërisë gjatë epokës së bronzit kanë luajtur takimet dhe lidhjet me kulturën mikene. Kultura ilire e epokës së bronzit të mesëm, e sidomos e atij të vonë, u zhvillua në fqinjësi dhe marrëdhënie me botën mikene, e cila përfaqësonte shoqërinë më të zhvilluar, shoqërinë më të hershme me klasa në territorin e Evropës. Këto lidhje e takime, të cilat erdhën duke u fuqizuar deri në fund të shek. XIII p.e.sonë, madje jehona e tyre vazhdoi edhe më pas, kanë ndikuar në zhvillimin e këmbimeve si brenda bashkësisë ilire, ashtu edhe midis bashkësisë ilire e botës mikene. Në këtë mënyrë ato, si faktor i jashtëm, kanë luajtur një rol progresiv në formimin e bashkësisë ekonomike ilire në kuptimin që kishte kjo bashkësi ekonomike gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë. Pavarësisht nga shkalla

që njohu bashkësia ekonomike në atë kohë, ajo ka luajtur rolin e vet në formimin dhe konsolidimin e bashkësisë etnike. Prandaj studimi i marrëdhënieve të ilirëve me kulturën mikene përbën një hallkë tjetër në ndriçimin e procesit të formimit të etnosit ilir, marrëdhënie të cilat as duhen injoruar, as duhen mbivlerësuar.

Kur lindën kushtet e përshtatshme ekonomiko-shoqërore për fillimin e formimit të etnosit ilir, në periudhën e bronzit të hershëm, të bronzit të mesëm, të bronzit të vonë apo në fillimet e epokës së hekurit?

Ne kemi shprehur pikëpamjen se etnosi ilir fillon të formohet mbi një bazë autoktone, në bronzin e mesëm dhe me këtë nuk kemi parasysh ndonjë fazë të veçantë, por gjithë periudhën e bronzit të mesëm, të marrë si një tërësi, gjatë së cilës u shënuan ndryshime të rëndësishme në bazën ekonomike. Konkretisht, qeramika e bronzit të mesëm ndryshon dhe dallohet qartë nga ajo e bronzit të hershëm. Ajo është periudha e bronzit të “vërtetë”, kur metali i ri hyn gjërësisht në përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve, është koha kur ngrihen gjërësisht varret monumentale, tumat në territorin e vendit tonë, është koha kur shfaqen për herë të parë objektet e importuara nga Mikena. Në pikëpamje të organizimit shoqëror, kjo është periudha e kristalizimit të gjinisë patriarkale. Edhe në rrafshin gjuhësor disa studiues kanë shprehur mendimin se të dhënat gjuhësore për ilirët shtrihen deri në kohën e kulturës së mesme kreto-mikene (Gavela,B. 1965,149).

Tërësia e këtyre të dhënave na jep të drejtë të shprehim mendimin se në periudhën e bronzit të mesëm, si pasojë e zhvillimit të brendshëm që kishte filluar kohë më parë, vihet re një zhvillim i dukshëm ekonomik e shoqëror, nis një etapë cilësisht e re, e cila shpuri objektivisht në fillimin e një procesi të ri historik, në lindjen e etnosit ilir. Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga një fakt antropologjik, që vjen nga varri nr. 48 i tumës së Patosit, etniciteti ilir dhe koha së cilës i takon (shek.XI-X p.e.sonë) janë përcaktuar mjaft mirë. Kafka e këtij skeleti është ruajtur shumë mirë dhe paraqet një tip të qartë adriatik të formuar, i cili është karakteristik për trevën ilire, duhet kërkuar të paktën disa shekuj më herët, d.m.th përpara periudhës së bronzit të vonë (Dhima,A. 1981,1.159-161).

Në të mirë të ecurisë së proceseve etnogjenetike të ilirëve ka edhe faktorë të tjerë, të cilët, ndonëse jo kryesorë, kanë luajtur rolin e vet në formimin e bashkësisë etnike ilire. Në radhën e faktorëve që duhen njohur dhe studiuar në mënyrë më të plotë është edhe roli që ka luajtur baza e përbashkët ose e përafërt gjuhësore parailire, të cilën e trajtuam hollësisht në kreun I. Elemente të rëndësishme gjuhësore të substratit ballkano-egjean të kësaj epoke, të quajtura nga disa autorë paragreke, parailire ose paratrake, gjenden të pranishme në mbetjet gjuhësore që na janë ruajtur në ilirishten, gjë që i ka çuar shumë studiues të pranojnë lidhje birërie të ilirishtes me pellazgjishten. Këtej mund të nxirret përfundimi se fiset që banonin në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, në të kaluarën e tyre kishin elemente gjuhësore të përbashkëta të rëndësishme, të cilat gjatë epokës së bronzit e asaj të hekurit shërbyen si faktorë, jo pa rëndësi, në formimin e ilirishtes.

*

Një çështje tjetër që ka rëndësi parimore në zgjidhjen e problemit të etnogjenezës ilire, ashtu si edhe të gjenezës shqiptare, është trajtimi i saj si një proces shumë i gjatë historik, rreth 1000 vjet dhe si i tillë domosdo ka kaluar në disa etapa zhvillimi, të cilat, ndonëse ndryshojnë nga njera tjetra, janë pjesë e një procesi të vetëm. Kështu fjala vjen, në qoftë se do të themi se në fund të epokës së bronzit ilirët u formuan si një bashkësi e gjërë, me tipare të qarta kulturore e gjuhësore, kurrsesi nuk do t’i barazojmë ata, as në rrafsh kulturor, as në atë gjuhësor, me ilirët e shek. V p.e.sonë. Megjithëse ilirët e këtyre dy periudhave ndryshojnë shumë midis tyre, ata pasqyrojnë etapa të ndryshme të procesit të zhvillimi të tyre. Kjo çështje ka rëndësi të mbahet parasysh, sepse disa herë kur vjen puna të përcaktohen fillimet e formimit të etnosit ilir, ndodh të kërkohet të gjenden të qarta po ato tipare e veçori kulturore dhe etnike që janë karakteristike për një etapë tjetër të zhvillimit etno-kulturor të ilirëve.

Këto tipare të formimit të individualitetit etnik ilir në një etapë të caktuar kanë qenë të kushtëzuara, para së gjithash, nga shkalla e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe janë zhvilluar në bazë të tri parimeve të përgjithëshme, tanimë të njohura: të diferencimit, të integrimit dhe të asimilimit. Siç dihet, për periudhat më të hershme të lulëzimit të bashkësisë gjinore, kur niveli i zhvillimit ishte i ulët, ka qenë karakteristik procesi i diferncimit, kurse proceset e integrimit, të ngjizjes, të asimilimit dhe të konvergimit kanë qenë veçanërisht karakteristike për periudhën e shpërbërjes së bashkësisë fisnore e të lindjes së shoqërisë skllavopronare. Diferencimi, ngjizja dhe konvergimi janë procese të ndërlikuara evolutive, me shtrirje të gjatë kohore, që gërshetohen e bashkëveprojnë por në çdo etapë të procesit të etnogjenezës ilire njëri fiton gjithmonë përparësi. Kështu, në territorin e Ballkanit Perëndimor, gjatë periudhës së bronzit të hershëm, ka mbizotëruar procesi i diferencimit. Dhe kjo është e kuptueshme. Kulturat e kësaj periudhe, të formuara si pasojë e gërshetimit të kulturave anase neo-eneolitike me kulturën që sollën dyndjet e popujve indoevropianë, në këtë fazë të formimit të tyre kanë një karakter më të përgjithshëm ballkanik e nuk mund të kërkojmë në to veçori dalluese etnike. Gjatë periudhës së bronzit të mesëm vazhdon të thellohet më tej procesi i diferencimit, po njëkohësisht fillon të veprojë edhe procesi i integrimit. Këto procese, të cilat u kushtëzuan nga autoktonia relative dhe nga një sërë përparimesh që u bënë në disa degë të ekonomisë, siç e kemi vënë në dukje edhe më lart, çuan në lindjen e etnosit ilir.

Në periudhën e bronzit të vonë, si rezultat i përparimeve të shënuara në të gjitha fushat e ekonomisë, u zhvillua me shpejtësi procesi i ngjizjes së bashkësive më të vogla në bashkësi më të mëdha dhe, si rrjedhim, në fund të epokës së bronzit u krijua një bashkësi e gjërë ilire me tipare të përbashkëta kulturore, kultike dhe gjuhësore. Duhet theksuar se jo të gjitha dukuritë që karakterizojnë bashkësinë etnike ilire u zhvilluan krahas dhe arritën të njëjtën shkallë njësimi, sepse siç dihet, njësimi i kulturës materiale të popullsisë së një territori të caktuar bëhet më lehtë e më përpara se sa njësimi i gjuhës, e cila zhvillohet me ritme shumë më të ngadalta. I pari prin të dytin dhe është bazë për njësimin gjuhësor dhe të dy bashkë çojnë në formimin përfundimtar të bashkësisë etnike. Kështu, gjatë periudhës së bronzit të vonë, në trevën ilire ngjizja gjuhësore duhet të ketë qenë më mbrapa, kurse krejt ndryshe ishte gjendja në zhvillimin e zejtarisë dhe sidomos punimi i bronzit, të cilat kishin çuar në marrëdhënie intensive ndërfisnore dhe madje në marrëdhënie të ngushta me botën mikene. Si rrjedhim, edhe shkalla e zhvillimit të njësisë kulturore në trevën ilire, gjatë epokës së bronzit të vonë, është më e lartë sesa shkalla e zhvillimit të njësisë gjuhësore. Prandaj në përcaktimin e karakterit etnik të bashkësisë ilire duhet patur parasysh ky shpërpjestim kohor i njësimit të kulturës me gjuhën, si dhe fakti që mbetjet gjuhësore zenë vendin e fundit në krahasim me të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore. Kështu, gjuha në epokën e pre e protohistorisë nuk ka atë vlerë dhe rëndësi që ajo fiton në epokën historike në përcaktimin e karakterit etnik. Këtej buron edhe një nga arsyet e përparësisë që kanë burimet arkeologjike në cilësimin e etnicitetit të kulturave prehistorike.

Gjatë epokës së hekurit, d.m.th. në shek.XI-V p.e.sonë, si pasojë e zhvillimit më të lartë ekonomik e shoqëror të trevës ilire, filloi të luajë një rol shumë më të madh dhe të marrë përparësi procesi i asimilimit. Bashkësitë me zhvilllim më të madh kulturor dhe nivel më të lartë ekonomik, si edhe më të fuqishëm ushtarakisht, bashkonin ose asimilonin pjesërisht ose tërësisht, shumë herë me dhunë, bashkësitë e tjera. Kështu gjatë epokës së hekurit, mbi bazën autoktone, ilirët zhvillojnë dhe konsolidojnë më tej kulturën dhe gjuhën e tyre, të cilat tani po kristalizoheshin përfundimisht. Kjo etapë përfaqëson stadin e lulëzimit më të madh e të përgjithshëm kulturor e etnik të ilirëve në epokën e hekurit, kohë kur në shtrirjen territoriale ata zënë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, duke pasur grekët në jug e trakët në lindje dhe bëhen një nga tre popujt më të mëdhej të

gadishullit.

Duke parashtruar mendimin tonë e duke provuar autoktoninë dhe lashtësinë e ilirëve në trojet e tyre, nuk e ngatërrojmë atë aspak me nivelin e lartë kulturor që arritën fqinjët jugorë në epokën kreto-mikene e post mikene (që përkon me kohën e bronzit dhe të hekurit në territorin e Shqipërisë). Është tjetër gjë lashtësia e një populli dhe tjetër niveli kulturor që ai arrin në një periudhë të caktuar të historisë së tij.

Nuk ka komente: