18 qershor 2010

Shqipja dhe Sanskritishtja

U takon gjuhëtarëve dhe njerëzve që kanë në fokus të punës së tyre fjalën, t’i bëjnë një analizë kësaj vepre të përkthyesit të shquar në të cilën ai del në përfundimin se shqipja është më e lashtë se sanskritishtja

Për të gjithë ata që në vitet ‘70-‘80 e kanë mbajtur përkthyesin dhe euriditin Petro Zhejin si lider shpirtëror është rasti për t’i njoftuar se ka dalë në qarkullim pjesa e dytë e veprës “Shqipja dhe sanskritishtja”. Edhe për lexuesin e gjerë të cilin Zheji nuk e përjashton nga auditori i leksioneve për këtë monolog debat, me pak fjalë mund ta njoftojmë se përsëri autori merret me të vërtetën që nuk ka më dyshim se shqipja është më e lashtë se sanskritishtja. Për këtë ai e ka zgjeruar glosarin e krahasimeve dhe sjell një numër shembullash motivimi me anë të shqipes së glosave sanskritisht. Për shembull:
preksya – i dukshëm. Kjo fjalë që me ndërmjetësinë e shqipes zbërthehet: i bërë ka sy.
Sanskritishtja njihet si një nga gjuhët më të vjetra të botës, gjuhë ideoevropiane, e degës indiane që u zhvillua duke nisur nga shekulli V para Krishtit, dhe ishte një nga gurët themeltarë të qytetërimit brahamanik dhe e kulturës së Vedave. Shumë tekste indiane për shkencat dhe matematikën janë shkruar në këtë gjuhë. E pikërisht me këtë gjuhë Zheji vërteton afinitetin e shqipes dhe në metodën që ai përdor për të analizuar, bashkëveprojnë etimologjia, filozofia dhe logjika. Sepse janë pikërisht këto të treja prej të cilave gjuhës mund t’i vilet një informacion mbi dije dhe realitete gjuha i konservon në shekuj. “Problemi i një lashtësie të tillë prek edhe shumë probleme si ai i vendit që zinin paraardhësit e shqiptarëve në Evropë si dhe një varg çështjesh që lidhen me kulturën e lashtë, me mitet, ndikimet reciproke të popujve mes tyre etj.”,- pohon Petro Zheji në pjesën e parë të “Shqipja dhe sanskritishtja” ku qysh në krye ai e quan të gabuar konkludimin e albanologëve si Gustav Mejer mbi prejardhjen e shqipes nga gjuhë relativisht të reja si latinishtja, greqishtja, turqishtja, sllavishtja. Ai i referohet po ashtu Jeronim De Radës i cili na jep “një vizion pak a shumë të qartë mbi botën shpirtërore të të parëve tanë. Nga emrat e perëndive ai kalon në emra vendesh, objektesh të ndryshme etj., duke u mbështetur në vepra të lashta si ato të Homerit, Herodotit, Plinit etj. Pamja që na jep ai mbi botën pellazge është pak a shumë e plotë dhe e vlefshme, në vija të përgjithshme, edhe sot e kësaj dite”.
Përfundimi në të cilin Zheji arrin me këtë të studim është ky: sistemi leksikor i gjuhës shqipe është më i gjerë nga ai i gjuhës sanskritishte, e pra ai e përfshin atë dhe sistemi i gjuhës sanskritishte është një nënbashkësi e bashkësisë së sistemit të gjuhës shqipe. Përfundim ky që e shtyn Zhejin të deklarojë se është konform frymës së Rilindasve tanë mbi gjuhën shqipe, sepse saktëson vizionin e tyre profetik mbi një lashtësi zanafillore të gjuhës dhe popullit tonë.
Dy pjesët e kësaj vepre janë kuruar dhe shoqëruar me parathënie të të afërmëve të Zhejit, Gjergj Zhejit dhe Lluka Qafokut. I pari e mbron këtë vepër kështu: “Analizat filozofike-logjike-etimologjike në këtë studim janë plotësisht të justifikuara nga pikëpamja e Dijes së kohës sonë, ndonëse jo nga ajo e gjuhësisë klasike, ku kanë ngecur ende të gozhduar mjaft gjuhëtarë”. Ndërsa i dyti e sheh si zbulimin e një teknologjie sui generis, për t’i bërë operative në fushën e etimologjisë, zbulimet gjeniale të teorisë së shenjës dhe të kuptimit të linguistikës moderne. Zbulim ky sipas Qafokut që nuk del jashtë kuadrit të përpjekjeve që kanë nisur prej fillimit të shekullit XX e që i shohin problemet e origjinës së fjalës, edhe nga pikëpamja logjike dhe psikologjike.
Kështu pra që u takon gjuhëtarëve dhe njerëzve që kanë në foklus të punës së tyre fjalën, t’i bëjnë një analizë kësaj vepre të përkthyesit të shquar dhe ndoshta për të mësuar më shumë nëse legjenda e gjallë e përkthimit në gjuhën shqipe, Petro Zheji, nuk ka hyrë në një territor të minuar. Mbase është po ai territor pjellor ku gëlojnë hipotezat për genin e lashtë të origjinës së shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, dhe po ai territor të cilit pretenduesit shtojnë se i përket bardi Homer, pra truallit të pellazgëve.
Fjala u takon specialistëve të fushës të përcaktojnë se çfarë parandjen më shumë a më pak për gjuhën shqipe Petro Zheji, gjuhë në të cilën ai bëri të flisnin aq bukur në ditët e vështira të diktaturës “Don Kishoti” apo bibla e të rriturve të ndrydhur “Princi i vogël”.
Këto studime, siç pretendon autori, duhej të ishin botuar këtu e tre dekada më parë. Kohë e gjatë ka kaluar që ta bindë Zhejin se idetë e tij janë të kësaj kohe dhe i duhej asaj.

Gjergj Zheji për veprën “Shqipja dhe sanskritishtja”
Nëpërmjet këtij studimi zbulohet natyrshëm dhe shkencërisht, veç të tjerash, edhe lashtësia e gjuhës shqipe si lingua primeva siç e quan poeti dhe linguisti i madh Jeronim De Rada. “Gjuha shqipe, thotë autori, do të ishte pra kështu në analizë të fundit ajo Gjuhë e Parë (lingua primeva), ose Gjuhë Mëmë ose së paku e afërmja e saj më e ngushtë e më përfaqësuese nga copëzimi i të cilës, si ai në Sakrificën e Madhe Kozmogonike, të nje Qenie Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën dhe u ndërtuan mënjanë”.

1 koment:

Anonim tha...

I really like your blog and i really appreciate the excellent quality content you are posting here for free for your online readers. thanks peace sandro