18 qershor 2010

“Apologjia e Vërtetë e Sokratit”

Për tre net rresht, nga data 22-24 shkurt, në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, u shfaq monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Nën interpretimin magjik të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, publiku i Tiranës u njoh me mesazhet e fuqishme që filozofi i lashtësisë jepte për bashkëkohësit e tij por që vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot.

Tashmë ishte e 100 herë që Mirush Kabashi interpretonte Sokratin. Merita e Kabashit është, jo vetëm interpretimi i shkëlqyer i këtij personazhi por, dhe fakti që iu referua kësaj pjese, për të qenë në lartësinë e saj. Kabashi mori “Sfinksin e Artë” në Egjipt më 1997, duke interpretuar në shqip. Ai interpretoi me shpirt për të përfaqësuar denjësisht vendin e tij, kur dinjiteti i Shqipërisë ishte vënë në rrezik, dhe ia arriti kësaj. Më pas kjo pjesë u vu në shumë skena dhe tërhoqi interesimin e publikut vendas dhe të huaj.

Kabashi duket modest ndonëse duhet të fluturojë që ka arritur të sjellë me mjeshtëri në skenë Sokratin. Nëpërmjet gojës së Sokratit, mendimit dhe mesazheve të tij, Kabashi realizon veten tek shikuesit e tij. Njeri modest, mbi të cilin rëndoi edhe biografia, në periudhën 45 vjeçare, nuk u kursye as në demokraci, që u pushua tre herë nga puna, por që nga goja e tij nuk u dëgjua kurrë fyerje dhe revansh. Sot ai kërkon të jetë njeri aktiv në shoqëri duke dhënë kontributin e tij, dhe ai nuk është i pakët. Me ndjenjë të thellë patriotike dhe qytetarie Kabashi kërkon t’u thotë qytetarëve shqiptarë, por dhe të botës, se rreziku që vjen nga burokracia, nga kriminaliteti i zyrtarizuar ka qenë dhe mbetet në të gjitha kohërat. Filozofi që Konica e shprehte me thënien e tij lapidare “një shoqëri të përparuar e ndërtojnë idealistët, e mbajnë intelektualët, e shkatërrojnë politikanët”.

Nëpërmjet gojës së Kabashit sot u përcillet shqiptarëve mesazhi i Sokratit se qytetarët duhet të reagojnë ndaj padrejtësive, mashtrimit, hipokrizisë, ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve të korruptuar. Se turma duhet të arsimohet që të bëhet e vetëdijshme. Sokrati na mëson se ata që do ta bëjnë shoqërinë do të jenë të urtët, të mençurit dhe të drejtët. Filozofi i ideve la për brezat ide të fuqishme. Loja e Kabashit ishte shumë e ndjerë aq sa mendoje se Kabashi arrin ta luajë kaq bukur Sokratin se vetë është njeri i mirë si Sokrati. Nuk e kuptoje nëse cinizon Sokrati apo Kabashi, nëse shpërthen Sokrati apo Kabashi, nëse u lodh Sokrati apo Kabashi. Skena do ta detyronte Kabashin të pinte helmin, ndërsa Sokrati i vërtetë i kërkoi Platonit ta kthente në burg, atëherë kur gjyqtarët harruan përse kishin ardhur në gjyq dhe e lanë të dënuarin të paegzekutuar dhe vrapuan të rrëmbenin shpërblimin. Dhe Sokrati, ndonëse ju dha mundësia të largohej, nuk pranoi, ai piu kupën e helmit, duke lënë mesazhin se ligji duhet të zbatohet. Kabashi bëri që Sokrati të fliste shqip.

“Apologjia e vërtetë e Sokratit” u shkrua nga shkrimtari grek Kostas Varnalis, e mbështetur në veprën e Platonit, dishepullit të Sokratit, nga penda e të cilit ka ardhur e gjithë filozofia e Sokratit. Kur dëgjoja Kabashin nuk e dija se sa Sokrat kishte aty, sa Varnalis dhe sa Kabash. Kabashi përmend edhe Albanezët, në monologun e Sokratit, ndonëse mund të kishte thënë Ilirët, Varnalisi përmend turqit në veprën e tij, kur ata as që ekzistonin në kohën e Sokratit. Por gjithsesi në vepër mbetet lagjja Plaka e Athinës dhe Sokrati përmend Dedë e Gjikë e Dedëgjikë. Për të shkuar në origjinal u ndala paraprakisht tek libri “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e Varnalisit me dëshirën për ta përqasur atë një ditë me Apologjinë e Platonit dhe lexuar vetë atë.

Për ta ndjerë më afër moralin, filozofinë e Sokratit po ju sjell pjesë nga libri “Apologjia e vërtetë e Sokratit”

Nuk ka komente: