12 nëntor 2012

40 Nenshkruesit e Deklarates se Pavarësise

1. ISMAIL QEMAL BEJ VLORA (1844-1919) Lindur në Vlorë. Shkollën fillore e vijoi në Selanik, meqë aty ishte e internuar familja e tij për shkak të veprimtarive patriotike. Më 1858 u regjistrua në gjimnazin e Janinës “Zosimea”, ku pati bashkënxnës të vet Sami Frashërin, Naim Frashërin, etj. Më 1860 filloi punë si përkthyes i frëngjishtes në ministrinë e Punëve të Jashtme, në Stamboll. Aty përfundoi shkollën e drejtësisë. Pak vite më vonë, u emërua shef kabineti në Tesali, i Ismail Rahimpashës, që sihte daja i tij. Më 1868 u emërua kryesekretar i ministrisë së Punëve të Jashtme dhe dy vjet më vonë, deri më 1875, guvernator në Varnë dhe guvernator i Danubit të Poshtëm. Por, dy vjet më vonë, duke qenë kundërshtar i Portës së Lartë, u inernua në Qytahi, pranë Anadollit, vend ku qendroi deri më 1882. Në fillim të shek. XX, Ismail Qemali filloi t’i përkushtohej ështjes shqiptare, duke ngritur zërin për autonominë e Shqipërisë. Lidhi kontakte me pothuaj të gjithë kolonitë patriotike të shqiptarëve jashtë e brenda vendit, sidomos në zonën e Vlorës. Në nëntor 1908 hyri në parlamentin osman si deputet i sanxhakut të Beratit. Një vit më vonë, u arratis nga Stambolli dhe vijoi jetë nëpër Evropë, duke nisur kështu rrugën e pakthyeshme të veprimtarisë politike në favor të Shqipërisë. Merr pjesë në hartimin e Librit të Kuq – Memorandumi i Greës bashkë me Luigj Gurakuqin. Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Ishte organizatoi kryesor i mbledhjes historike të 5 nëntorit 1912 në Bukuresht, ku u vedos e ardhjma e Shqipërisë. Më 28 nëntor, deklaroi në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë nga Porta e Lartë, duke e krijuar kështu shtet më vete. Firmoi i pari dokumentin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Ismail Kemal”. U zgjodh kryeministër i qeverisë shqiptare dhe ministër i Punëve të Jashtme. Pas zbulimit të komplotit të tij me ushtarakun shqiptar në shërbim të Stambollit, Beqir Grebenenë, u detyrua të japë dorëheqjen e të shkrijë kabinetin e tij dhe të dorëzojë pushtetin pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Vetë Qemali u largua nga Shqipëria. Vdiq në Peruxhia të Italisë, në rrethana misterioze, të cilat të shtojnë dyshimin për një vrasje edhe në citimin e fjalëve të tij të fundit “Më hëngër në besë!”. Eshtrat ndodhen në Vlorë.*** 2. DIBRA AGOLLI (1867-1937) Lindur në Dibër të Madhe. Biri i Myftiut tëi Dibrës së Madhe. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll. Pas diplomimit, menjëherë kthehet nga Stambolli në Dibër, ku u emërua Myfti. Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës. u zgjodh kryetar i Kongresit; më 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i Dibrës firmoi vendimin e pavarësisë me siglën në turqisht “Vehbi Dibra”. Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Pleqësisë si dhe nënkryetar i qeverisë. Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e ngarkon me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipnisë. Në vitin 1916 ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Lartë të Sheriatit. Ndërsa, më 1923, Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë. Shkroi, botoi dhe përktheu gjatë gjithë jetës, një pjesë e tyre u botuan në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë. Vdiq në Tiranë.*** 3. JORGJI KARBUNARA – BABË DUDË KARBUNARA (1842 – 1917) Lindur në Berat. Shërbeu si mësues i shqipes dhe bashkëpunoi me Kostandin Kristoforidhin. Filloi të meshonte në shqip, por kjo iu ndalua. Shqiptarizmi i theksuar i tij ran ë sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat. U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Studimet e larta për kohën, i përfundoi në Itali, për italisht. Në dekadën e dytë të shek. XX, iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe dhe mësimit të shqipes. Si veprimtar i dalluar i rretheve patriotike, u zgjodh delegat i Beratit në kuvendin e Vlorës, ku si i tillë, firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Gjithashtu, u zgjodh antar i Pleqsisë. Pati përplasje me mercenarët e Esat Pashë Toptanit, të cilët i shkatërruan pasurinë në vitin 1915. I përbuzur dhe i përndjekur nga kundërshtarët dhe i përgëzuar nga populli për veprimtarinë e tij si shqiptar, vdiq në Berat.*** 4. DOM NIKOLL KAÇORRI (1862-1917) Lindur në fshatin Kre i Bajrakut të Lurës. Rridhte nga një familje, babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna islame, gjë që tregon për tolerancën fetare. Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Për pak kohë shërbeu në Delbnisht, pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”: “për Kishë dhe Papë”. Emërohet Ipeshkv. Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmoi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Pas rënies së kësaj qeverie, emigroi jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë e vet politike e patriotike, derisa vdiq në Vjenë në maj 1917.*** 5. QAZIM KOKOSHI (1882-1945) Lindur në qytetin e Vlorës. Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit të Vlorës dhe më pas shkoi në Janinë, ku mbaroi gjimnazin “Zosimea”. Pas mbarimit të asaj shkolle aty rreth fillimit të viteve 1900 u kthye në vëndlindje dhe u angazhua në Klubin “Labëria”, ku punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në fshatrat e Vlorës. Mori pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, si delegat i Vlorës. Firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”. Në gusht 1913, Qeveria e përkohshme e Vlorës e caktoi me detyrën e nënprefektit të Lushnjes. Pasi punoi afro shtatë muaj në atë detyrë, në shkurt 1914 u emërua me detyrën e kryesekretarit të Prefekturës së Vlorës. Pas rënies së Qeverisë së Vlorës, u caktua antar i delegacionit për të zhvilluar takimin me Princ Vidin. Konkuroi në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në vitin 1921 ku dhe u zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar. Pas tre vjetësh, në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, u bashkua me grupin opozitar që udhëhiqej nga Fan Noli e Luigj Gurakuqi. Pas dështimit emigroi në Itali e më pas në Austri. Më 1928 u kthye në atdhe pas amnistisë së mbretit, por në vitin 1932 u arrestua me akuzë komploti kundër Zogut dhe u burgos, për te dalë sërish më 1936. Pas vrasjes së të dhëndrit të tij, dëshmorit Reshit Çollaku (i shoqi i së bijës), Kokoshi u arrestua nga GESTAPO-ja dhe u internua në Bergamo. Qazim Kokoshi, u në Shqipëri nga internimi nazist në vitin 1945 dhe në prill 1946 e arrestuan. I izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat.*** 6. ARISTIDHI RUCI (1875-1950) Lindur në Sheper të Zagorisë, 9 vjet më vonë se Çajupi në të njëjtin fshat. Vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX gjendet në Janinë. Pas veprimtarisë aty, vendoset në Vlorë, kun ë vitin 1908 angazhohet në themelimin e klubit patriotic “Labëria”. Po atë vit fillon përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe te të vegjlit. Me armë në dorë merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Si delegat I Vlorës merr pjesë në kuvendin që shpalli pavarësisë dhe firmoi aktin me siglën “A. Ruci”. Mori pjesë në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Antar i federatës “Atdheu” me kryetar Avni Rustemin. U aktivizua në jetën administrative të qytetit të Vlorës; u zgjodh antar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937; inspiroi krijimin e degës së Kryqit të Kuq në Vlorë. Pushtuesit fashistë e internuan në Itali. Vdiq në Vlorë.*** 7. ABAS DILAVER CELKUPA (1855-1926) Lindur në Durrës. Ndihmoi kryengritjet sporadike, që shpërthenin me qëllim mposhtjen e forcave osmane. Lidhi bashkëpunime me patriotët jashtë atdheut, përmes letërkëmbimeve dhe bujtjeve. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910, Celkupa u angazhua denjësisht dhe ndihmoi luftëtarët e zonës së veriut në veprimet e tyre luftarake. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mbërriti në Vlorë, në ditët e fundit të nëntorit 1912, ku mori pjesë në mbledhjen e parë kuvendit të Vlorës, kuvend i cili vendosi pavarësimin e Shqipërisë nga Turqia. Aktin e pavarësisë kombëtare e firmoi edhe Abas Cekluka, si delegat i Durrësit, me siglën “Abas Dilaver”. Celkupa vdiq në Durrës.*** 8. VELI HARÇI Lindur në Gjirokastër. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit, bashkë me Idriz Gurin e Hysen Hoxhën. Bashkë me këtë të fundit, përfaqëson Gjirokastërën në kuvendin e Vlorës dhe firmoi aktin e pavarësisë, me siglën “Veli Harçi”. Harçi u gjend në Vlorë ditët e vendimit historik, duke pritur aty më pas delegatin tjetër gjirokastrit Hysen Hoxha dhe të tjerët. Kur këta u vonuan rrugës për në Vlorë nga bandat greke, që ndodheshin në jug të vendit. Lindur nga gjysma e dytë e shek. XIX dhe jetoi deri rreth dekadave të para të shek. XX në Gjirokastër.*** 9. XHEMAL DELIALLISI (1880-1941) Lindur në Shijak. Veprimtar shoqëror dhe politik i lëvizjeve për çlirim kombëtar. Në nëntor 1912, si delegat i Shijakut, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë. Firmoi dokumentin e indipendencës me shënim në osmanisht “Xhemmalyyddin bej”. Gjatë viteve `20 mori pjesë në aktivizimet për demokratizimin e vendit. Përkrahu forcat e Bajram Currit dhe Elez Isufit. Më 1924 mbështeti kryengritjen e Fan Nolit. Pas dështimit të saj, u largua nga Shqipëria, për t’u rikthyer pas disa vitesh. U vendos në Tiranë, ku ndiqte me interes zhvillimet politiko-shoqërore të vendit. Vdiq në Tiranë.*** 10. ILJAZ VRIONI (1882-1932) Lindur në Berat më 1882. Djali i Mehmet Ali Pashë Vrionit, patriotit të shquar shqiptar, nën-kryetarit të Lidhjes së Prizrenit dhe babai i përktheysit të shquar Jusuf Vrioni, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”, si delegat i Beratit; shërbeu tri here si Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris. Shërbeu gjithashtu për një kohë shumë të gjatë si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Kryetari i delegacionit të Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Dekoruar nga Republika Franceze në vitet `20 me urdhërin e lartë “Grand Officier de la Légion d’Honneur”. Vdiq në Paris dhe u varros në Berat. Në vitin 1946, komunistët zhvarrosën eshtrat e tij dhe i hodhën ato në lumin Osum. Kryeministër i Shtetit Shqiptar: 19 Nëntor 1920 – 1 Korrik 1921 Kryeministër i Shtetit Shqiptar: 11 Korrik 1921 – 16 Tetor 1921 Kryeministër i Shetit Shqiptar dhe Ministër i Jashtëm: 27 Maj 1924 – 10 Qershor 1924 Ministër i Jashtëm: 30 Mars 1924 – 27 Maj 1924 Ministër i Jashtëm: 12 Shkurt 1927 – 21 Tetor 1927 Ministër i Jashtëm dhe Zv/ministër i Drejtësisë: 26 Tetor 1927 – 10 Maj 1928 Ministër i Jashtëm: 11 Maj 1928 – 1 Shtator 1928 Ministër i Jashtëm: 5 Shtator 1928 – 13 Janar 1929 Ministër Fuqiplotë në Francë dhe Britani. *** 11. JANI MINGA (1872-1947) Lindur në fshatin Shënpjetër të Fierit. Arsimin e ndoqi në Vlorë. U aktivizua në klubin patriotik “Labëria” që në vitin 1908. Mësues e patriot, mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për hapjen e shkollës shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe”, etj. Në korrik 1911 mori pjesë në kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografisë, pas një konkursi në Janinë, të cilin e fitoi. Në nëntor të atij viti, u zgjodh delegat i Vlorës dhe si i tillë firmoi vendimin e pavarësisë me siglëm “J. Minga”. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj. Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hyjnë në Tiranë. Vite më vonë iupërkushtua arsimit, is mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike, si p.sh. përkujtimin e betejës së Mashkullorës dhe figurën e Çerçiz Topullit, etj. Dy djemtë e tij, të përfshirë në luftën antifashiste, u mbyllën në krematoriumet e Mat’hauzenit më 1944. Minga vdiq në Vlorë. “Mësues i Popullit” *** 12. ELMAS BOCE (1852-1925) Lindur në Gjirokastër. Bashkëkohës i Naim e Sami Frashërit, si ata, Boce përfundoi gjimnazin e Janinës “Zosimea”. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës. Mbështetës i flaktë i komitetit “Për lirin’ e Shqipërisë” dhe nga themeluesit e klubit patriotik “Drita”. Gjithashtu, ndihmoi pa kursyer hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Mik e bashkëpunëtor me Koto Hoxhin, thuhet se mund të ketë ndihmuar këtë të fundit në përgatitjen e shfaqjes së pjesës “Dasma lunxhiote”, kronikë me të cilën fillon historiku i zhvillimit të teatrit të paktën në zonën e jugut të Shqipërisë. Mori pjesë në mbedhjen e Manastirit të Cepos. Ndërsa, në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në kuvendin e Vlorës, ku firmoi dokumentin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Elmas Boce”. *** 13. DHIMITËR TUTULANI (1875-1937) Lindur në Berat. Përfundoi gjimnazin “Zosimea” në Janinë e më tej vazhdoi studimet për jurist në Athinë. Pas përfundimit të shkollës, u kthye në Berat, ku filloi të punojë si avokat. Këtu ndihmoi lëvizjen patriotike, duke u bërë bashkëpunëtor i veprimtarëve dhe idealeve kombëtare. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Beratit në kuvendin e Vlorës, ku firmoi aktin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Dh. Tout.”. në dhjetor 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit, ndërsa afërsisht dy vjet më vonë mori pjesë si delegat në Kongresin e Lushnjes. Në vitet `20 të shek. XX, përkrahu politikën e Fan Nolit dhe më 1925 u zgjodh kryetar bashkie i Beratit. Mori pjesë edhe në formimin e kishës autoqefale shqiptare, që doli nga Kongresi i Beratit, më 1922. Vdiq në Berat, duke lënë të shkruar në testament se një pjesë të pasurisë së tij ia falte qytetit për shkolla, rrugë, mirëqënie, etj. *** 15. ABDI TOPTANI (1864-1942) Lindur në Tiranë. Në vitin 1902 organizoi forcat kryengritëse kundër osmanëve në Shingjergj dhe Shupal. Në nëntor 1912 priti në Durrës Ismail Qemali dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, ku mori pjesë në ngritjen e flamurit. U zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare. Me ardhjen e Princ Vidit më 1914, caktohet ministër i Bujqësisë dhe Industrisë. Në Kongresin e Lushnjes, ishte nga aktivistët kryesorë dhe për këtë u zgjodh antar i Këshillit të Lartë (çerek-mbret). Përkrahu kryengritjen e marsit 1922 udhëhequr nga Bajram Curri. Kushëri i parë me Esad pashë Toptanin, por i ndarë me të, për divergjenca politike. Kështuqë, dera e madhe e Toptanasve u nda pothuaj në dy pjesë: një me Esad Pashën e tjetra me vëllezërit Abdi e Murad. Viti 1915 Abdi Toptanin e gjen jashtë atdheut, në organizimet patriotike të shqiptarëve në Zvicër. Por, prej andej kthehet shumë shpejt në Shqipëri, për t’u bërë pjesë e aktivitete politike të vendit. Vitin e festimit të 30 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, evenimetit historik ku ai mori pjesë, më 1942, Toptani vdiq në Tiranë. Në kuvendin e Vlorës, përfaqësoi Tiranën e Krujën dhe firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Abdi”.*** 16. MID’HAT FRASHËRI (1880-1949) Lindur më 1880 në Janinë. Biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, u rrit nën kujdesin e xhaxhallarëve. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Në vitin 1908 filloi botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 14 nëntor – 22 nëntor 1908. U zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe vjen në Shqipëri. Në kongresin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit e Ipekut dhe firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i punëve të Përgjithshme. Më 30 mars 1913 jep dorëheqjen nga kjo detyrë. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe u angazhua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Evropës. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë të Zvicrës. Më 1920 shkon në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri dha dorëheqjen dhe deklaroi largimin e tij nga aktiviteti politik. Më 1927, fillon të botojë në Tiranë, revistën Dituria dhe themelon librarinë Lumo Skëndo. Pas pushtimit të vendit nga Italia, vendos të rikthehet në politikë. Më 1941 është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. Kundërshtar i komunistëve, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork vdes si pasojë e një ataku kardiak, në tetor 1949, në dhomën e një hoteli.*** 17. SHEFQET DAJIU (1882-1946) Lindur në Elbasan. Shkollën e lartë e përfundoi në Stamboll. U kthye në vendlindje, ku vazhdoi veprimtarinë patriotike, të nisur në kryeqendrën e Turqisë. Përshendeti organizimin e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e Normales, ngjarje këto që mbartnin në vetvete edhe kontributin e madh të Shefqet Dajiut. Kryengrita e përgjithshme e gjeti në Dibër, duke hapur shkolla shqipe e duke shpërndarë tekstet ne shqipes. Në nëntor 1912, gjendet ne Vlorë, si delegat i Elbasanit dhe firmoi dokumentin e indipendencës me siglëm “Shefqet Daji”. Vite më vonë, iu përkushtua aktivitetit pedagogjik. Botoi një abetare për shkollat fillore. Ndërsa në vitet `20 është deputet në Parlament. Bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin në shoqërinë kulturore “Kopshti letrar” si dhe në revistën e përkohshme të këtij klubi, me të njëjtin titull. I cilësuar si bashkëpunëtor me pushtuesit, Dajiu u arrestua dhe u burgos, për të vdekur në burg në vitin 1946.*** 18. ZIHNI ABAS KANINA HAMZARAJ (1885-1959) Lindur në Kaninë të Vlorës në një familje të vjetër feudalësh. U dallua si politikan e diplomat. Që në vitin 1906 u emërua nënpunës i konsullatave turke në Greqi, Bejrut, Maltë, etj. U burgos prej autoriteteve turke, kur u kthye në Shqipëri dhe u aktivizua me grupet patriotike. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmoi dokumentin e pavarësisë, me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Vitet e mëvonëshme iu përkushtua arsimdhënies, sidomos dhënies së leksioneve për gjuhët e huaja. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah mikut të tij të vjetër të idealit Mid’hat Frashërit. Rregjimi e arrestoi në vitin 1951 Zihni Kaninën dhe e burgosën në Tiranë, duke e lënë aty derisa vdiq. *** 19. QEMAL KARAOSMANI ELBASANI (1875-1949) Lindur në Elbasan. Studimet e larta i përfundoi në Stamboll për shkenca politike dhe administratë. Filloi punën në Janinë e më pas u transferua në Berat. Këtu bashkëpunoi me figura të shquara të lëvizjes për çlirim kombëtar, si me Jorgji Karbunarën dhe Iljaz Vrionin në përhapjen e ndjenjave kombëtare, si dhe shpërndarjen e librave shqip, botime këto që Elbasani i kishte sjellë me vete nga kthimi prej Stambollit. Punoi dhe ndihmoi në organizimin e Kongresit të Elbasanit në vitin 1909. Kishte popullaritet në zonën e Beratit dhe për këtë veprimtaria e tij patriotike nuk ra në sy të osmanëve. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe si i tillë, Karaosmani firmoi dokumentin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Ishte pjesë e administratës civile në qeverinë e Vlorës. Pena e nënshkrimit të aktit të pavarësisë shume vite më vonë gjendej në shtëpinë ë Karaosmanit dhe më 1962, ajo u dorëzua në Arkivin e Shtetit. Mbështeti qeverinë e Sulejman bej Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist. Ka qenë zgjedhur kryetar bashkie në Elbasan. Vitet e Luftës II Botërore i kaloi i tërhequr nga jeta politike. Rrethanat e krijuara pas Çlirimit, e vendosën në Kavajë, qytet ku vdiq.*** 20. SALI GJUKA (1876-1925) Lindur në Pejë, në vitin 1876. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. U regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti. Në vitin 1909 punoi për hapjen e shkollës shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910 ishte mësuesi i parë i shqipes në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, klubi “Bashkimi”, në favor të edukimit të ndjenjave atdhetare dhe përhapjen e gjuhës shqip. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljes e pavarësisë kombëtare dhe firmoi aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë (Senatit). Në janër 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë hapi shkollën Normale të përkohëshme. Në vitin 1920 përmendet si një nga përkrahësit e Kongresit të Lushnjes dhe katër vite më vonë mbështet Nolin, kur ky u bë kryeministër. Tuberkulozi e mposhti, në tetor 1925 në Berat. “Mësues i Popullit” *** 21. HAJREDIN CAKRANI Lindur në Cakran të Fierit, në një familje me autoritet në zonë, falë beut Bektash bej Cakrani. Veprimtar i lëvizjeve patriotike në Fier dhe zonën përreth, kur filloi të shpërndajë programet kombëtare, që propagandonin emancipimin e vendit. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës dhe në nëntor 1912 firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë, me siglën “Hajredin Cakrani”. Mbetjet e veprimtarisë së tij patriotike janë duke u gjurmuar në dosjet e arkivave dhe derimë sot nuk është shkruar apo botuar ndonjë material rreth tij.*** 22. DHIMITËR BERATTI (1888-1970) Lindur në Korçë në vitin 1888. Përfundoi në Rumani fakultetin e shkencave politike dhe atë juridik. Pas vitit 1905 kthehet në Korçë, ku punon si mësues në shkollën e parë shqipe të Korçës. Antar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908. Më 13 dhjetor 1909 merr pjesë në shfaqjen e dramës “Besa” si sufler. Po këtë vit merr pjesë në Kongresi i Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresi i dytë i Manastirit. Nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental”-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë. Më 1913 sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton në Londër, Paris, Romë, etj. Më 1913 administratori i spitaleve të vendit. Në korrik 1914 emigron në Rumani, ku punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Beratti është delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes më 1919. Në shkurt 1919 shërben si sekretar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Më 1924 ndodhet në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punon si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ministër i ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë ministër në Romë. U emërua më 3 dhjetor 1941 ministër sekretar shteti i kulturës popullore në qeverinë e Mustafa Merlikës. Antar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë, u vendos në Itali, ku u mor me veprimtari të shumta patriotike. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”. Vdiq në Romë më 1970. Ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, të cilët shërbejnë në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar. Dekoruar me urdhërin “Për veprimtatri patriotike” të klasit të parë. *** 23. BEDRI PEJANI (1885-1946) Lindur në Pejë. Shkollën e mesme e kreu në “Robert Kolezh” dhe studimet e larta në degën e historisë në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910), dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Në nëntor 1912, u zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, mori pjesë në mbledhjen e Vlorës dhe firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Mbështetës i kryengritjes së Fan Nolit dhe antar i KONARE-së. U angazhua në mbrojtjen e të drejtave të Kosovës dhe Çamërisë. Ka bashkëpunuar edhe me aktorin e famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu. Mori pjesë në Komintern dhe u integrua në lëvizjen nacionalçlirimtare. Nga janari deri në mes të qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit . Më 1945 u arrestua në Shkodër nga Sigurimi i Shtetit dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave. Vdiq në spitalin-burg të Prizrenit.*** 24. PANDELI CALE (1879 – 1923) Lindi në Korçë. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe si vetëdashës shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestin e pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Iindustrisë dhe Tregëtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920 Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në një spital të Selanikut. *** 25. DHIMITËR ZOGRAFI (1878 – 1945) Lindi në Korçë. Në fund të shekullit XIX së bashku me vëllezërit emigroi në Rumani. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve te Bukureshtit “Bashkimi-Unirea”. Një nga organizatorët e mbledhjeve që u zhvilluan në fillim të nëntorit 1912 në Bukuresht. Aty theksoi se patriotët “kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanë për të bërë sa mundet me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut”. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmos vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i pleqësisë. Në dhjetor 1912, bashkë me Dhimitër Emanoilin, shkon në Brindisi e prej andej kthehet në Korçë nga ku largohet më 1917. Kundërshton vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmos protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919. Vdiq në Bukuresht.*** 26. LUIGJ GURAKUQI (1879-1925) Lindur në Shkodër. Ndoqi mësimet e para në kolegjin saverian. Më vonë, shkoi në Kalabri, në liceun e Shën Adrianit. Nga vitet 1906 takoi për herë të parë Ismail Qemalin dhe një vit më vonë lidhi bashkëpunim dhe ndihmoi patriotin Bajo Topulli në organizimin e komitetit të fshehtë kombëtar. Viti 1908 e gjen në Manastir, në Kongresin e atij vendi, ku ishte përfaqësues i Shkodrës. Aty u zgjodh nënkryetar i Komisionit për caktimin e alfabetit të shqipes. ndërsa, një vit më vonë e shohim në Elbasan, ku merr pjesë në punimet e Kongresit të Elbasanit, i cili mes të tjerash vendosi hapjen e shkollës Normale po në Elbasan. Gurakuqi u zgjodh drejtor i saj që ditën e hapjes, më 1 dhjetor 1909. Në fillim të kryengritjeve të përgjithshme, është me armë në dorë e më pas takon Ismail Qemalin për te lobuar rreth fatit të Shqipërisë nëpër kancelaritë e huaja. Kthehet në atdhe bashkë me delegatët e tjerë dhe si përfaqësues i vetëm i Shkodrës merr pjesë në kuvendin kombëtar të Vlorës. Mendohet që rezolucionin e pavarësisë, ku janë hedhur firmat e 40 përfaqësuesve, ta ketë shkruar Gurakuqi. Ai firmoi aktin me siglën “Luz Gurakuqi”. Më 1913 bën pjesë në delegacionin shqiptar që shkoi nëpër Evropë për të drejtat e Shqipërisë. Priti Princ Vidin dhe u emërua prej tij zv/ministër i Arsimit. Nga themeluesët e “Komisisë letrare” të Shkodrës më 1916, ku punoi për arsimin e gjuhën shqipe dhe dy vjet më vonë pjesë e Kongresit të Durrësit. Bashkëpunëtor gjatë viteve `20 me Nolin e Rustemin. Ne qeverinë e Nolit u zgjodh ministër i Financave. Me triumfin e legalitetit, në dhjetor 1924, u largua përgjithmonë nga Shqipëria, në Itali, duke humbur jetën një vit më vonë, nga pistoleta e Balton Stamollës, kushëririt të tij të dyë, akt që siç e përcjellin gazetat italiane, ishte gjatë një zënke sporadike. Pretendimet se Gurakuqi është vrarë nga Zogu, kanë mbetur enigmë dhe të pasqaruara. *** 27. LEF NOSI (1873-1945) Lindur në Elbasan. U arsimua në shkollën fillore të atij qyteti dhe studimet e mesme i përfundoi në Athinë. Zotëronte një bagazh kulturor dhe ishte poliglot. Zotëronte pesë gjuhë të huaja. U lidh me lëvizjen antiosmane dhe u hodh në luftë për pavarësimin e atdheut. Më 1910 botoi në Elbasan gazetën “Tomorri”. Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Lef Nosi”. Ai mbajti në ruajtje dokumentin origjinal të shpalljes së pavarësisë kombëtare dhe e botoi atë me rastin e 25 vjetorit të indipendencës, më 28 nëntor 1937, me qëllim që të mos falsifikohej. Më datë 5 dhjetor 1912 mori detyrën e ministrit të postë-telegraf-telefonit, detyrë që e ushtroi deri më 24 janar 1914. Nosi u zgjodh delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit në dhjetor 1918. Një vit më vonë ishte pjesë e delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Pas vitit 1920 shërbeu në Elbasan si kryetar bashkie. Më 1924 botoi serinë e vyer “Dokumenta Historike – për t’i shërbye historis s’onë kombëtare”. Ushqente bindje demokratike dhe antimonarkist, refuzoi kërkesën e Zogut për t’u bërë ministër. Më 1940 pushtuesit fashistë e internuan në Itali dhe pas kapitullimit të tyre në shtator 1943, iu rikthye jetës politike në vend. U zgjodh kryetar i Asamblesë Kushtetuese. Momentin e zgjedhjes së tij, kohët e fundit kemi mundur ta zbulojmë në një material filmik origjinal pa zë të kohës. Pas luftës, Nosi u shpall në kërkim nga rregjimi, e arrestuan dhe e dënuan me vrasje. Lef Nosi ishte një njohës shumë i mirë i antikuareve dhe koleksionist i famshëm në Ballkan. *** 28. MUSTAFA MERLIKA KRUJA (1887-1958) Lindur në Krujë. Fundi i dhjetëvjeçarit të parë të shek. XX e gjen në Stamboll, të regjistruar në institutin superior Fakulteti i Shkencave politike, prej nga do të dalë në vitin 1910 me diplomë në shkencat politike e sociale. Kthehet në atdhe dhe dy vjet më vonë gjendet në Vlorë, si delegat i Krujës dhe merr pjesë në kuvendin e Vlorës. Aty firmoi aktin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja”. Në vitin 1924 emërohet prefekt i Shkodrës e më pas, me ardhejn e legalitetit, shkoi në Itali. U vendos në Zara, ku ra në kontakt me intelektualët Xhevat Korça, Ernest Koliqi, Kostantin Kotte. Pushtimi fashist i vendit e gjen ne Gjenevë, ku ndiqte me interes zhvillimet në Shqipëri si edhe në kampin e ri qe ishte krijuar atëhere, me vendndodhje në Rusinë bolshevike. Me miqtë e tij punoi që veprimtaritë e komunistëve rusë të mos ngjisnin edhe në Shqipëri. Më 1941 ishte pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare, pararendës i Akademisë së Shkencave. Në prill 1942, Merlika kërkohn heqjen e shpatave të Liktorit nga flamuri i Shqipërisë, kërkesë e cila u prit me indinjatë nga fashistët dhe që nuk u kalua lehtë në fjalimin e “Teatro Savoia” në Romë. I tronditur nga fatkeqësi familjare dhe i dorëhequr nga politika, në momente kritike të politikës, kur vendi kishte nevojmë më shumë se kurdoherë, Merlika i detyruar, largohet si fillim në Francë e më pas në Sh.B.A. Familja e tij, e mbetur në Shqipëri, u internua, duke jetuar me këtë ndjenjë dhe duke mos përfunduar dot veprën e tij të jetës “Fjalorin kritik të gjuhës shqipe” me rreth 24.000 fjalë, Kruja vdiq në Niagara Falls. *** 29. THANAS FLOQI (1884-1945) Lindur në Korçë. Përfundoi studimet universitare në Athinë, në fakultetin e drejtësisë. Në vitin 1905 vendoset në qytetin Xhejmstaun. Merr pjesë në themelimin e shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” më 1906. Shërben si kronikan i gazetës “Kombi” të Sotir Pecit. Kthehet në atdhe në korrik 1908, qëndron në Vlorë. Themelon mandolinatën “Labëria” dhe qëndron dirigjent i saj. Në Kongresin historik të Vlorës, mori pjesë si delegat i Korçës dhe më 28 nëntor 1912 firmoi vendimin e pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”. Caktohet gjyqtar në Elbasan. Ka përkthyer me mjeshtëri në gjuhën shqipe “Tre muskëtjerët” e A. Dumasë, “Jeta ushtarake” të E.de Amiçis, romanin “Ditët e prapme të Pompeit” të Lyttonit; romanion “Arsen Lupeni kundra Sherlock Holmesit” të M. Leblanc; ka botuar një fjalor italisht – shqip më 1939. Më 1910 botoi një gramatikë të gjuhës shqipe. Vdiq në Elbasan.*** 30. NEBI SEFA (1861-1942) Lindur në Lushnje. Përkrahu Kongresin e Manastirit dhe filloi të propagandojë shkrimin e shqipes me gërma latine. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në kuvendin e Vlorës. Sefa mori pjesë në mbledhjen e parë të këtij kuvendi historik dhe më 28 nëntor nënshkroi aktin e pavarësisë, me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Me forcat e tij, i erdhi në ndihmë organizimit të njësive të para ushtarake të qeverisë së Vlorës, në zonën e Mallakastrës, së bashku me ministrinë e Luftës, kreu i së cilës ishte Mehmet pashë Kalkandeleni Tetova (Dërralla). Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane. Vidq në Lushnje.*** 31. ZYHDI OHRI Lindur në Ohër. Studimet i përfundoi në Turqi. Ishte pjesë e lëvizjeve kombëtare dhe i luftës për çlirim nga osmanët. Ka organizuar veprimtari e tubime të ndryshme, duke propaganduar idetë kombëtare. I zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmoi aktin e pavarësisë, me siglën “Zuhdi Ohria”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Më pas, shkoi në Elbasan, ku bashkëpunoi me Aqif pashë Biçakçiun. Mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjes më 1920. *** 32. FERIT VOKOPOLA (1887-1969) Lindur në Vokopolë të Beratit. Fillimisht emigroi në Stamboll, ku vijoi studimet. Më pas kthehet në Shqipëri, ku në nëntor 1912 zgjidhet delegat i Lushnjes për në kuvendin e Vlorës. Aty firmoi aktin e pavarësisë kombëtare, me siglën “M. Ferit Vokopola”. Gjatë kësaj kohe, Mustafa Vokopola, babai i tij, ishte prefekt i Vlorës. Nga fundi i dekadës së parë të shek. XX, iu përkushtua mësimeve fetare, përkthimit të Kur’anit. Më 1920 mori pjesë në organizimin e Kongresit të Lushnjës. Ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Gjatë kohës së monarkisë ishte deputet i Beratit dhe për një farë kohe ministër i Bujqësisë. Autor i veprës “Gjëmimi i Tomorrit” (fetare), përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi dhe ëndërrime”. La në dorëshkrim Kalendarin osman dhe Kur’anin. Vdiq në Durrës.*** 33. QEMAL MULLAJ (1881-1966) Lindur në Berat. Shkollën e lartë e përfundoi në Stamboll, për gjeografi. Pas shpalljes së kushtetutës xhonturke dhe faljes së lirisë, u kthye në Shqipëri dhe u vendos në afërsi të Lushnjes. Aty propagandoi veprimtarinë dhe lëvizjet kundër osmanëve dhe predikoi pavarësinë e atdheut. Si delegat i Lushnjes, ai në nëntor 1912 mori pjesë në kuvendin historik të Vlorës dhe firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë, me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës I Botërore, u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, per t’u rimarrë përsëri më politkë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar. Merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, më 1 maj 1924 dhe mbështet forcat e kryengritjes së një muaji më pas. Pas rrëzimit të kabinetit të Nolit, emigroi jashtë, ku thuhet se mund të ketë organizuar një atentat kundër Ahmet Zogut. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Tiranë, pothuaj i pashqetësuar nga regjimi i kohës, duke u nderuar me udhërin “Për veprimtari patriotike të klasit I”. Vdiq në Tiranë. *** 34. NURI SOJLIU (1870-1940) Lindur në Strugë. Veprimtar i lëvizjeve për çlirim kombëtar. U lidh me personalitete të shquar dhe aktivistë shoqërorë dhe politikë, si p.sh. Ibrahim Temon, Dervish Himën, Mihal Gramenon, etj. Ishte pjesë e klubit patriotik “Bashkimi”, themeluar nga patriotët e Strugës në kohën e shpalljes së Hyrjetit. Po ky klub, bëri të mundur çeljen e shkollës së parë shqipe të Strugës në vitin 1910. Mbështeti Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit. Nga një fotografi, por dhe nga letërkëmbimet dhe shtypi i kohës, kuptojmë se Sojliu bashkë me babain e shenjtores Nënë Tereza, përgatiti një grup nxënësish nga Shkupi për t’i dërguar në Normalen e Elbasanit. Në nëntor 1912, u zgjodh delegat i Strugës në kuvendin e Vlorës, ku firmoi aktin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Nuri”. Mbështeti lëvizjet politke me frymë demokratike të viteve `20. Vdiq në Strugë. *** 35. YMER DELIALLISI (1873-1944) Lindur në Shijak. Emigroi herët në kolonitë e shqiptarëve jashtë atdheut, nga ku mori formimin e parë të tij si veprimtar i lëvizjes kombëtare. Bashkë me miqtë e tij Abdi e Murad Toptani, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme, e cila çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Deliallisi mori pjesë në këtë ngjarje historike dhe firmoi çertifikatën e lindjes së shtetit shqiptar, me siglën “Ymer”. Duke qenë rrugës për në Vlorë, në përcjelljen që i bëri Ismail Qemalit, ai i dërgoi telegram veprimtarëve që ndodheshin në Shijak që ta ngrinin flamurin kombëtar sa me parë. Kundërshtar i politikës së Esat pashë Toptanit dhe përfaqësues i Shijakut në Kongresin e Lushnjes. Viti 1920 shënon ngarkimin e tij me detyrën e kryetarit të bashkisë së Shijakut. U mpleks me kryengritjen e vitit 1922 dhe pas dështimit të saj, u largua jashtë vendit. Pas disa vitesh, i kthyer në atdhe, u arrestua dhe u burgos. Më pas iu vu veprimtarisë tregtare dhe materializoi ndihmën ndaj luftës antifashiste. I internuar nga nazistët, vdes në burg, në Tiranë. *** 36. SPIRIDON ILO (1876 – 1950) Lindi në Korçë. Mësues në shkollën shqipe të vashave. Emigroi në Bukuresht ku u lidh me koloninë shqiptare të atjeshme. Në dhjetor 1909 luan një rol në dramën “Besa”. Mori pjesë mbledhjen e Bukureshtit. Thuhet se Spiridon Ilo solli flamurin shqiptar që u ngrit në Vlorë. Në mbledhjen e 28 nëntorit, si përfaqësues i Korçës, firmosi aktin e pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1913 u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në Neë York ku vazhdoi veprimtarinë patriotike. Themeloi shoqërinë e parë diskografike “Albanian Phonograf Records” në vitin 1923. Regjistroi për herë të parë himnin tonë kombëtar. Kallëpet e pllakave i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv, por ato fatkeqësisht u shpërdoruan dhe meqë ishin prej bakri u futën në bazamentet e antenës së Radio Korçës. Veprimtarinë e tij patriotike e vazhdoi më pas në Rumani. Më 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1938 anëtar i Dhimogjerondisë. Më 1 prill 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Në vitet `20 botoi e shpëndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Vdiq në Korçë. *** 37. MURAD TOPTANI (1867-1918) Lindur në Aká (Turqi), ku ishte internuar i ati Seremedin pashe Toptani, nga turqit për arsye të aktivitetit të tij nacionalist. Në dekadat e fundit të shek. XIX, Muradi erdhi në Tiranë dhe u kthye përsëri në Stamboll, ku u martua me vajzën e Naim Frashërit, Asijen. Aty ndoqi mësimet në “Gallata Saraj”. Pas vitit 1895, Toptani u vendos pothuaj përfundimisht në qytetin e Tiranës, origjinës së tij. Në atdhe, filloi organizimin me miqtë t ij, veprimtarë patriotë në Tiranë dhe më gjerë se kaq. Në një raport të shërbimit të fshehtë anglez të vitit 1916,lexojmë: “Murad beu: Nga familja e Toptanasve. Kushëri ne Esatin, por në konflikt të vazhdueshëm me të; nga kjo shtrëngohet të jetojë jashtë shtetit. (…) Ka ndikim të madh në popullsinë e Shqipërisë së Mesme.” Mesa duket edhe nga shënimi i mësipërm, ose edhe nga analizimi që mund t’i bëhen marrëdhënieve të Abdi e Murad Toptanit me kushëririn e tyre, Esat Pashën, ato nuk kanë qenë aspak të mira. Raste nga më interesantet në historinë e Shqipërisë, kur në një familje të madhe valëzohet xhelozia e shfrezuar mes të mirës dhe tradhtisë. Toptani bashkëpunoi me organet e shtypit të shqiptarëve jashtë atdheut. Mori pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912 dhe si delegat i Tiranës, firomoi aktin e indipendencës, me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pasha i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj. I detyruar, Muradi emigron në Vjenë. Vdiq në Tiranë, një vit pasi u kthye ne atdhe. Murad Toptani ishte një artist i shquar, piktor e skulptor. *** 38. DHIMITËR MBORJA EMANOIL (1884-1945) Lindur në Mborje. Anëtar i shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908. Kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntorit 1912, firmon aktin e pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”, e cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe. Rreth vitit 1920, lëshoi darovisht godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambjent mësimor për Liceun Kombëtar. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Largohet në Rumani për t’u rikthyer në atdhe vite më vonë. Vdiq në Bukuresht. *** 39. DR. HYSNI MYRTEZAJ Lindur në Strugë, rreth dekadave të fundit të shek. XIX. Shumë pak të dhëna diskutohen nga biografia e tij, ngaqë nuk ka mbetur trashëgimi. Pas disa përpjekjeve, mundëm të gjejmë para disa vitesh në Strugë vendin ku ndodhej godina e banesës së tij, por që sot është zëvendësuar me të tjera, jo prej të afërmve të doktorit. Në Kuvendin e Vlorës, në nëntor 1912, përfaqësoi Strugën dhe me këtë status firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë, me siglën “Dr. H. Myrteza”. 40. XHELAL KOPRËNCKA Lindur në Skrapar. Veprimtar i luftës për çlirim kombëtar, sidomos me një të afërm të tij, Ali Koprëncka. Të dy pjesë e komitetit të fshehtë “Për lirin’ e Shqipërisë”, ushtronin veprimtarinë e tyre patriotike në Korçë dhe Manastir, në klubin e shqiptarëve të atjeshëm. I kujdes për shkollën shqipe të Korçës, atë të vashave dhe djemve. Antar i shoqërive patriotike jashtë vendit. Si delegat i Skraparit, merr pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmon dokumentin e indipendencës me siglën “Xhelal Ko.” Më 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit., si delegat nga Skrapari. I ndjekur nga elementë antikombëtarë, Koprëncka u vra pabesisht në vitin 1919. *** ..

8 mars 2012

PARAJSA

O vëllezrë shqipëtarë! Pa të zëm' udhën e mbarë, T'i bijem pas urtësisë Dhe dritës e diturisë, Të mos rrimë n'errësirë, Se nuk është pun' e mirë.
Neve që qemë njëherë Në gjithë botët të ndjerë, Dhe të par' e të lëvduar, E të rënd' e të dëgjuar, Trima të fort e të mirë, Të rrimë sot n'errësirë. Ishin trima prindit tanë, Pa emrë përjetë lanë. Aleksandr'i Math i ndjerë Dhe shumë shokë të tjerë, Q'ishinë me të të parë, Qenë gjithë shqipëtarë. Muntnë së pari Greqinë, Pasdaj muntnë dhe Persinë. Zunë dhe Hind e Afrikë Burratë trima pa frikë. Faqen e dheut e fituan, Më çdo anë mbretëruan Selefqinjtë(1), Ptolemenjtë(2), Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë, S'qen' as grekrë as bullgarë, Ishin burra shqipëtarë. Kombinë tën e nderuan Dhe Evropën e shpëtuan Nga kurt' i zi i Persisë, Dh'i dhanë nder Shqipërisë. Pirrua romanët mundi E gjithë jetën e tundi. Kostandin'i Math, q'i thonë, Dh'ajy ish nga fara jonë. Gjithë njerëzit e mbarë, Thua, qenë shqipëtarë. Shqipëtari ka lëftuar, Dhe ajy ka mbretëruar. Aleksandr' i Math Greqinë E kishte bërë të tinë, Me luft' e kishin marë Prindit tanë kordhëtarë, Pa në Thivë njerës lanë, Thivasit u ngren' i vranë, I vranë me të pabesë, Pas zakonit të Moresë. Shqipëtarët kordhëtarë Thivësë i vunë zjarrë! S'i kursyenë gjë zjarit, Vetëm shtëpin' e Pindarit, Se ish vjershëtor i ndjerë Dhe i parë mi të tjerë. Shqipëtarët pas Greqisë Iu lëshuanë Asisë, Njeri kurrë nuk i mundi, As u qëndroi dot gjëkundi, Gjithë përpara i vunë, Faqen e dheut gjith' e zunë. Burr' i math i Shqipërisë Ndënji në fron të Persisë, E arratisnë Daranë, { Darai III } Njerëzi e ti e vranë! Aleksandri dha lirinë, E shpëtoi nga xgjedh' Asinë, I dha nder dhe Shqipërisë, Mëmës së ti, q'i dha sisë, Përkujdesi njerëzinë Dhe pruri qytetërinë, Bëri udhë e qytetë, Pru gëzim në gjithë jetë Edhe sot Aleksandria Na rrëfen punët e tija. Evropën e ka shpëtuar Nga njëxgjedh e mallëkuar. Këto punë shqipëtarët I bënë, ata të parët, Ata të parëtë tanë, Edhe emërë na lanë. Edhe Pirroja ish burrë, Që s'ka pasur shokë kurrë. Ay romasit i mundi, Italinë tër' e tundi; Tekdo që kishte lëftuar, Botën e kish tëmerruar. Kshhu edhe shumë të tjerë Shqipëtar' ishin të ndjerë. Ishte mëm' e trimërisë Edh' e zonj' e urtësisë Shqipëria kurdoherë, Që nxirte burra të vlerë. Trima burra të vërtetë Sa kanë qënë në jetë Të gjithë ajo i polli, Trimëria soje dolli. Qe dhe një koh' e një ditë, Që polli dhe perënditë, I pat pjellë Shqipëria, Pa u falej njerëzia, Dhe besoninë qëmoti Që në Shqipëri rrij zoti, Vij rremet i njerëzisë, E i falej Shqipërisë. Tomori nuk ësht' i pakë, Që nxjer dhe sot zë pa flakë, Se rrininë perënditë Ndë atë natë e ditë! Prindit tanë i besonin Perëndit' e s'i mërgonin. Perëndi e trimërisë Ishte mëm' e Shqipërisë. Shqipëtari trim me fletë Rronte gjithënjë në jetë, Shigjet' e ti vrëngëllinte, Vdekjenë me vet' e shpinte! Perëndi e bukurisë Me shijët të gjithësisë, Q'ësht' e bardhë si dëborë Nuk e lij kurrë Tomorë, Flinte në shtratthit të artë Shtat' i bardhë posi kartë. Leshërat i kish të arta Edhe faqezët të zjarta, Ballë, gushë, krahëruar, Llërë, pulpë, këmbë, duar, Pej drite ishinë bërë, Sikundër dhe trup' i tërë. Si dëbor' e kishte gjinë, Pa sill nër mënt bukurinë! Kur kthehej e të shikonte, Zëmrënë ta përvëlonte. Zën' e kishte si bilbili, Faqetë si trëndafili, Diellin e urdhëronte, Në gjit të saj perëndonte, Në shtratthit të saj e vinte, Edh' e mbant' e nuk e linte, Tërë natën e pushtonte, Pa në mëngjest e lëshonte. Hëna këto duke parë, Dhe duke tretur e tharë, Ligej fort shum' e drobitej, Kahënitej e venitej, Se i haj zëmrën nakari, Që djek i shkreti si zjarri. Perëndi e bukurisë, Q'i ip dritë njerëzisë, Nga gjir' i saj dritë qitte, Hënënë e përsëritte, I ip pjesë bukurie Edhe shij' e drit' e hije. Dhe fqinjët e Shqipërisë, Armikët e perëndisë, Kshu treteshin nga nakari, se ish burrë shqipëtari. Sa mbretërë të dëgjuar, Në Shqipëri të uruar, Sa burra të fort' e trima, Me vështrim si vetëtima, Kan' ardhur e kanë shkuar, Dh' emri s'u është haruar! Me ta bashk' ish trimëria, Dhe me ta ish urtësia, Të dyj' ato mbretëronin, Mëmëdhen' e lulëzonin, Ish parrajsë Shqipëria, Se ishte gjall mirësia. Bukuri e perëndisë, Perëndi e bukurisë, Këmbergjëntë, leshflorinjtë, Duke mbledhurë pëqinjtë, Në Shqipëri tekdo shkelte, Bari mbint' e gjethi çelte, Dhe luletë lulëzonin, E bilbilëtë këndonin. Ajo dhe në re qëndronte, Edhe nd'erë fluturonte, Tekdo vij, ip bukurinë, E përndante mirësinë. Bëheshin mollëtë ftonjtë, Portokaletë, lemonjtë, Manatë, rrushtë, qershitë, Fiqtë, arratë, lajthitë, Pjeshka, thana, vadhja, shega, Ulliri me shumë dega, Gruri, misëri, peceli, Elbi, tërshëra e meli. Ish i veshur vëndi gjithë, Dhe pill shumë pem' e drithë, Drur'i dardhësë me dardhë Ish si zonja sisëbardhë. Nër fushatë luleshumë Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë Shkoninë duke kënduar Me kanisk të math nër duar. Ata mëmë kanë renë, E ajo ka atë denë. Dheu, kafshëtë, bagëtia, Shpestë, gjithë njerëzia, Pin' ujët e tyr' e prëhen, Dhe bimërat pa të s'bëhen. Tek shkonte lum' i uruar, Q'ishte si ar i kulluar, Kafshëtë dhe bagëtia, Lëçinin si mizëria. Edhe grat' e Shqipërisë Gjithë me foshnjë në sisë, Sicila ish mbretëreshë Dh'e bukur si pëllumbeshë S'shihnje një gjë të shëmtuar Dhe pa gas e të helmuar. Edhe vashëzë mes'hollë I kuqte faqja si mollë, Dorën q'e kish pej ergjëndi, S'e hiqte nga avlëmëndi, Gjithë ç'i duhej në jetë, I bënte të tëra vetë. Në viset të Shqipërisë S'kish gjë përveç mirësisë, Moskamja dhe varfëria E të tjera të këqija? Kurrë në Shqipëri s'ishin, Mase dhe emërë s'kishin. S'kish as kurva as kurvarë, as të liq kish as kusarë, Gjithëkush vetë punonte, E njeri nukë përtonte; Sicili fort mirë shkonte, Haj, pij dhe tepëronte; Këto me djers' i fitonin, Më shumë nukë kërkonin, Se kish duk nga perëndia Dhe uratë Shqipëria. Ish shumë trim shqipëtari Dhe i bukur si fill ari, Si burratë edhe gratë Ishinë trime me shpate, Ish ligë vëllazëria, Edhe besë miqësia. Shqipëria gjithë nderë Kisht' e ishte shum' e ndjerë. Shqipëtari ish i mirë, Dhe kish emër të pavdirë. Shqipëria shum' e vlerë Ish e madh' e gjat' e gjerë, Se ahere s'ishin shqehtë, As maxharëtë, as vllehtë, Ishin gjithë shqipëtarë Në atë kohët të parë, Qeltëtë kishinë fqinjë, Q'ishinë brinjë për brinjë. Ishte një tjatrë jetë, Shi t'artë shtininë retë, Ish një ver' e gjithënjëshme E një kohë shum' e bëshme, Dhe në dimërë vërritë, Që mbaninë bagëtitë, Ishinë plot manushaqe, Dheu kish bukuri mi faqe. Shqipëtar' ish i vërtetë, Trim i bukur e i qetë, Fjalënë që ip, s'e kthente E s'doj kurrë të gënjente. Të miratë gjithë ç'janë I kishin prinditë tanë. Bima pillte kallinj tetë, Nëntë, dhetë, dymbëdhetë. Të tërë dhenë ta rrihnje, Plak të kërrusurë s'shihnje, Veç kalliri unjte kokë, Nukë dilte përmi shokë. Vasha fill e vetëm shkonte, Njeri kurrë s'e shikonte, Në flori ngarkuar shkonje, Gjësendi nukë pësonje. Kish ahere Shqipëria Gjithë ç'kërkon njerëzia, Zot'i math e kish uruar, Pa ishte fatbardhësuar, Kishtej njerës të vërtetë, Trima burra pa të metë, Kish kamjen' e dashurinë, Mirësin' e urtësinë, Ish e tërë një fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë, Kish bulmet e pem' e drithë, Edhe të miratë gjithë. Mijëra vjet kështu shkuan, Shqipëtarëtë s'u ndryshuan, Patnë gjith' ato që duhen, Kishinë nder' e lirinë, Pa dhe gjithë mirësinë, Se njeriu e njerëzia Ushqehenë nga liria. Njeriu lindi i liruar, Pasdaj e kanë penguar. Gjithë botënë romanët E vunë poshtë, veç tanët U pren' udhën' e s'i lanë, Pa shumë lufëtra ngjanë. U mbyt në gjak Shqipëria, Po rop s'u bë njerëzia, Nuk' u bë rop shqipëtari, Po qëndroi si ish së pari! Dha shpirtin e gjakn' e derdhi, Në zgjedhë si kau s'erdhi, Mburoi nderr' e Shqipërisë Dhe sendrën' e njerëzisë! Mbajti lirin' e ra vetë, Trimërinë s'e la shkretë. Pa kur erdhë egërsirat Me të gjitha të pahirat, Si hynë, shqeh e të tjerë, Duke vrar' e duke prerë, Të gjithë kombet' i zunë Dhe në kurt të keq i shtunë, Njeri përpara s'u dilte, Gjithëkush udhën' u çilte. Vetëm prindit trima tanë "Gjer aty, barbar'!" u thanë. Dhe kur erdhë nga Asia Të shumë si mizëria Tyrqitë, q'ishinë trima Dhe binin si vetëtima, Pa më thoni kush lëftonte Edhe gjësendi s'pësonte? Vall' elinët a bullgarët! Apo neve shqipëtarët? Njeri tjatërë s'kuxonte, Veç shqipëtari lëftonte! Ajy prap' e ka shpëtuar Evropënë e verbuar. Kush nuk e di Skënderbenë, Që nderojti mëmëdhenë? "Lum ti, moj Shqipëri!" thashë, Armët e ti' kur i pashë Ndë Belvedere në Vjenë, Sikur pashë Skënderbenë. Dhe sot nga armët e tija Kullon fjeshtë trimëria! E di njerëzi e tërë Atë zot ç'punë ka bërë Kur hiqte Skënderbeu shpatë, Trimavet u ipte datë! Burra të veshur në hekur Dhe luftëtarë të pjekur, Q'ishin në luftë kaluar Përmi kuaj të harbuar, Kur hiq me kordhët të prehtë, Q'ishte si pëndëz e lehtë, Posi pjepërin i priste, Në vdekje pa ndjer' i klliste, Njerin' e kalën e çante, Të dy më katër i ndante. Mirësin' e trimërinë, Dhe mëndjen, e urtësinë T'ati zoti njeri kurrë S'e ka pasur nonjë burrë. Vet' ajy burr' e trim ishte, Edhe shokëtë që kishte, Si Tanushi me Uranë, E Moisiu me Hamzanë, Si Maneshi e Muzaka, Që hidheshin posi flaka, E si Lekë Dukagjini, Si Perllati, si Mardini, Zënëbisha, Araniti, Gjon Koka, q'ish si hastriti, Kont, prens, mbretër e të tjerë, Burra të vler' e të ndjerë. Qenë trima të vërtetë, Nuk u bënë rop në jetë. Opopo! ç'kanë lëftuar, E ç'punë kanë punuar! Sa mbretër e prensër qenë, Njohnë të math Skënderbenë, Zun' udhën e urtësisë, Ishinë lark marrëzisë, Për Shqipërinë lëftonin, Madhëritë nuk' i donin, Po kishin vëllazërinë, S'e qasninë djallëzinë, Pa lan'emërë përjetë, Zotërinjtë e vërtetë, Veç Shqipërinë mejtonin, Të tjeratë i harronin, S'kishin ata thashetheme, Të këqija e të rreme, Donin gjithë mëmëdhenë Dhe kombin' e Skënderbenë, Kush i rrij kundrejt Tyrqisë, Veç burrat' e Shqipërisë, As Sërbij' as Bullgaria, As Elladha as Vllahia, As Venetia qëndronte, As tjatërë komp kuxonte. Evropa ishte e shuar, Njerëzit të mallëkuar, Kishin vdekurë nga frika, Nga Tyrqit' u binte pika, U trëmpnë gjithë me radhë, Dhe Vlladisla me Uniadhë, Si gjithë këta të rinjtë, Dhe papa e vyzandinjtë Më një ditë Konstandinë Tyrqit' e zunë dh'e pshinë, Kostandinopoj' e ndjerë S'u mbajt, po ra menjëherë. Grekërit' ishin të vdekur, S'hanin dot barut e hekur, Le të mbahen me lëvdatë Grekërëtë posi gratë, Me fjal' e me thashetheme, Janë të gjitha të rreme. Kishte vdekur njerëzia, Rronte vetëm Shqipëria, Veç shqiptari lëftonte, Njeri tjatërë s'kuxonte. Kordhëtar tjatërë s'gjenë, Tyrqitë, veç Skënderbenë. Skënderbeu me të parët, Me të gjithë shqipëtarët, I qëndruanë Tyrqisë, I dhanë nder Shqipërisë, Ata duall' e lëftuan, Gjith' Evropën' e shpëtuan. Te Skënderbeu kishte shpresë Aher' Evrop' e pabesë. Rrëfe, o mal' i Sopotit! Edhe ti, Tomor'i zotit! Me oshëtimë tregoni, E me vetëtimë thoni, Dhe ti, fortes' e Beratit! E ju, bregoret' e Matit! Folë, fol' o Drin'i shkretë! Q'i ke parë me sy vetë Të tër' ato ligjërime I mer vesh zëmëra ime. Këto gjithë po i dimë, Më tëhu tani të vimë. Pas Skënderbeut Shqipëria Nukë ra në të këqija, Se në kurt' kurrë s'ka rënë, Poshtë njeri s'e ka vënë, Se shqipëtari ish burrë, Nënë zgjedhë s'hyri kurrë. Nder' e vjeftënë e mbajti, Dhe sedrënë nuk e ndajti, Nuk e harroi mëmëdhenë Dhe lirin' e Skënderbenë, I huaj në vëndit tënë S'shkelte dot, se nuk ish thënë Retë muntte të përpinte, Në Shqipëri s'munt të vinte; Fill e vetëm shqipëtari Udhëtonte si m'i pari, Me mbledhët të pleqësisë Shihej pun' e Shqipërisë Ligë kishin të vërtetën, Që sbukuron gjithë jetën, Kishin udhë urtësinë, Besë kishin njerëzinë, Udhërëfenjës e dritë Kishin gjithë mirësitë. Gjithë sa qenë të parë Dhe me mënt e kordhëtarë, Q'i dhanë jetë Tyrqisë E nder të math Shqipërisë, Të tër' ishin shqipëtarë Sa bënë punë të mbarë, Si Qyprilit' e të tjerë Burra me emr' e të ndjerë. Shqipëtari mbretëronte, Ajy lëftont' e gjykonte. Shqipëria ishte zonjë E kishte të madhe pronjë, Shqipëria kurdoherë Ka nxjerrë trima të vlerë, Mehmet Alin', Ibrahimnë, Gjikënë, Gjolekë trimnë, Rrapon e Ali Pashanë, Silahdarë e Shkodranë E shumë njerës të tjerë, Si këta dhe më të ndjerë. Ishte vash' e Shqipërisë Ajo zonj' e urtësisë, Dora Distra nga Përmeti, Q'ish në diturit si deti. Gjithë gravet u ka dhënë Nder dhe mëmëdheut tënë. E kush e bëri Morenë? Gjithë shqipëtarë qenë. S'ish shqipëtar Marko Suli? Xhavella e Miauli? Bubulina e Kanari? Shqipëtar bir shqipëtari. Me armët të Shqipërisë Iu hoth themeli Greqisë, Po grekërët e pabesë, Që iu bënë zot Moresë, S'e duanë shqipëtarë, Kërkojnë t'i bëjnë varrë! Po kush bën në këtë jetë Varr' e shokut, bije vetë. Nukë trëmbet shqipëtari Nga greku e nga bullgari, Nga Mal'i Zi, nga Sërbia Nukë trëmbet Shqipëria. S'trëmbet kurrë shqipëtari, Dhe sot ësht' ajy i pari, Bota gjith' e kanë parë Në luftëra shqipëtarë, Plevna, Shipka s'u harua, Koha shumë s'u mërgua. Neve muntmë venetjanët Dhe barbarët e romanët, Turqinë edhe Persinë, Afrikënë e Hindinë. Gjithë njerëzit e dinë Kush e bashkoi Italinë. Cilët për vdekj' e për kokë Garibaldi kishte shokë? Shqipëtar ishin të tërë, Ata punë kanë bërë. Edhe sot lul' e Tyrqisë Janë djemt' e Shqipërisë, Njerës t'urt' e të vërtetë, Të ditur e pa të metë. Edhe sot është i zoti Shqipëtari si qëmoti, çdo punë që ka punuar, Kurdo e ka trashëguar. Këto të vërteta janë, E të rrema brënda s'kanë Njeriu po të mësonjë, Këto do t'i kupëtonjë. Eshtë fjalëz e vërtetë, Që tjatërë komp në jetë S'i arrin dot shqipëtarit, Burrit trim e punëmbarit. Ka nxjerrë e do të nxjerrë Shqipëria kurdoherë Burra t'urt'e të vërtetë, Ka pasur dhe do të ketë. I ka dhënë perëndia Gjithë ç'donte Shqipëria, Se e ka ngrehur përjetë Zot i math e i vërtetë. Shqipëria s'copëtohet, Kurrë nukëvarfërohet, Posi hëna përsëritet, Kurrë nukë kahënitet. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një fis e një farë, Kemi të tërë një shpresë, Një gjak, një gjuhë, një besë, Besë kemi perëndinë Dhe ligë vëllazërinë, Jemi gjithë shqipëtarë, S'jemi të çar' e të ndarë, Jemi shtëpi e fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë. Mëmë kemi Shqipërinë Edhe motër urtësinë, Kemi ndihmës trimërinë, Mëm' e atë perëndinë, Se asaj i prumë besë, Të gjith' atje kemi pjesë. S'jemi as turq as kaurë, Mos e thoni këtë kurrë, S'jemi grekër as bullgarë, Jemi vetëm shqipëtarë Ky emërë na ep nderë, Pa s'na duhenë të tjerë, Kemi gjuhëzënë tënë, Zot'i math na e ka dhënë, Dhe komp e mëmëdhe kemi, Të humbur në jetë s'jemi. Ajy që s'do mëmëdhenë Dhe kombin e vetëhenë, Dhe gjuhënë që flet vetë, S'është njeri i vërtetë. Ata quhen tradhëtorë, Janë të mjer' e të gjorë, Faqezes e gënjeshtarë Dhe të paqën' e të marrë, E lenë mënjanë nderë E lipin derë më derë Ata janë posi berri Edhe të ndyrë si derri. Nder e vjeftë s'munt të ketë Njeriu i tillë në jetë. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një s'jemi të ndarë, Kët' emërë mjaft e kemi Dhe na ep nder kur e themi, Eshtë emr'i Skënderbeut, Emr'i gjithë mëmëdheut, Me kët' emrë të bekuar Tanëtë janë lëvduar. Selenik e tatëpjetë Ka qënë dhe do të jetë Vënd'i tër' i Shqipërisë Me ndihmët të perëndisë. O ju fqinjtë e pabesë! Mos bini me atë shpresë, Shqipëria s'copëtohet, Shqipëtari nukë ndrohet. Ju e njihni shqipëtarë, E kini parë më parë, Po mos delni nga kufitë Edhe lini marrëzitë. Që të kemi miqësinë Të gjithë dhe dashurinë, S'ka njeri të marrë pjesë, Për të zonë do të mbesë I zoti 'shtë shqipëtari, Ajy që ka qën' i pari, S'ka njeri tjatërë pjesë, Pa nukë ka besa-besë. Shqipëria ka të zonë, Q'e ka pasur gjithëmonë, Me qënë gjall shqipëtari, ç'kërkon greku dhe bullgari? Dhe Mal'i Zi e Sërbia ç'kërkojnë nga Shqipëria! Hiquni, o të pabesë! Se e zeza do t'u presë! Djemt' e Skënderbeut përjetë Janë burra të vërtetë, ç'e pandehtë shqipëtarë? Të vdekur, q'i bëni varrë? S'e dini ç'u ka punuar? S'më ngjan t'i kini haruar. Kush ia ka me të pabesë Shqipërisë, do të vdesë, Do të vdes' e të humbasë, Nga nakari të pëlcasë, Shqipëria do të rronjë, Paskëtaj të mbretëronjë. Në pastë nër shqipëtarë Pakë grekër e bullgarë, Pakë shqipëtarë janë Vallë nëpër fqinjtë tanë? Ne duam vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë, Pa luftës s'i trëmbet kurrë, Shqipëtari është burrë. Edhe Evropa e tërë Sonte me ne është bërë, Se të drejtën ne e kemi, Ne të zott' e vëndit jemi. Sot për sot Maqedhonia, Thesprotia, Mollosia, Dhardhania, Iliria, Paravea, Haonia Që u thoshinë qëmoti Bota, po s'u thosh i zoti, Bëjnë gjithë Shqipërinë, Edhe fqinjtë ton' e dinë. Tani, djemt' e mëmëdheut! O të bijt' e Skënderbeut! Ju, o vëllezër e shokë! Pa mblithni mënttë në kokë, Xgjuhuni, o shqipëtarë, Se afëroi dit' e mbarë! Mos vini veshnë në botë, Si të dojë le të thotë. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një komp e një farë, Edh' e tërë Shqipëria Eshtë një si perëndia. Lereni mënjanë fenë, Të shikojmë mëmëdhenë, Të jemi miq në mest tënë Dhe shokë, si kemi qënë, Ta shtojmë vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë. Jemi djemt' e mëmëdheut Gjithë dhe të Skënderbeut, Sicili le të besonjë Sikundër të kupëtonjë, Po feja të mos na ndanjë, Në xgjedhë të mos na mbanjë. Përpiqi për vethet tuaj, Mos për bot' e për të huaj. Eshtë dit' e diturisë Sot e koh' e urtësisë S'bën dot punë marrëzia, Padija e foshnjëria, Poshtë ndarja e nakari, Qoftë lark nga shqipëtari, Rroftë bashkimi përjetë, Q'e fali zot'i vërtetë! Ta kemi vëllazërinë, Miqësin' e urtësinë, Një fjalë gjithë të themi E një dëshirë të kemi: Të nderojmë mëmëdhenë, Gjuhënë e vetëhenë, Shqipërinë ta shpëtojmë, Së gjithash ta lartësojmë Atë kemi gjithë mëmë, Në të huaj nuk' e lëmë Pa njeri të mos kuxonjë Ta pres' e ta copëtonjë. Shqipëri, o jetëgjatë! Ty të kemi mëm' e atë Dhe për ty do të lëftojmë, Gjersa të të trashëgojmë! Për ty gjithë, dit' e natë, Mejtohemi gjer' e gjatë. Ti kurrë s'prishesh, s'shkretohesh, 7 As drobitesh, as pengohesh. Më ke gjithë bukuritë E të tëra mirësitë: Ke fusha me lule shumë, Lumënj të mbëdhenj pa gjumë, Male të lart' e të veshur, Buzën' e detit të qeshur; Gjithë gazë ta dha zoti, Ta ka falur që qëmoti; Më je dritëzë në dritë, Me të gjitha mirësitë. Për ty shumë do të thoshe, O Nuseja bukuroshe! Ti s'plake kurrë në jetë, Posi perëndia vetë! Vdekja edhe pleqëria, Shëmëtimi, dobëtia, Ty s'ta zënë dot pëqinë, Mësa zënë perëndinë! Ke pjell' aqë të vërtetë, Sa s'nëmërohen në jetë, Pa ke pjellë Skënderbenë E gjithë trimat sa qenë. Ke sot djem t'urt' e të mirë, Trima me shumë dë shirë. Nukë vdesin shqipëtarët, Janë vet'ata të parët. Dardha nënë dardhët bije, Dit' e sotme qe dhe dije, Nukë shuhet njerëzia, Vdes e ëma, rron e bija, Rron i biri, q'është vetë I ati që qe ndë jetë. Trëndafili, që ep er1%, çeletë sërish në verë. Ju priftërë mjekër gjatë, Q'u quan kombi uratë, Uratë e perëndisë, Q'është drit' e gjithësisë, Munt të bëhi të pabesë Për të mirët të Moresë? Hrroni dot mëmëdhenë? E pse? ç'e kemi Morenë? Krishti grek nukë ka qënë, Dhe besën ata s'e bënë. Dhe ju hoxh' e ju dervishë Mos shihni xhami e kishë, Si kisha 'shtë dhe xhamia, Tekdo është perëndia, Pa të tërë njerëzinë Zot' i math e ka të tinë, Se përpara perëndisë Nj'është tuf' e njerëzisë Kush ka zëmrë të qëruar, Munt të jet' ajy m'i çquar, Se po vetëm urtësia N'afëron te perëndia. Ta doni keq perëndinë, Po bashkë me Shqipërinë. Shqipëri, të qofsha falë! Të kam mëm' e më ke djalë, Në gjit tënt ngrihem e bije, Ti ke fuqi perëndie, E mer në gjit bukurinë Dh'e nxjer prapë kur hap gjinë. Trëndafil' i kuq me palë, Që nga gjiri yt ka dalë, Është gjaku i një mbreti, Që prëhje ndë gjit tënt gjeti. Nga të mos nxjerç lule m'erë Ti, që këllet kurdoherë Ndë gji vetë bukurinë? Gjithë tek ti ven' e vinë. Parrajs' e vërtetë vetë Është Mëmëdheu në jetë. Naim Frasheri...

14 prill 2011

SHQIPËRIA GJATË SHEKUJVE TË MESJETËS (SHEK. V - XIV)

SHQIPËRIA GJATË SHEKUJVE TË MESJETËS
(SHEK. V - XIV)



SHQIPËRIA NË PERANDORINË BIZANTINE
(SHEK. V - X)

1. SHQIPTARËT DHE NDRYSHIMET ETNO-POLITIKE E SHOQËRORE-EKONOMIKE NË MESJETËN E HERSHME

Shqipëria dhe Bizanti
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës-Apoloni-Peqin-Ohër) janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të historisë bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali, bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve” (numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine të Italisë e në provinca të tjera në Evropë e Azi.

Përhapja e krishterimit në Shqipëri
Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që në shekujt e parë të erës së re, në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Elbasan, Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Butrint e akoma më në jug.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergj), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.
Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në këtë kohë në toponomastikën e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin, Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII). Të tilla toponime, që në Ballkan në një masë e në një shtrirje të tillë gjenden vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella malore larg bregdetit, është një e dhënë më shumë që provon se këto hapësira mbetën në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të madhe të Ilirisë së Jugut.
Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit. Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi (Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë të emëronin, të shkarkonin, të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kishin të bënin me administratën kishtare të provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë të klerit të botës së krishterë, për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu, në Koncilin e famshëm të Nikesë, më 431, mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte herezinë nestoriane. Në Koncilin tjetër të rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.

Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana e Konstandinopojës u përpoq t’i vërë në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519). Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patriarkati i Konstandinopojës. Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patriarkatin e Konstandinopojës. Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit. Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin e Konstandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të Konstandinopojës për t’i shtënë ato në dorë.
Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve, një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.
Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të Konstandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve, kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit bizantin mbi Papën e Romës.
Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës në një varg dioqezash të Shqipërisë së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të veçantë. Në këtë drejtim luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë gjithë mesjetës.

Dyndjet e popujve, ngulimet sllave në Ballkan
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik. Po këtu ndodhej edhe selia e kryetarit të kishës së kësaj prefekture.
Ndonëse nuk ndodhej në kushtet e dëshpëruara ku e kishte zhytur kriza e thellë ekonomike, shoqërore e politike pjesën perëndimore të Perandorisë Romake, edhe Perandoria Romake e Lindjes po i vuante pasojat e krizës së kapërcimit të dy epokave. Brishtësia e strukturave të saj shtetërore e ushtarake doli në pah gjatë ballafaqimit me dyndjet e popujve gjatë shek. IV-VII.
Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Popujt që u dyndën dhe invaduan Ballkanin shkaktuan dëme e rrënime të mëdha në të cilat u futën. Për periudhën e “dyndjes së popujve” burimet e shkruara janë mjaft të rralla dhe përbëhen nga kronikat bizantine. Historianët që janë marrë me këtë periudhë e kanë shpeshherë të vështirë t’i akordojnë këto burime midis tyre. Edhe materiali tjetër burimor, arkeologjik është i pamjaftueshëm.
Sipas burimeve tashmë të njohura vizigotët, pas betejës së Adrianopojës të vitit 378, arritën deri në brigjet e Adriatikut. Në marrëveshje me perandorin Theodhosi I, e me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak, ata u lejuan të vendoseshin në pjesën veriore e perëndimore të Gadishullit Ballkanik, dhe ndërprenë për një kohë sulmet e tyre. Dyndjet e “barbarëve” vazhduan edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë të veçanta, në atë të lindjes dhe në atë të perëndimit (395).
Të dyja pjesët e perandorisë u detyruan për një kohë të gjatë t’u bënin ballë sulmeve e invazionit të “barbarëve”. Për pjesën lindore të Perandorisë, atë Bizantine, një rrezik të madh përbënin asokohe gotët e perëndimit që ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik. Prijësat e tyre kishin arritur të zinin poste të larta si komandantë të besëlidhur - foederati, sikurse u quajtën “barbarët”. Këta të fundit ishin të pakënaqur nga marrëdhëniet me perandorinë. I pari u ngrit Alariku, prijësi i vizigotëve, me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat e premtuara si të besëlidhur. Me forcat e Alarikut u bashkuan edhe gotë të tjerë të vendosur në krahina të ndryshme të Ballkanit; kryengritësit filluan plaçkitjen e Greqisë dhe të trevave iliro-shqiptare. Perandoria Bizantine mundi të dalë nga kjo gjendje, pas paqes që bëri me Alarikun në vitin 398, duke lejuar vendosjen e ushtrive gote në krahinat jugperëndimore të Gadishullit si të besëlidhur dhe duke e emëruar prijësin e tyre si kryekomandant të ushtrive bizantine në Ilirik. Pas 10 vjetëve Alariku me vizigotët u largua për në Itali, ku në vitin 410 pushtoi Romën.
Sulmet e gotëve shkaktuan një rënie të mëtejshme të ekonomisë fshatare e qytetare, shkretimin e shumë krahinave. Ja si e ka përshkruar gjendjen Hieronimi nga Stridoni i Dalmacisë: “Më vjen të rrënqethët kur mendoj të tregoj shkatërrimet në kohën tonë, ka më tepër se 12 vjet që gjaku shkon rrëke. Gotët, sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë, shkatërrojnë dhe plaçkitin Trakinë, Maqedoninë, Thesalinë, Dakinë, Akajen, Epirin dhe gjithë Panoninë. Kudo dhunë, kudo psherëtima, kudo fytyra e tmerrshme e vdekjes; për këtë dëshmitare është Iliria, dëshmitare është Trakia, dëshmitar është edhe vendi ku kam lerë, ku çdo gjë u shkatërrua, përveç qiellit e tokës, ferrave dhe pyjeve të dendura”.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë Bizantine.
Në vitin 479, trevat iliro-shqiptare të përfshira në provincën e Epirit të Ri, u goditën nga sulmi më i rëndë i ostrogotëve të udhëhequr nga Teodoriku. Ostrogotët, rreth 50 mijë veta, ndër të cilët 10 mijë luftëtarë, u lëshuan nga vendbanimet e tyre provizore në Traki dhe nëpërmjet rrugës Egnatia depërtuan deri në viset bregdetare pranë Durrësit. Vetë kjo qendër e rëndësishme ra në duar të ostrogotëve. Perandoria Bizantine bëri ç'qe e mundur për t'i larguar të porsaardhurit nga ato treva, që ishin të një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për perandorinë. Në fakt ostrogotët shumë shpejt u detyruan të tërhiqeshin prej andej.
Në periudhën midis viteve 500-517 hordhi hunësh të nisura nga rrjedha e poshtme e Danubit, përshkuan viset ballkanike deri në Epir e Thesali, duke shkretuar gjithë vendin. Bregdeti i Shqipërisë vuajti në atë kohë edhe nga sulme të ostrogotëve të organizuara nga Italia, ku ky popull ishte vendosur qysh prej fundit të shek. V.
Gjithsesi, pas kalimit të ostrogotëve në perëndim (488), në pjesën lindore të Perandorisë intensiteti i sulmeve të “barbarëve” u ul ndjeshëm. Kjo gjendje qetësie relative do të zgjaste deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek.VI, kur në kufijtë veriorë u shfaqën popuj të rinj: bullgarët, avarët, antët, gepidët, e mbi të gjitha sllavët. Inkursionet e tyre u intensifikuan qysh në kohën e sundimit të perandorit Justinian. Rreth vitit 548 një turmë e madhe sllavësh plaçkiti e shkretoi disa provinca, duke depërtuar deri në afërsi të Durrësit. Komandantët ushtarakë të Justinianit nuk guxuan t'i futnin trupat e tyre në luftim dhe u mjaftuan t'i ndiqnin nga larg veprimet e sllavëve. Inkursionet sllave u përsëritën thuajse rregullisht edhe në vitet pasardhëse.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, më i madhi i perandorëve të periudhës së hershme bizantine, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Sipas Prokopit të Cezaresë, historian i oborrit të Justinianit, vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Numri i kështjellave të ndërtuara në të katër provincat e Ilirisë së Jugut arriti në 168.
Por këto masa mundën t'i frenojnë vetëm përkohësisht sulmet e popujve “barbarë”. Këto u bënë edhe më kërcënuese, kur me sllavët u bashkuan edhe avarët, një popull luftarak nomad. Pas vdekjes së Justinianit (565), hordhitë sllave shpeshherë së bashku me avarët ose të prira prej tyre, u lëshuan në drejtim të jugut. Rrugët e rrahura prej tyre zbrisnin nga rrjedha e Danubit në drejtim të jugut e juglindjes, ku synonin të godisnin qendra të tilla, si Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Më 586 Selaniku u rrethua nga sllavët, të cilët e vazhduan marshimin e tyre në jug, deri në Peloponez.
Por sulmi më i fuqishëm avaro-sllav në Ilirik qe ai i vitit 609. Hordhitë sllave shkretuan vise të tëra në Maqedoni, Thesali, Beoci e deri në Peloponez, prej nga arritën me anije edhe në ishujt e Egjeut e deri në Azinë e Vogël. Nga kjo valë u prekën edhe provincat e Dardanisë e të Epirit të Vjetër. Atë kohë Selaniku pësoi rrethimin më të gjatë të tij. Në qytet erdhën dhe u strehuan edhe të ikur nga viset më veriore, ndër të cilët edhe nga Nishi.
Megjithëse drejtimi kryesor i dyndjeve avaro-sllave ishin viset jugore të Ballkanit dhe qendrat e mëdha si Selaniku e vetë Konstandinopoja, inkursionet shkatërruese nuk kursyen edhe brezin perëndimor të trevave iliro-shqiptare. Në radhë të parë prej tyre vuajtën viset dalmatine dhe provinca e Prevalit. Në vitin 592 një pararojë avaro-sllave arriti të shtyhej deri në qytetin e Lezhës. Disa vjet më vonë prej sllavëve u pushtua dhe u shkretua përfundimisht Salona. Banorët e qytetit dalmatin gjetën shpëtim në ishujt pranë e në Split. Në provincën e Prevalit, u rrënua qyteti i Dioklesë, banorët e të cilit kaluan në Tivar. Qendrat e tjera, si Budua, Ulqini, Shkodra, Lezha, rezistuan dhe patën vazhdimësi jete edhe në shekujt e ardhshëm.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez. Prej Maqedonie, grupe të veçanta sllavësh arritën të depërtojnë dhe të vendosen në lartësitë përgjatë luginës së lumit Devoll e Osum, por pa formuar bashkësi kompakte.
Në bregdetin dalmat, duke filluar nga gryka e Kotorrit e sipër, u vendosën tributë sllave të trebinjëve, kanavlitëve, zaklumëve, narentanëve. Konstandin Porfirogjeneti, perandor e historian bizantin i shek. X, i numëron këto bashkësi si fise sllave. Por diokleasit, që banonin më poshtë grykës së Kotorrit, ai nuk i përfshin ndër popujt sllavë. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të serbëve. Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim serbët kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë, që ndonjëherë njësohen me serbët. Bërthamën e vendeve serbe e përbënte krahina e Rashës, që e merrte emrin nga kështjella me të njëjtin emër, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug vendet e serbëve arrinin deri në burimet e lumit Lim.
Në përfundim të dyndjeve të popujve gjatë shek. IV-VI e sidomos të kolonizimit sllav të shek. VI-VII, përbërja etnike e trevave ballkanike, pësoi modifikime të ndjeshme. Në viset danubiane, në ato të Istries, të Dalmacisë e të rajoneve të brendshme u vendosën në mënyrë mjaft intensive popullsitë e reja sllave: trebinjatët, kanavlitët, paganët, serbët, kroatët. Masa sllavësh u vendosën në zonën e Nishit dhe përgjatë luginës së Vardarit, e deri në Selanik. Prej këndej, grupe të veçuara depërtuan nëpër luginat e Devollit e Vjosës, duke zënë kryesisht lartësitë përgjatë tyre. Ngulime sllave pati edhe në malësitë midis Thesalisë dhe Epirit (malet e Pindit). Vendosje masive të bashkësive sllave pati në Traki e Greqi, veçanërisht në Gadishullin e Peloponezit. Historiani bizantin i shek. X, Konstandin Porfirogjeneti, thotë se në atë kohë Peloponezi "ishte sllavizuar plotësisht". Gjithsesi, burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë e ku më pak të thellë drejt brendësisë, është ndër rajonet më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv. Një zhvendosje e tillë e popullsisë autoktone iliro-shqiptare drejt zonave më të sigurta jugore dëshmohet pas rënies së Nishit, të Dardanisë e të Salonës në bregdetin dalmat pas vitit 612.
Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë normale të jetës në shekujt e errët të mesjetës.
Grupet e izoluara sllave që kishin arritur të depërtonin drejt luginave të Devollit e Osumit, nuk arritën të organizoheshin në bashkësi kompakte. Për më tepër, duke filluar me Justinianin II, me qëllim që të siguronte ndërlidhjet jetike me bregdetin adriatik në boshtin e rrugës Egnatia, Perandoria Bizantine shpërnguli popullsi të tëra sllave nga viset që ishin në rrezen e saj duke i çuar në Azinë e Vogël.
Fuqizimi i shtetit bullgar, sidomos gjatë sundimit të carëve Simeon e Samuel, në shek. IX - X, u shoqërua me depërtime grupesh sllave, përkatësisht bullgare, që u vendosën kryesisht në vendet e prekura që më parë nga kolonizimi sllav. Por, me rënien e Perandorisë Bullgare dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin në këto treva, bashkësi të tëra sllave u shpërngulën nga perandorët bizantinë dhe u vendosën në Traki e në Azinë e Vogël. Kjo vlen në radhë të parë për zona me rëndësi strategjike, siç qe Shqipëria. Grupe të tjera, në marrëdhënie me popullsinë vendase erdhën vazhdimisht duke u tretur e duke u asimiluar.

Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).
Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare.
Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët, u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella. Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në Diokle.
Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si "ilirë" ose "barbarofonë", pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret termi "arbëreshë" (arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku i Manuel Paleologut" apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen e Epirit.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.

Shqiptarët e hershëm dhe “Kultura e Komanit”
Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur "Kultura e Komanit" (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës së Komanit" janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.
Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit" dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e "Kulturës së Komanit" kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

2. RURALIZIMI I JETËS NË MESJETËN E HERSHME

Kushtet natyrore
Tabloja mjaft e larmishme e kushteve natyrore përcaktoi në një shkallë të madhe ndarjen e trevave shqiptare në disa rajone bujqësore me drejtime e karakteristika të ndryshme të prodhimit.
Dallohej pa dyshim në këtë drejtim ajo që historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, e quan "fusha ilirike" dhe që njësohej me ultësirën perëndimore shqiptare, ku ndodheshin rajonet bujqësore dhe qytetet ndër më të begatat e Shqipërisë mesjetare. Këto vise ofronin kushte të përshtatshme për zhvillimin e një bujqësie intensive dhe për zbatimin e një agroteknike të përparuar. I tillë ishte rajoni i Shkodrës, ai i Durrësit (fusha e Skurrisë etj.), zona e Karavastasë si pjesë e fushës së Myzeqesë (Myzakia=vendi i Muzakëve) dhe treva tejet e begatë e Vagenetisë (Çamërisë) në skajin jugor. I gjithë ky rajon karakterizohej nga një pjellori relativisht e lartë e tokës dhe që deri në shek. XIV nuk ishte prekur ende nga dukuria e moçalizimit, që erdhi si rezultat i shpyllëzimeve masive dhe i braktisjes së tokave në prag të pushtimit osman. Drithërat (gruri, elbi, meli) përbënin produktin kryesor të këtyre zonave. Por po aq të dëgjuara ishin prodhimet e kopshtarisë, vreshtarisë e të blegtorisë. Kultura e ullirit kishte përhapje mjaft të gjerë, duke u shtrirë në veri deri në rrethinat e Ulqinit, të Shkodrës e të Drishtit, ndërsa kultura e mëndafshit (serikultura) qe e përqendruar në zonën e Shkodrës, Vlorës, Beratit e të Këlcyrës.
Në të gjithë ultësirën perëndimore shqiptare, ku dikur kishin lulëzuar latifondet e mëdha, edhe në kushtet e reja prona e madhe tokësore vazhdoi të ekzistonte në zotërim të personave laikë apo të institucioneve fetare. Këto të fundit dalin që herët si grumbulluese fondesh të mëdha tokësore. Që në shek. VI bëhet fjalë për prona të mëdha të kishës (patrimonia) në zonën e Shkodrës (të Prevalitanisë). Një pjesë e mirë e këtyre, bashkë me toka të tjera, figurojnë më vonë si pronë e manastireve të mëdha, katolike e ortodokse, të atij rajoni. Njëlloj të pasura me toka ishin edhe manastiret dhe peshkopatat e zonës së Durrësit, ato të Beratit apo të Vagenetisë në jug.
Njëkohësisht me institucionet fetare, fonde të mëdha tokash figurojnë në pronësi të personave laikë, që i përkisnin aristokracisë vendase por që, në ndonjë rast, ishin edhe fisnikë të huaj. Prania e këtyre të fundit, dhe në përgjithësi kontaktet që bregdeti i Adriatikut dhe ai i Jonit patën me Italinë, bënë që marrëdhëniet agrare të ndikoheshin aty nga modeli perëndimor i feudalizmit. Në dokumentet e shek. XIII-XV, që kanë të bëjnë me këto treva, ndeshet vazhdimisht një terminologji që flet për praninë aty të institucioneve feudale, tipike perëndimore, siç qe feudi (feudum), vasaliteti (vassallagium), betimi (juramentum), mbrojtja feudale (protectio), imuniteti (immunitas) etj.
Rajone të zhvilluara dhe dendësisht të banuara qenë edhe ato të rrafshnaltave ose luginave të brendshme të Kosovës, Dibrës, Ohrit, Korçës, Devollit, Matit, Këlcyrës, Drinit etj. Këto përshkoheshin nga një rrjetë e dendur rrugësh komunikimi dhe nuk përbënin kurrsesi enklava të izoluara. Edhe këtu, ashtu si në ultësirën bregdetare perëndimore, procesi i përqendrimit të tokave në pak duar ndodhi shpejt dhe pjesa më e madhe e fondit tokësor ndahej mes një grupi pronarësh të mëdhenj ose institucioneve fetare. Këto treva qenë në Shqipëri trevat ku gjeti përhapjen klasike feudalizmi i tipit bizantin, i mishëruar në institucionin e pronies.
Së fundi, rajoni i tretë ishte ai i malësive dhe i zonave të thella, që zinte një pjesë të mirë të territorit. Këtu peshën kryesore në veprimtarinë ekonomike e zinte blegtoria, kurse kultivimi i arave kufizohej në lugina e në ngastra të ngushta të hapura me mund në sipërfaqet e pjerrëta apo në pyjet. Karakteristikë e këtyre zonave ishte mobiliteti (lëvizshmëria) periodike e një pjese të popullsisë të lidhur kryekëput me ekonominë blegtorale dhe që përcaktohej nga ndërrimi i kullotave, nga mali në verë, në fushat bregdetare gjatë stinës së dimrit (tranzumanca). Ndonëse banesa e qëndrueshme e blegtorëve ndodhej në katundin malor, ndodhte shpesh që, gjatë shtegtimit me bagëtitë e tyre drejt fushave bregdetare, në dimër, ata të merrnin me vete edhe familjet, me të cilat sistemoheshin përkohësisht në kasolle të ngritura kryesisht me dru e kashtë. Jo rrallë kjo popullsi blegtorale, e vendosur përkohësisht gjatë muajve të dimrit në zonat fushore bregdetare, ngulej aty në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në strukturën dhe shpërndarjen e popullsisë. Nga ana tjetër, me zhvendosjet e saj të pandërprera nga fusha në mal e anasjelltas, kjo popullsi blegtore bëhej një faktor ndërlidhës midis sektorëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare duke kontribuar në homogjenizimin e saj. Kështu, norma, doke dhe institucione të kahershme shqiptare, të ruajtura në malësi në format e tyre të pastra, me kohë zbritën dhe depërtuan edhe në shoqërinë shqiptare të zonave fushore bregdetare dhe të qyteteve, ndërkohë që praktika dhe institucione të shoqërisë "së qytetëruar" arritën deri në viset më të largëta malore, duke ndikuar në zhvillimet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të tyre.

Marrëdhëniet e pronës në fshatin shqiptar në shek. VIII-X.
Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në Shqipëri e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik në fshat, ku qe përqendruar edhe masa dërrmuese e popullsisë. Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe këto, duke përjashtuar Durrësin edhe ndonjë tjetër, përgjithësisht mbijetuan si qendra administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa syresh, si Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj., pushuan së ekzistuari si qendra të banuara që në të dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë bashkësia fshatare, një grupim njerëzish i organizuar mbi bazën e një territori të përbashkët dhe të interesave të përbashkët. Lidhjet e gjakut te bashkësia fshatare ruajnë deri diku rëndësinë e tyre, por ato nuk janë më kryesore, si dikur në bashkësinë fisnore. Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmënden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në Perandorinë Bizantine në fazën e hershme (shek. VII-VIII) pasqyrohet në një dokument juridik të kohës, në të ashtuquajturin "Ligji bujqësor" (nomos georgikos). Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine dhe, në këtë kuadër, edhe për trojet shqiptare. Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor" pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare. Mullinjtë, dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin pronë e individëve të veçantë. Si pronë vetjake, arat, vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të trashëgoheshin, të shkëmbeheshin, të ndaheshin, të jepeshin me qira, të liheshin peng, madje më vonë edhe të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë. Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dënime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës. S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në kohën e veprimit të tij, pronësia e përbashkët nuk ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat, tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte një fond tokash të lira e të papunuara, që herë pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve të bashkësisë duke zbatuar sistemin e shortit (kleros). Një mbeturinë e kohëve, kur tokat ishin pasuri e përbashkët, ishte edhe sistemi i "arave të hapura", sipas të cilit, me përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit. Po ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar, i ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund t`i përdorte për të kompensuar anëtarët e bashkësisë që kishin nevojë për ngastra të reja shtesë ose që dëshironin të ndërronin tokën e mëparshme. Bashkësia, gjithashtu, kujdesej për veprimtari me interes të përbashkët, për shfrytëzimin e ujrave, për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e fshatit dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga kullotat verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve zejtarë që kryenin punime për nevoja të bashkësisë dhe të anëtarëve të veçantë të saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë ishte familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa breza dhe që drejtohej nga më plaku. Të parët e familjeve, pjesëtarë të bashkësisë, formonin "këshillin e pleqve", i cili trajtonte dhe zgjidhte në bazë të dokeve, të gjitha problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën e pasigurisë, që karakterizoi kalimin nga koha e vjetër në kohën e mesme, të shoqëruar me përmbysje të mëdha ekonomike, shoqërore, etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje dhe solidaritet antarëve të saj, bashkësia fshatare përfaqësonte një zgjidhje të përshtatshme për përballimin e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një formë organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë feudale. Farët e diferencimit shoqëror janë të dukshme në të. Dokumente të shek. VIII-X provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e "të fuqishmëve" (dynatoi) apo e "të mëdhenjve" (megistanes). Inventari arkeologjik i varrezave të ndryshme të gjetura në vendin tonë, dhe që i përkasin kësaj periudhe të vënies në lëvizje të procesit të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të prekshme, materiale, të diferencimit shoqëror që po përvijohej në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza floriri, monedha e pajisje luftarake, gjenden më së shumti edhe varre me inventar të varfër, ku qenë varrosur ata që në "Ligjin bujqësor" quhen "të skamurit" (aporoi). Këta punonin ngastrat e të tjerëve dhe jepnin për këta të dhjetën e prodhimit ose punonin si rrogtarë të thjeshtë (mistotë).
Përveç faktorëve të brendshëm, në diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive ndikoi dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë një njësi fiskale, përveçse njësi administrative, shteti mblidhte prej tyre rregullisht detyrime, të cilat rëndonin jo njëlloj mbi anëtarët e bashkësisë. Për t`u shpëtuar tatimeve, të varfërit e gjenin shpesh herë rrugëzgjidhjen në shitjen apo braktisjen e ngastrave të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte zvogëlimin e sasisë së rentës, që i jepej shtetit nga bashkësia, sepse ky zbatonte sistemin e garancisë kolektive (alelengyon), sipas të cilit bashkësia paguante edhe për ata anëtarë që nuk qenë në gjendje të paguanin ose që kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur të tjerëve. Në këtë rast të fundit, me qëllim që të mos prishej homogjeniteti i bashkësisë, ligji përcaktonte se të drejtën për blerjen e një ngastre të një anëtari të bashkësisë e kishte së pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar çfarëdo i saj. Kjo normë, që synonte të pengonte depërtimin e pronarëve të huaj në bashkësi, quhej e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX-XI, njohën një përhapje të gjerë të ashtuquajturat "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak. Sistemi i "pronave ushtarake" njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut-ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine. Ndaj perandorët bizantinë bënë të pamundurën për t`i ruajtur të paprekura "ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve të mëdhenj. Por nëse për një farë kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke nxjerrë edhe legjislacion të posaçëm në mbrojtje të pronës së vogël, me kalimin e kohës u pa qartë se procesi i gllabërimit të ngastrave të vogla ishte i pandalshëm. Rrënimi i këtyre të fundit, qofshin ato prona të stratiotëve apo të anëtarëve të bashkësive fshatare, shkaktoi fillimin e një krize të gjatë e të pandalshme ekonomike, financiare e ushtarake që përfundoi në fund të fundit me vetë shembjen e Perandorisë Bizantine.

3. ORGANIZIMI SHTETËROR DHE JETA POLITIKE

Regjimi i Temave në Shqipëri.
Tema e Durrësit
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të temave.
Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Temës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Temës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.
Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një temë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.
Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së temës përmblidhej brenda kufijve të temës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit". Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.

Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri
Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741), Perandoria Bizantine u përfshi nga një konflikt i ashpër i brendshëm fetar. Në thelb të tij qëndronte interpretimi i ndryshëm që i bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat) kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga koha e Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve (ikonolatria) njohu një përhapje aq të gjerë në kishën bizantine, saqë u kthye në një nga format kryesore të shprehjes së ndjenjës fetare. Kishat e manastiret u mbushën aso kohe me ikona shenjtorësh të çmuara e të kushtueshme, duke u bërë njëherësh tregues i luksit dhe i pasurisë në të cilin notonin kleri dhe institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente pakënaqësi në një masë të gjerë njerëzish të çdo niveli shoqëror, të cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në kohën e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga ana tjetër, nuk mungonin edhe në vetë gjirin e kishës prirje kundër kultit të ikonave, sipas të cilave një kult i tillë s’kishte asgjë të përbashkët me krishterimin, si fe krejtësisht shpirtërore. Këto prirje ishin më të forta në provincat lindore të Bizantit, tokë gjithnjë pjellore për lëvizje fetare, ku vazhdonin të mbijetonin mbeturina të monofizizmit dhe ku atë kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve, që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.
Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave ishte rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin bizantin feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti ishte në kontakt të vazhdueshëm. Të dyja këto fe janë prerazi kundër çdo forme të riprodhimit në figurë të shenjtorëve të vet. Në këtë mënyrë, lufta kundër kultit të ikonave (ikonoklastia) kishte rrënjë të thella fetare, kulturore e shoqërore.
Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën kundër kultit të ikonave, synonte në radhë të parë të afirmonte fuqinë e pushtetit qendror mbi pushtetin e pakufizuar të institucioneve fetare si dhe mbi provincat, veçanërisht ato periferike, që jo rastësisht u rreshtuan në krahun e adhuruesve të ikonave. Ikonoklastia ndeshi në kundërshtim të ashpër në provincat bizantine të Italisë e të Ilirikut, që ishin nën juridiksionin kishtar të Papës së Romës. Megjithatë edhe këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë për vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit, dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit, mësohet se ikonoklastia ishte përqafuar në atë dioqezë edhe nga përfaqësues të klerit rregullar (murgjit), të cilët përgjithësisht qenë kundërshtarët më të rreptë të saj.
Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë në trevat shqiptare format e ashpra që pati në pjesë të tjera të Perandorisë Bizantine. Megjithatë, në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje me rëndësi të madhe për zhvillimet jo vetëm kishtare, por edhe për ato politike në trevat shqiptare. Perandori ikonoklast Leoni III i shkëputi ato nga juridiksioni i Papës së Romës dhe i vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë të Patriarkatit të Konstandinopojës (732). Ky hap, i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim të shek. IX, të temës bizantine të Durrësit e asaj të Nikopojës, ndikoi së tepërmi në forcimin e kontrollit të pushtetit qendror në këto provinca perëndimore të Perandorisë.

Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)
Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës së Durrësit në gjysmën e parë të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht i atij bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre bullgare (me origjinë turke), u krijua midis Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin “Perandor i Bullgarisë” dhe të martohej me një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç të përvitshëm.
Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën në Gjirin e Korintit.
Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë e kush më pak, sovranitetin bizantin.
Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit, Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë më 864.
Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine, si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi të dorës së parë dhe u përfshinë për së afërmi në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.
Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut. Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të tjera.
Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II, i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025). Përpjekja e parë serioze e tij për të goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva e madhe bizantine e Bazilit II.
Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep. Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).
Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali.
Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive, që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu, ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët më të shquar të tij në betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.
Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë e veçantë të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën e Shkupit.

Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve bizantinë
të Durrësit në gjysmën e dytë të shek. XI
Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë të tërë trazirash e revoltash, që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët (strategët) e temave të veçanta. Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në ato vite një nga pikat më të nxehta të Perandorisë Bizantine.
Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë qëllim edhe një legjislacion të posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit të pronës së vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.
Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.
Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arbri, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen e lëvizjes.
Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre të trevës së Arbrit, nuk vonoi të pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën në favor të nëpunësve, siç ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë të Durrësit të gjysmës së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve të Italisë, të cilët tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë Bizantine.
Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.
Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.
I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine, ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI
Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.
Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.
Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.
Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.