11 qershor 2010

Abdyl Frashëri...sikur të mos ishte në Lidhjen e PrizrenitDelen.

IRVI HYKA

Punëtoret e mirëmbajtjes së Liqenit Artificial në Tiranë fshijnë të patrazuara. Dy amatorë të moshuar bëjnë ushtrime të sforcuara fizike, atypari, kurse një dorë qesharake ka zhgarravitur në kompleksin monumental të Vëllezërve Frashëri. Në fund, varret e tyre të dëmtuara...Pakkujt i ka bërë përshtypje kjo, deri pak disa javë më parë...
...
Abdyl Frashërin e ndoqën këmba-këmbës. Me një zell të paepur për të shtypur Komitetet e Mbrojtjes dhe lëvizjen e ethshme të shqiptarëve për liri, qeveria turke krijoi gjykata ushtarake, që gjykuan shumë nga patriotët e angazhuar. Prej kësaj do të dënoheshin bash 4000 prej tyre. Sentencat ishin të dhimbshme: burgime, syrgjynosje dhe vdekje. Në pranga ranë Bibdoda nga Mirdita dhe Hodo Pashë Bushati, që u syrgjynosën përjetë në Anadoll. Ndërsa, atij, nuk i bënin dot në gjurmë. Një burrë i zoti, por me kohë- i drobitur, luftonte të fshihej. Me shpirtin e tij të lartë, Abdyli mundi që t’i shpëtojë ndjekësve për disa javë të tëra. Për fat, bektashinjtë, që i përkiste me shpirt në besimin e familjes, e strehuan pa më të voglën mëdyshje. Por kishte ardhur fundi. Në vendstrehimin e fundit, në një teqe që do e drejtonte drejt fshatit të tij në Frashër u kap nga një patrullë turke teksa po kalonte Shkumbinin. Papritmas. Ishte 16 maji. Dihej dënimi dhe shpërblimi për kokën e tij. Patrullës i shkëlqeu surrati nga gëzimi. Po çonin në pranga një nga eksponentët më të lartë të Lidhjes së Prizrenit, që e kishte bërë tash sa vjet me dhimbje Stambollin. Deri në hapsanë, nuk dihet se çfarë ka thënë Abdyl Frashëri, por një gjë është e sigurt. Duhet të ketë bërë një bilanc të jetës së tij të mundimshme...dhe të kauzës. Ia vlejti apo jo?! Ashtu si dihej, ai përfundoi në dënimin më vdekje. Sipër një ironi të jetës së tij të vështirë, dënimin ia kthyen me burgim të përjetshëm. Agonia do zgjaste dhe pak. Kur qeveria shpalli një amnisti të përgjithshme, e cila e liroi më 1885, ishte vonë për të. Ishte me një këmbë në varr. I vëllai, Sami Frashëri, një nënshtetas i bindur dhe i dashur i Perandorisë së cunguar, mëton se falja i erdhi nga sulltani. Pasi qëndroi tre vjet i burgosur në Kalanë e Prizrenit-kohë më vonë, bashkë me familjen e tij u izolua më Ballëkesir dhe në Bandërma. Në fakt, duhet të kishte kuptuar se misioni i tij ishte nëpërkëmbur nga smirëzinjtë, bashkatdhetarë të tij. “Po ashtu meqë kundërshtonte edhe qëndrimet dhe pretendimet e Serbisë dhe të Malit të Zi ndaj Shqipërisë, inkuadrohet në “Komitetin e Lidhjes” që ishte formuar në Prizren. Atëherë ra në gjendje të vështirë, sepse duke u komentuar mbrapsht qëllimet e tij të vërteta dhe patriotike nga ana e disa qëllimkëqinjve..., shkruan i vëllai, Samiu, që pas vdekjes do t’i mbajë djalin, Mit’hatin dhe vajzën Eminenë. Rehabilitimi, që i erdhi në fund të jetës, ishte i pamjaftë. Arriti të bëhej një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Qytetit, “por nga mundimet dhe torturat e vazhdueshme në burgun e Prizrenit dhe nga sëmundjet e tjera e pastaj edhe nga brengat e mërzisë, e kaploi sëmundja e parakohshme e pleqërisë. Pasi katër vjet e kaloi kohën si rob i shtratit, më 1310/1892 vdiq dhe i ndjeri tash është në varrezën e Merdiven-köz-it”.

Debati, ishte
apo jo në Prizren
Ky ishte fundi i një burri të guximshëm. Nga bashkëkohësit kanë ardhur në përgjithësi fjalë të mira për të, që duket se janë një pasqyrë e përballjes me dinjitet të jetës së tij të vështirë. “Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, ishte i durueshëm dhe i mësuar me mundimet dhe torturat trupore; ishte trim i madh; ishte i prirur dhe i gatshëm të bëjë të mira të llojllojshme; ishte bamirës dhe shpirtgjerë; ishte bujar dhe fisnik, ishte një njeri që donte mëshumë rehatinë për të tjerët sesa për vete”. Na vjen sërish në ndihmë i vëllai. Në fakt të gjithë këto nuk mundën që historianët ta katranosnin figurën e tij. Një e tillë ndodhi kur historianët Kristo Frashëri dhe Sherif Delvina u përplasën për faktin historik, nëse Abdyli kishte qenë apo jo në Prizren në Ditë-themelimin e Lidhjes. “Kur Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri dhe Mehdi Frashëri pohojnë se Abdyl Frashëri nuk ka qenë në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, kjo nuk e ul Abdyl Frashërin, jo vetëm për faktin në fjalë, sepse ai në tërësinë e veprës së tij është tepër i madh, por edhe, sepse ai ish gjetkë në një detyrë tepër të rëndësishme për Shqipërinë. Ai duhej të neutralizonte veprimtarinë armiqësore të Greqisë, në Shqipërine e Poshtme (Epir), ashtu edhe nëpër qarqet diplomatike të Evropës. Atë punë aq të rëndësishme në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit, më mirë se Abdyli nuk mund ta kryente asnjë tjetër”. Artikulli i Sherif Delvinës ngjalli shumë polemika, dhe ra në në meskinitetin e shoqërisë shqiptare, që u mundua të ulte figurën e Frashërit të madh. Kristo Frashëri u përgjigj me maturi, por duke mos e shmangur atë që ishte thënë deri më tashmë: “Abdyli foli me dibranë shqipen e tij të Dangëllisë dhe se nga ky fjalim i tij kemi vetëm një fragment të regjistruar me kohë, sipas tregimit të vetë Abdylit dhe një pohim të pleqve dibranë të moçëm të dëgjuar nga pjesëmarrësit e kuvendit”, duke mos u shmangur shumë nga monografia e tij kushtuar Abdylit.
Mit’hati thotë të vërtetën, kur shkuan: “Më 1879 në shtator Abdyl Frashëri vete në Prizren, kur e thërrisnin nga Liga”. Fakt tjetër i rëndësishëm është, që në gazetën “Tercuman – i Sark” (Interpreti i Lindjes) gjatë muajit qershor – korrik 1878, kryeredaktor i të cilës ishte Sami Frashëri, nuk përmendet fare Abdyli, si pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Po kështu, as në veprën madhore të Sami Frashërit Kâmûs Al-a’lâm në vëllimin IV, f.3061 thotë se A. Frashëri “Inkuadrohet në Komitetin e Lidhjes, që ishte formuar ne Prizren”, d.m.th, pasi ishte formuar Lidhja e Prizrenit. Edhe Mehdi Frashëri, te libri i tij “Lidhja e Prizrenit dhe efektet diplomatike të saj”, botuar më Tiranë në vitin 1938, në faqen 29 pohon se: A.Frashëri që nga Stambolli u kthye në Frashër, pa lejen e qeverisë. Po ashtu, edhe disa personalitete nga parësia e Kosovës u kthyen e u mblodhën në Prizren”, vazhdoi Delvina.

Pak për jetën e tij
Në fakt, ato që janë thënë më pak për jetën e tij, kanë qenë ato që kishin lidhje me mbijetesën e Abdylit. Ai sakrifikoi si pakkush në atë kohë. Që në jetën private dhe duke vazhduar tek pasuria etj. Do të punësohej shpejt, sepse i duhej të mbante familjen. Ishin pesë vëllezër më të vegjël, që prisnin të ushqeheshin prej tij. U shtrëngua të punonte që i ri më 1857 në Drejtorinë për Mbledhjen e Tatimit (xhelepit), në Sekretariatin për mbrojtje Sociale dhe në detyra të tjera. Në familjen e madhe të Frashërllinjve nuk ishte më si më parë, pas vdekjes së prindërve. Begatia ja kishte lënë vendin ngushtësisë dhe mbijetesës. Kishte vdekur babai, Halidi dhe dy vjet më vonë ndërroi jetë dhe e shoqja e tij, Emineja. Abdullah Hysniu beu, djali më i madh i shtëpisë, i duhej të kujdesej tashmë për pesë gojë të tjera. Abdyli Beu, si do të njihej më vonë, i kishte marrë drejtimin të detyruar jeta. 14 vjeç, do të shkruajë një nga vëllezërit më të vegjël, Samiu në Kâmûs Al-a’lâm, u gjend në kufirin e Greqisë me ushtrinë ndihmëse së bashku me të atin e vet...
Sado që tek Frashërllinjtë, nuk munguan njerëzit e penës- elementët intimë të jetës së Abdyl Frashërit mungojnë. Ato janë pak panegjirike në monografinë e tij, ndërsa bëhen pak të çuditshme, kur flitet më vonë. Sesi do të ngjitej në krye të lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, mjaftojnë tash pak dokumente. Mes tyre ato që i thonë kundërshtarë të Shqipërisë dhe të tjerat, që lidhen me njerëz që i glorifikojnë ato dhe folku. Gjithsesi, përplasja e historianit të njohur mediavalist Kristo Frashëri, por që në karrierën e tij të gjatë është marrë dhe me periudhat e tjera- me historianin Sherif Delvina provuan se mungonin dëshmitë e sakta, jo vetëm nëse ai kishte qenë apo jo në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por edhe të kontributit të madh të tij. Për fat, siç ndodh me periudha, që janë të hulumtuara pa ndonjë interes të veçantë ajo u mbyll shpejt...Por, duke treguar seriozitetin e pakët, kur duhet të merremi me çështje reale.

Për pavarësinë dhe politikën e kohës
Në fakt, Abdyli si pakkush kishte derdhur veç parave dhe vullnet për Shqipërinë. Ai shpenzoi pasurinë e tij prej mijëra lirash kundër aneksimit të anëve të Janinës dhe të Prevezës, Greqisë. Kuptohet se nuk mundi, ashtu si të gjitha gjërat ideale. Të paktën, vendosi një standard se deri ku mund të shkojë vullneti i një njeriu patriot. Së bashku me një bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, një figurë, po aq interesante Mehmet Ali Vrionin përpiqet për pavarësinë e Shqipërisë. Mbi kokë u qëndron postulati perëndimor i asaj kohe “Nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar”. Si për dreq, e asaj kohe është vërejtja cinike e më të madhit burrë shteti të kohës, Bismark, që thotë se “nuk ka kombësi shqiptare”. Kurse në Kongresin e Berlinit, që mbahet pak ditë pas Lidhjes së Prizrenit miratohen dhënia e tokave shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. “Berlini” doli shumë më i ashpër se “Shën Stefani”. Gati një dekadë më vonë, kryeministri arbëresh i Italisë, Krispi, një njohës prej gjaku dhe kulture më i mirë se Bismarku- i Ballkanit, i rrëfeu se: ”Po të ndodhin ndryshime në qeverinë turke, mbi të gjitha Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia duhet të kenë autonominë e tyre, ashtu si e ka dhe Rumania dhe Bullgaria”. Shqipëria mbeti sërish dhurata e Turqisë, ndërsa Abdyl Frashëri erdhi nga Berlini më i vendosur, tash për të zhvilluar gjuhën shqipe, që të justifikonte kërkesën e saj për pavarësi.
Vite më vonë, Mit’hati, i biri do të gjej një dokument interesant, kur Abdyl Frashëri i drejtohet kryeministrit Krispit më 16 shtator 1890 me fjalët: “Shqiptarët janë të gjithë të gatshëm të vdesin me armë në dorë para se të lejojnë që të ndahen në mes të shteteve fqinje, që do të shkatërronin plotësisht gjuhën dhe kulturën e tyre, të cilën ata e kanë ruajtur që nga kohët parahistorike...Shqiptarët duhet të ruajnë autonominë e tyre administrative dhe kufijtë kombëtarë e etnikë të atdheut të tyre...Ata do të mirëprisnin me kënaqësi ligjet dhe organizimin evropian. Ata nuk i kushtojnë shumë rëndësi besimit: myslimanë, katolikë, ortodoksë, janë të gjithë pa përjashtim, në një mëndje për gjithçka që ka të bëje me vendin e tyre. Ata do të preferonin pronca nga gjaku i tyre, të denjë për këtë titull, të zotë që t’i drejtojnë mirë në udhën e përparimtar dhe që do t’i njihnin traditat dhe zakonet e vendit”.
Ajo që ndodhi dihet. Ushtria trime e Lidhjes së Prizrenit luftoi kundër turqve më 4-6 shtator në Gjakovë dhe fitoi. Po ashtu, luftoi trimërisht kundër malazezëve, kur Turqia tërhoqi trupat nga Plava e Gucia. Por nuk mundën të ruanin dot Hotin e Grudën, që Fuqitë e Mëdha ia lanë Malit të Zi si këmbim. Më pas Ulqini, i rrethuar nga deti nga 17 anije të Fuqive të Mëdha dhe nga toka nga 10.000. Të 3000 vullnetarët shqiptarë vetëm ashtu u detyruan që të lëshojnë..Në vitet që do të vazhdonin, shqiptarët do të mblidheshin në Dibër, me një Kuvend tjetër dhe më 23 korrik 1880 në Gjirokastër, kur një Kongres, ndërmori masa të ngjashme. Ky ishte fillimi i fundit për Turqinë dhe fillimi i madh i Rilindjes së shqiptarëve. Një ushtri e madhe mori Shkupin, Prizrenin e Gjakovën dhe rivendosi administratën turke...Njerëz si Abdyl Frashëri u përndoqën kudo...

Epilog
“Në rast se fuqitë e mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm gadishullin Ballkanik, por edhe kontinentin Evropian”.
Historia e provoi vërejtjen e tij duke i dhënë vetëm në fund të mijëvjeçarit të dytë pak rehati shqiptarëve. Por,...Non plus ultra. Pastrueset kanë fshirë monumentin, por varri i Abdylit qëndron i thyer bash në kryeqendrën e shqiptarëve, në Tiranë.

Nuk ka komente: